TIRANË/ PS i rimerr PDIU mandatin e 18, Shpëtim Idrizi mbetet jashtë Parlamentit

427
Në qarkun e Tiranës që është edhe më i madhi në vend, për shkak se dalin 34 mandate deputetësh janë numëruar deri tani 1123 nga 1198 kuti votimi ne total.

Nga kutia në kuti prodhohen surpriza dhe lëvizin mandatet, siç ishte rasti i LSI-së që po lufton “dhëmbë për dhëmbë” me PD-në për të marrë 1 mandat, po ashtu edhe fakti që rritja e votave për partitë e mëdha e ka rritur dhe pragun e marrjes së mandatit që tani është bërë mbi 3%. Konkretisht nga numërimi i kutisë të 1123-të të Qarkut, PDIU humbi sërish mandatin e rifituar pak më herët përballë PS që arriti 18 mandate. Tani PDIU nuk ka asnjë mandat, gjë që bën që kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi të ngelet jashtë parlamentit.

Kjo luftë “dhëmbë për dhëmbë” pritet të vazhdojë edhe në kutitë e mbetura të panumëruara, ku priten me interes votat e secilës nga partitë që do të jenë përcaktuese për Idrizin nëse do ta rimarrë ose jo mandatin.

Në bazë të rezultatit paraprak të numërimit, Qarkun e Tiranës e udhëheq PS me 186868 vota ose 18 mandate, e ndjekur nga PD që ka 120748 vota ose 11 mandate deputetesh. Nga numërimi i deritanishëm LSI ka 52985 vota ose 5 mandate dhe sipas këtij rezultati paraprak nënkryetari i kësaj partie, Luan Rama, i renditur i 5-ti në listën e LSI arrin të hyjë në Parlament.

Ndërkohë LIBRA e Ben Blushit ka siguruar momentalisht 8696 ose 0 mandate për shkak se nuk po e kalon dot pragun 3%. Kurse PDIU ka marrë 11566 vota ose 0 mandate, që do të thotë se sipas këtij rezultati paraprak kryesuesi i listës së Tiranës, Shpëtim Idrizi, mbetet jashtë Parlamentit pasi nuk ka kaluar pragun 3% të Qarkut.
Sigal