Topalli: Ky është akti me të cilin Basha po tradhton PD-në, Jozefina nuk bën hapa prapa

496
Reforma zgjedhore është kthyer në “mollë sherri” mes palëve politike, pse jo edhe brenda të së njëjtës forcë. Kritikët e akuzojnë Bashën për tradhti 
Jozefina Topalli ka fshikulluar kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, për lëvizjen e tij më të fundit politike për reformën zgjedhore. Ish-nënkryetarja e PD-së për më shumë se një dekadë ka analizuar kushtet e Bashës duke i cilësuar si hipokrizi dhe tradhti ndaj PD duke e nisur nga kërkesa e tij e parë për reformimin e sistemit politik. “Sistemi politik nuk reformohet përmes reformës zgjedhore, ai reformohet përmes reformës së klasës politike, d.m.th të partive politike; që do të thotë përmes rritjes së demokracisë, të zbatimit të statutit; gjëra të cilat nuk kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe në të cilën ka drejtuar Lulzim Basha”, Thotë Topalli. Topalli shprehet kundër aplikimit të teknologjisë në zgjedhje duke i kërkuar Bashës të sqarojë demokratët se çfarë fshihet pas këtij kushti të përmendur disa herë gjatë këtij viti nga Basha. “Herën e parë e filloi si betejë, bëri gjoja, ngriti çadrën, tradhtoi çadrën, bëri marrëveshjen dhe humbi zgjedhjet me minus 230 mijë vota. Tani pyetjet që ai duhet t’u sqarojë demokratëve janë: E para, ai me votimin elektronik kërkon që të heqë kontrollin politik, kontrollin e demokratëve mbi procesin zgjedhor? Është një pyetje e rëndësishme, përgjigjen e së cilës ua ka borxh demokratëve. Gjë që do të thotë, se ai nuk i beson sistemit të kontrollit partiak, por i beson firmave private, qoftë kjo e Beqjas apo kunatit? Është pyetja e dytë të cilës ai duhet t’i kthejë një përgjigje. Dhe e treta, do të vazhdojë ai kundër të gjithë komunitetit ndërkombëtar që dëshmojnë dështimin e një sistemi të tillë në vende të tjera, edhe të kontinenteve të tjera, edhe brenda kontinentit tonë, si dikur Enver Hoxha që dikur me shpatë në dorë çante rrugën drejt socializmit?”, thotë Topalli. Në lidhje me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe idesë se shprehur me herët nga Basha për një sistem mazhoritar, Topalli akuzon kreun e PD-së se kërkon një sistem i cili dëmton demokratët dhe i jep peshë krimit e parave të pista. “Nëse sistemi ka qenë mazhoritar dhe ka kaluar në proporcional, cilat kanë qenë arsyet që e kemi bërë një gjë të tillë? Apo në projektin e tij synon që të bëjë marrëveshje me krimin, grupet kriminale dhe paratë për të marrë kolegjet zgjedhore? Apo kërkon që të reduktojë Partinë Demokratike vetëm në 5 karrige në parlament? Besoj që ua ka për borxh demokratëve që ta sqarojë edhe një gjë të tillë”, thekson Topalli. “Në kushtet kur vendos paraja e pisët, grupet kriminale, në situatën që gjendemi sistemi mazhoritar është tërësisht nga paraja, e vetmja mënyrë për të marrë kolegjet elektorale do të jetë pakti me krimin dhe me paranë”.

Për Topallin hipokrizi është edhe kërkesa e Bashës për një sistem, i cili zvogëlon kompetencat e kryetarit në hartimin e listës. “Kjo është hipokrizia e radhës. Ne nuk kërkojmë një kryetar të dobët, ne kërkojmë një kryetar statutor, që të respektojë ligjin, kushtetutën, statutin e PD-së, të cilin e ka shkelur që ditën e parë që ka zënë dhe ka uzurpuar karrigen e kryetarit të partisë. Edhe në shtator e ka shkelur përsëri statutin, dhe nuk po flas për të gjitha shkeljet e 4 viteve të kaluara. Dy nënkryetarët e PD janë të votuar nga grupi, statuti i PD kërkon bashkë edhe me të gjithë precedentët e zgjedhjeve në PD në 20 e ca vite, ata duhen votuar në këshillin kombëtar; pra kryetari përsëri ka shkelur statutin.” Topalli shprehet se nuk është dorëzuar në betejën për të ringritur Partinë Demokratike. Ajo shprehet se nuk bënë hapa prapa. 
Sigal