Tirana të mbështesë Prishtinën: Të ulë traun për produktet serbe

370
Sigal

Nga Ilir Babaramo

Më në fund qeveria Haradinaj ndërmori hapin që një qeveri e Kosovës duhet të kishte bërë të paktën dhjetë vjet më parë. Qeveria e Prishtinës vendosi të zbatojë një taksë prej 100 për qind për çdo produkt serb që hyn në territorin e Kosovës. Ky veprim energjik përbën të vetmen përgjigje ndaj agresionit shumëplanësh të Serbisë. Në mënyrë konstante Beogradi po përdor çdo mjet politik dhe diplomatik për ta kthyer Kosovën një shtet të dështuar dhe për ta mbajtur atë një koloni ekonomike të saj. Qeveria Haradinaj nuk duhet lënë e izoluar në këtë nismë. Rrethanat janë të tilla sa shqiptarëve nuk ju kishte ngelur tjetër rrugë ndaj agresionit të Beogradit: vetëm ulja e traut. Madje aparati shtetëror kosovar duhet të trajtojë si kolaboracionist këdo që importon nga Serbia. Zgjidhje ekstreme, por e vetmja në situatën ekstreme të krijuar. Dhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës strategjia e Beogradit është e qartë: Të imponojë ndarjen ose boshnjakëzimin e Kosovës si dhe ta mbajë Kosovën koloni ekonomike të saj. Qeveria e Prishtinës nuk duhet lënë vetëm në këtë nismë. Vendimit të saj duhet ti bashkohet dhe qeveria e Tiranës. Ka dhjetëra arsye. Qeveria Rama e ka një shkak të qartë. Beogradi ka bllokuar linjën e interkonjeksionit Shqipëri Kosovë për vite me radhë, ndonëse për ndërtimin e saj Gjermania ka dhënë një kredi me vlerë mbi 100 milionë euro. Vetëm për këtë arsye Tirana duhet të ulë traun për produktet serbe deri në momentin zhbllokimit të interkonjeksionit. Historikisht Beogradi është përpjekur ta zgjidhë konfliktin e Kosovës duke negociuar me Tiranën. Në kanalet e tyre të komunikimit mund ta bëjnë këtë demarsh: zhbllokoni interkonjeksionin ose në Shqipëri nuk hyjnë mallra serbe. Ndërkohë që Thaçi hesht dhe Rama nuk ndërmerr këtë hap për të gjithë bëhet e qartë se kryeministri shqiptar mbështet negociatat e dy presidentëve për ndarjen e Kosovës, krejt ndryshe nga çfarë mendojnë të gjithë në të dyja anët e Drinit.