Tjetërsuan pronat në Lezhë, arrestohen zyrtarët më të lartë të Bashkisë

673
Kohë më parë, KLSH-ja në raportet e saj kishte denoncuar se zyrtarë të lartë të Bashkisë së Lezhës kanë tjetërsuar prona në Lezhë. Mirëpo deri tani prokuroria këto analiza dhe raporte të KLSH-së i kishte mbyllur në sirtar, natyrisht, ka mundësi me ndonjë urdhër ose priste çastin e duhur (politik) që të vepronte. 
Arrestohen zyrtarët e Bashkisë së Lezhës
Buja e arrestimeve u dha dje, kur policia arrestoi zyrtarët më të lartë të Bashkisë Lezhë, për tjetërsim të pronave të “Rana e Hedhur”, falsifikime etj. Gjykata e Lezhës ka lëshuar 23 urdhër arreste që lidhen me abuzimet e pronave tek “Rana e hedhun”. Vetëm 12 prej këtyre masave janë ekzekutuar, mes tyre kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj. Kryebashkiaku Frrokaj, përfaqësues i PD-së që u zgjodh në vitin 2015, akuzohet për “shpërdorim detyre”, pasi ka dyshime se ka tjetërsuar prona tek “Rana e hedhun”. Gjithashtu, pas hekurave përfunduan edhe nënkryetari i Bashkisë Enver Hafizaj, kreu i Hipotekës Gjelina Bacaj, bashkë me dy juristët Eduard Lekaj e Armando Dakaj. Mes të tjerash Gjykata vendosi sekuestro preventive për dy prona me sipërfaqe 25.146 m² dhe 13.730 m². KLSH zhvilloi një javë inspektim në bashkinë e Lezhës, ku konstatoi se ishin bërë shkelje të mëdha ligjore. Në hetimin e kreut të bashkisë Lezhë u përfshi dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Janë shpallur në kërkim 11 zyrtarë e shtetas të tjerë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e hedhun”. Kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumente të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemëtore. Më pas është regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Lezhë (ZRPP), duke përfituar padrejtësisht në interes të tyre dhe personave të tjerë. Këto hetime proaktive janë kryer në funksion të procedimit Penal regjistruar në vitin 2017, për veprat penale tё “Shpërdorimit të detyrës”dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Mbi bazën e provave të grumbulluara dhe sekuestruara nga Sektori për Hetimin e Korrupsionit dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë, me vendimin e datës 15 mars 2018, ka vendosur masën e sigurisë personale “Arrest me burg” për zyrtaret e administratës shtetërore dhe për shtetas të tjerë, të cilat janë ekzekutuar për shtetasit:

Fletë-arrestet
1. Fran FRROKAJ, 52 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Kryetar i Bashkisë Lezhë.
2. Enver Hafizi, 62 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Nënkryetar i Bashkisë Lezhë
3. Gjok Ndoka, 52 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Kryetar Këshillit të Qarkut Lezhë
4. Adenis Haxhia, 29 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë jurist pranë Bashkisë Lezhë.
5. Dilaver Neli, 56 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë specialist në Drejtorinë e Mbrojtjes së Tokës të Këshilli Qarkut Lezhë,
6. Enkelejd Zefi, 28 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë specialist hartograf pranë ZVRPP Lezhë.
7. Pjetër Gjoni, 68 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, përfitues toke në mënyrë të paligjshme.
Me masën e sigurisë personale “Arrest në shtëpi” për zyrtarët:
1. Gjelina Baca, 58 vjeçe, me banim në Lezhë, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë Lezhë.
2. Juxhina Mema, 25 vjeçe, lindur dhe banues në Gramsh, me detyrë ish-specialiste në Drejtorinë e Bujqësisë në Bashkinë Lezhë
3. Marte Gjergji, 50 vjeçe, me banim në Lezhë, me detyrë topografe pranë Bashkisë Lezhë.
4. Frrok Frroku, 75 vjeç, me banim në Bashkinë Mamurras, ka përfituar tokë në mënyrë të paligjshme.
5. Luigj Paloka, 76 vjeç, me banim në Shkodër, ka falsifikuar aktet.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e 11 shtetasve, me detyra në ZVRPP, në ish-Komunën Shëngjin apo përfitues tokash në mënyrë të paligjshme. 
Mekanizmi i tjetërsimit të pronave
Praktikat dokumentare të dërguara nga Bashkia Lezhë në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, përmbajnë aktin e marrjes së tokës në pronësi, vërtetimet e kufizimeve, konfirmimet e pasurisë, planet e rilevimit, të cilat janë të falsifikuara dhe janë përpiluar në emër të personave, të cilët nuk kanë qenë dhe nuk janë banorë të Fshatit Mali i Rencit. Nga ana e Bashkisë Lezhë dhe e Këshillit të Qarkut Lezhë, nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare pavarësisht se në realitet janë mal dhe ranishte janë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemëtore”. Drejtuesit e Bashkisë Lezhë, duke i paraqitur si tokë bujqësore, kanë dërguar edhe një vendim të falsifikuar në emër të Këshillit të Qarkut Lezhë, si dhe personat e sipërcituar përvetësues të këtyre pronave, janë trajtuar më parë me tokë sipas ligjit 7051 dhe disa nuk janë banorë të zonës. 

Në pranga edhe kreu socialist i qarkut, xhaxhai i Arben Ndokës
Mes të arrestuarve në Lezhë për shpërdorim detyre e abuzime me tokat në bregdet është edhe Gjok Ndoka, kryetar i këshillit të qarkut të Lezhës dhe përfaqësues i Partisë Socialiste.
Sigal