Time Kadriaj, deputetja kosovare, që shëroi plagët e UÇK-së gjatë luftës

775
Sigal

INTERVISTA/Flet deputetja e Kosovës: “Kushti ynë i parë, Ramush Haredinaj duhet të kthehet në karrigen e Kryeministrit”

Ka qenë krejt i rastësishëm takimi me deputeten e Kosovës, Time Kadriaj, njëra nga katër gratë deputete të partisë së Haredinajt. Ajo rrëfen për herë të parë në një gazetë në Shqipëri, jetën e saj si gjinekologe, pjesëmarrjen në luftë, mjekimi i plagëve dhe si i ka shpëtuar jetën e luftëtarëve të UÇK-së, duke u ndalur më pas tek puna që bëhet në Parlamentin e Kosovës. Kadriaj veçon një fakt, që nuk e gjen në Parlamentin shqiptar: Lobimin e gruas deputete të të gjithë spektrit politik, për të miratuar akte ligjore e mbështetur masën e grave, duke synuar rritjen e shifrave të barazisë gjinore në vendimmarrje.

Ju pyesim për lexuesin e gazetës “Telegraf”, kush është Time Kadriaj?

Janë deputete në të parën legjislaturë, me profesion mjeke gjinekologe. Para luftës kam përfunduar përveç Mjekësisë së Përgjithshme -për shkak të situatës në Kosovë- kemi bërë organizimin e shëndetësisë private. Unë kam shërbyer në shoqatën “Nënë Tereza”, si mjeke. Në periudhën e parë kemi ndihmuar popullsinë për shërbime shëndetësore sepse institucionet shëndetësore kanë qenë të mbyllura.

Në mos gabohem, ju keni qenë në luftë  me UÇK?

Jo nuk gaboheni. Kam qenë në luftë në zonën e Dukagjinit. Kam pasur komandant z. Ramush Haredinaj, kam qenë plot 1 vit e gjysmë në luftë. Më pas u inkuadrova në Partinë e AAK-së, që ka lider z. Haredinaj. Kam vepruar në vijën e parë të frontit, ndërsa në periudhën e fundit të luftës kam qenë përgjatë kufirit Kosovë-Shqipëri, konkretisht  në Koshare dhe Papaj.

Sa të plagosur keni mjekuar dhe a keni shpëtuar jetë njerëzore?

Kam mjekuar qindra e qindra të plagosur, kjo ishte detyra ime, por ka pasur edhe raste të rënda, që falë ndihmës mjekësore të menjëhershme, kanë shpëtuar nga vdekja. Janë shumë raste, por në mëndje më ka mbetur luftëtari Rexhep Daci, që ka qenë në gjendje të rëndë dhe vetëm përkujdesja mjekësore e shpëtoi. Sa herë e takoj, më shpreh mirënjohjen dhe më thotë: ‘Jetën e kam prej teje’.

Ishte kontributi në luftë, që ju bëri deputete në Parlamentin e Kosovës?

Sikurse ju thashë, pas lufte aderova në Partinë e AAK-së. Njihja dhe vlerësoja shumë z. Haredinaj, ndaj pa hezitim u bëra pjesë e partisë së tij, ndaj ndjehem krenare për këtë fakt.

Çfarë i bashkon gratë deputete në Parlamentin e Kosovës?

Sigurisht, ne aderojmë dhe bëjmë politikën e partive respektive, por ndryshe nga Parlamenti në Shqipëri, në Kosovë  gratë deputete kanë krijuar atë bërthamën e tyre, ku bëjnë pjesë edhe deputete të tjera të etnive të ndryshme, që herë pas here diskutojmë rreth angazhimeve dhe problematikës që ka gruaja dhe se ku duhet të synojmë të gjitha bashkë, për t’i ngritur problemet në Parlament. Pra, e thënë ndryshe, jo rrallë herë ne na bashkon thjeshtë dhe vetëm qenia grua. Problemi i barazisë gjinore, mbetet një shqetësim i përhershëm për parlamentaret gra, sidoqë  kemi 32 deputete dhe në krahasim me Shqipërinë, kemi një përqindje shumë më të lartë. Ndërkohë, dua të theksoj se pas daljes nga Parlamenti dhe aktiviteti partiak, ne jemi të gjitha mikesha. Ne kemi edhe një përvojë, që na ka stimuluar tepër edhe në përmbushjen e detyrave që kemi ndaj grave. Takimet dhe bashkëbisedimet me gratë e zgjedhura në pushtetin vendor, por edhe me masë grash, duke dëgjuar zërin e tyre dhe njëherësh duke përcjellë edhe angazhimin tonë, për t’i mbështetur dhe përçuar zërin e tyre në Parlament. Bashkëpunimi me shoqërinë civile, veçanërisht ato OJQ, që merren me problemet e gruas, gjithashtu, vlerësohet tepër nga deputetët e Kosovës.

Ne që ju ndjekim nga larg, na është krijuar përshtypja që VV e Albin Kurtit, është një opozitë e fortë ndaj qeverisë Thaçi dhe në tërësi. Jeni e të njëjtit mendim edhe ju?

Dëgjo, çdo parti politike ka programin, strategjinë e saj, kësisoj edhe VV-ja në qëndrimet dhe veprimet brenda dhe jashtë Parlamentit, përcjell këtë strategji. Sikurse në partinë tonë edhe aty janë katër gra deputete dhe sikurse thashë, bashkëpunojmë ngushtë për problemet tona. Ngritja e problemeve, debatet që zhvillohen në Parlament deri edhe veprime që ndërmerr vetëvendosja, tregojnë nga njëra anë demokracinë që është instaluar në Kosovë, sidoqë është një shtet i ri.

Duke qenë një deputete femër, më lejoni t’ju pyes, sa angazhohen me problemet direkte të grave kosovare zonjat që kanë poste të lartë, sikurse është Presidente Jahjaga, zv/kryeministre Edit Tahiri, disa ministre të Qeverisë ‘Thaçi’?

Këtë e tregon qartazi samiti ndërkombëtar që u organizua për gruan dhe që përfundoi pak ditë më parë, që u organizua nën kujdesin e Presidentes Jahjaga. Sigurisht, gratë në poste qeveritare janë edhe deputete dhe bashkërisht rrahim problemet dhe  bëjmë përpjekje në maksimum për të shtuar numrin e grave në organet vendimmarrëse si në Parlament dhe këshillat komunale. Ajo që unë do të kisha dëshirë të shprehja është të thellojmë bashkëpunimin midis grave të Kosovës dhe të Shqipërisë, pasi jo vetëm marrim përvojë, por i shërbejmë Kombit.

Çfarë flitet për z. Haradinaj zonja deputete. Shpresoni të marrë pafajësinë?

Ramush Haredinaj jo vetëm do të marrë pafajësinë, por ai duhet të kthehet Kryeministër, për të vazhduar detyrën që e la në mes. Unë e njoh në luftë, e njoh në punë, jam anëtare e kryesisë së partisë e njeh dhe e mbështet e gjithë Kosova sikurse dihet mirë që rigjykimi i tij u bë për shkaqe politike. Kthimi i Haredinit do të fuqizojë partinë tonë, që në zgjedhjet e ardhshme, do të trefishojë numrin e deputetëve. Cilado parti që do të fitojë shumicën dhe do të kërkojë koalicion me partinë tonë, do të paraqesim një kusht: Nëse bëhet Kryeministër Ramush Haredinaj.