Tirana feston 105-vjetorin e Pavarësisë, Veliaj ngre simbolikisht flamurin kombëtar

587
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana festoi sot 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, datë kur Ismail Qemali dhe patriotë të tjerë nga të gjitha viset shqiptare, ngritën flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Në sheshin e ri “Skënderbej”, i shtruar e rrethuar simbolikisht me gurë dhe pemë nga të gjitha trevat shqiptare, nën tingujt e Himnit Kombëtar të ekzekutuar për herë të parë nga rreth 60 kitaristë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, kreu i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, deputetë, ministra, përfaqësues të komuniteteve fetare, veteranë lufte dhe qytetarë të Tiranës, morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit Kombëtar.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se kjo është padyshim dita më e bukur për të gjithë shqiptarët.
“Kjo është padyshim dita më e bukur për të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë. Është një ditë e shenjtë për të gjithë ne, një moment për të kujtuar sesa shumë rrugë kemi bërë që nga ajo ditë e largët 105 vjet më parë, kur baballarët e kombit shpallën Pavarësinë e Shqipërisë tonë. 28 nëntori 1912 ishte kurorëzimi i një lufte dhe i një përpjekje të gjatë për të themeluar shtetin tonë shqiptar. Por në fakt nuk ishte fundi i rrugës. Baballarët e kombit që ngritën atë ditë flamurin në Vlorë, patriotët që ngritën flamurin e Shqipërisë në të gjithë qytetet kryesore e dinin këtë shumë mirë. 28 Nëntori ishte vetëm fillimi i një sfide akoma të vështirë për ta marrë atë vend të shkatërruar nga lufta, pushtimet e për të ndërtuar një shtet modern europian”, tha ai.
Veliaj theksoi se ditë të tilla kaq të rëndësishme për historinë e Shqipërisë duhet t’i shërbejnë brezit të sotëm për të kuptuar se guximi dhe sakrifica e të parëve tanë ishte për një Shqipëri më të mirë dhe një të ardhme të sigurt.
“Unë besoj që 28 Nëntori është një ditë për të kujtuar dhe respektuar të gjithë ata që luftuan për pavarësinë e që bënë pjesën e tyre për ta çuar përpara projektin Shqipëria. Por jam i sigurt që nëse do të kishim sot mundësinë të pyesnim cilindo nga ato burra e gra që patën fatin të bëhen pjesë e asaj dite, mesazhi që do të na jepnin është që 28 Nëntori është mbi të gjitha një ditë për të parë përpara, për të qenë të bashkuar dhe për të punuar fort drejt të ardhmes teksa ëndërrojmë dhe planifikojmë 105 vitet e tjera të shtetit tonë”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Ndaj, theksoi ai, mesazhi që na përcjell kjo ditë është se çdo brez, në çdo kohë, duhet të japë kontributin e tij për projektin e Shqipërisë. “Shqipëria nuk është vetëm atdheu, nuk është vetëm shteti ynë. Shqipëria është projekti ynë i përbashkët. Dhe besoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm i kësaj dite. Shqipëria është projekti i përbashkët për çdo brez për të bërë pjesën e vet, detyrën e vet, misionin e vet dhe për ta çuar vendin më përpara. Ju besoj e dini dhe historinë e sheshit “Skënderbej”. E dini që ky shesh ka qenë projekti më jetëgjatë infrastrukturor i shqiptarëve, që filloi në vitin 1913 dhe mbaroi vetëm pak muaj më parë në 2017, 104 vjet punë. Është një projekt që në shumë forma në fakt na kujton edhe historinë e Shqipërisë, mënyrën sesi një brez një shekull më parë i dha jetë një projekti, i cili më pas u trashëgua brez pas brezi, deri sa u kurorëzua më në fund me sukses në 2017 për t’u kthyer në kilometrin 0 të gjithë shqiptarëve, në një hapësirë që në mënyrë simbolike përfaqëson unitetin tonë si komb, por edhe rrugën e gjatë për të arritur ambiciet tona”, theksoi Veliaj.
Gjithashtu, ai shtoi se, ndërsa të parët tanë, ata që punuan dhe luftuan për ngritjen e flamurit apo edhe për çlirimin e vendit nga të gjithë pushtuesit, sakrifikuan deri edhe jetën e tyre, për ekzistencën e Shqipërisë, brezit të sotëm i lind detyrimi për ndërtimin dhe prosperitetin e saj.
“Kur mendojmë sot për të ardhmen, na duhet ta kuptojmë që jemi ne, të gjithë ne që jemi këtu e ata që na ndjekin, njerëz të thjeshtë të këtij vendi që do ta ndërtojmë së bashku projektin Shqipëria. Siç e kemi treguar këtu në Tiranë me ato dhjetëra e dhjetëra projekte ku biznese, komunitete fetare, organizata të shoqërisë civile, fëmijë, të rinj, burra e gra e të moshuar kanë kontribuar secili brenda mundësive të tij apo të saj, për ta bërë qytetin pak më të mirë sot seç ishte dje e pak më të mirë nesër se ç’ishte sot. Falë Zotit ne jetojmë në një kohë krejt të ndryshme nga ajo e 1912, kur nuk na duhet të përballemi me sfida e vështirësi të nivelit të atyre që u përballën ata burra e gra 105 vjet më parë. Por kjo nuk e bën punën që na pret, për të hedhur hapin tjetër në projektin e ndërtimit të Shqipërisë, më pak të rëndësishme”, u shpreh Veliaj.
Ndërkohë, më parë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, i shoqëruar nga prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, kreu i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësues të komuniteteve fetare, dhe qytetarë të Tiranës, vendosën kurora me lule në Monumentin e Pavarësisë në parkun “Rinia”.
Me rastin e Ditës së Pavarësisë, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh festive të cilat kanë nisur që gjatë mëngjesit të sotëm dhe do të mbyllen në mbrëmje me operan “Skenderbeu” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Sigal