Sigal

Stina e festave ka mbërritur në Tiranë. Në sheshin “Skënderbej” dhe në rrugët e Tiranës u ndezën mbrëmë dritat vezulluese që simbolizojnë ardhjen e festave të fundvitit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa mori pjesë në ndezjen simbolike të dritave të pemës, u shpreh se edhe Tirana i bashkohet këtë vit kryeqyteteve të botës, të cilat festat kanë vendosur t’i nisin pak më shpejt.

 Veliaj: Tirana ka një stinë festash të jashtëzakonshme

“Disa prej jush, sidomos fëmijët që janë këtu, më kanë çuar peticione, kanë mbledhur firma në klasë, në lagje, në shkollë dhe na kanë thënë: Lali Eri, a mund të zgjasësh pak më shumë festat, se mbyllen shumë shpejt? Nuk i zgjasim dot pas 1 janarit, por ajo që mund të bënim është t’i fillojmë pak më herët dhe, në fakt, në gjithë qytetet e botës ka filluar pak më herët festa, ndaj kjo është arsyeja pse do t’i hapim që sot dritat e festës, jo vetëm këtu, por në disa vatra, edhe në sheshin Skënderbej, edhe tek Liqeni, këtë fundjavë tek Pazari i Ri dhe në të 24 njësitë e Tiranës, për t’u siguruar që e gjithë Tirana, nga cepi në cep, ka një stinë festash të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Veliaj: 17 Nëntori i Tiranës

Kryetari i bashkisë u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit që. së pari të festojnë Festën e Çlirimit të Tiranës dhe më pas edhe Festat Kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit. “Ne po na afrojnë festat tona kombëtare; festa për qytetin është 17 Nëntori dhe dua që t’i japim një duartrokitje të gjithë atyre që janë veteranë dhe kanë dhënë një kontribut që ky qytet të jetë një qytet i lirë. Kemi Festat e 28-29 Nëntorit, ndaj dua që secili prej jush, ata që po na ndjekin dhe ju që keni ardhur këtu në shesh të vëmë secili nga nesër, që është 17 nëntori, një flamur në ballkon, në zyrë tek kompjuteri, në dritare, tek makina, për të kujtuar që, mbi të gjitha, jemi shumë krenarë që jemi pjesë e këtij kombi, e kësaj historie dhe e këtij qytetërimi që krijojmë në Tiranë”, theksoi kryetari i bashkisë.

 Veliaj: Tirana fiton gjithmonë mbi dhunën

“Unë dua ta përdor këtë mundësi edhe në emër të familjes sime, dua të kujtoj që jemi si një familje e madhe në Tiranë. Ne në Tiranë rrëzohemi bashkë, por edhe ngrihemi bashkë; i kalojmë sfidat bashkë, por edhe sukseset i korrim bashkë. Unë dua t’ju falënderoj me gjithë zemër për tre vite të mrekullueshme që e kemi çuar Tiranën në drejtimin e duhur me punë, me dashuri dhe me energji pozitive. Unë e di që sa herë që bëhet punë në Tiranë ndodh ndonjë sherr vogël, digjet ndonjë gomë, hidhet flakë, dua të falënderoj të gjithë policët e Policisë Bashkiake që edhe kur ka dhunë sillen me qytetari. Dua t’i garantoj qytetarët e Tiranës, qyteti fiton gjithmonë mbi dhunën, puna fiton gjithmonë mbi flakën, qytetaria dhe kultura fiton gjithmonë mbi vulgaritetin. Premtimi im për ju është që edhe në këtë sfidë dhe në çdo sfidë tjetër që do të na vijë ne do të shikojmë interesin e shumicës, interesin e të drejtës”, perfundoi Veliaj.

 

Tirana mori vlerësimin maksimal në edicionin e 8-të të Kongresit Botëror dhe Panairit të Qyteteve Inteligjente

Ndryshimet që ka pësuar Tirana në 3 vitet e fundit e kanë kthyer kryeqytetin shqiptar në model suksesi në Evropë. Lajmi i mirë vjen nga Barcelona, ku Tirana mori vlerësimin maksimal në edicionin e 8-të të Kongresit Botëror dhe Panairit të Qyteteve Inteligjente. Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte përzgjedhur për të prezantuar projektet dhe zgjidhjet inovative për qytetin. “Më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme që Tirana vlerësohet në Panairin e Qyteteve Inteligjente në Barcelonë. Kur shikon sa qytete marrin pjesë dhe çfarë gare zhvillojnë qytetet në botë për t’u afirmuar, ndjehem shumë krenar për atë që kemi arritur në Tiranë, falë mbështetjes së jashtëzakonshme që populli i Tiranës i jep ndryshimit, punës dhe modernizimit”, – tha kryebashkiaku Veliaj, i cili shtoi se edhe vitin tjetër Tirana do të vijojë të punojë çdo ditë, ndërsa theksoi se një vëmendje të veçantë i kushtohet edhe çështjeve sociale. “Mezi pres që të vazhdojmë edhe këtë vit të fundit të mandatit me këto ndryshime. Punën nuk do ta ndalojmë për asnjë ditë, do vazhdojmë të punojmë përditë, përditë, duke shfrytëzuar çdo orë, çdo minutë për transformimin e Tiranës. Sigurisht, do të kujdesemi për çdo çështje sociale, për çdo shpronësim, për çdo kujdes me qira, për çdo trajtim special, nëse dikush ka nevojë. Ky është i njëjti qytet që ka sot mensa sociale, që ka sot shtëpi sociale, që ka sot kredi të buta. Kemi treguar se dimë ta bëjmë shumë mirë trajtimin social, ama progresi nuk do të ndalet”, tha Veliaj. Në Panairin e Qyteteve Inteligjente merrnin pjesë më shumë se 700 përfaqësues nga e gjithë bota.