Tik-tak, tik-tak… nesër afati i fundit për regjistrimin e partive për zgjedhjet lokale. Çfarë do të bëjë opozita?

540
Sigal

21 prilli është afati i fundit për PD dhe LSI-në që mund të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Por ende nuk dihet se si do të veprojnë dy forcat kryesore të opozitës. Basha dhe Kryemadhi deri më tani janë shprehur se nuk do të hyjnë në zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër.

Për shkak se 21 Prilli është ditë e diel dhe e hëna korrespondon me pushim zyrtar, regjistrimi i subjekteve zgjedhore mund të shtyhet deri në datën 23 Prill.

Deri më tani janë regjistruar 25 parti politike, mes tyre edhe Partia Socialiste, të cilat kanë shprehur vullnetin për pjesëmarrjen në zgjedhje pavarësisht bojkotit të opozitës. PD dhe LSI kanë bojkotuar edhe më herët procesin zgjedhor me mosdërgimin e komisionerëve për KZAZ-të.

Një ditë më parë ambasada amerikane në Tiranë u bëri thirrje partive politike të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. ‘Opozita e re’ në Kuvend është shprehur se do të marrë pjesë në këto zgjedhje, duke u regjistruar me në një parti ekzistuese ose mund të krijojnë një subjekt të ri me 3 mijë firma.

Dita e fundit e regjistrimit të koalicioneve politike është 1 maji, ndërsa 13 maji është afati për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie dhe për këshilltarë bashkiakë.

Ka skenarë që flasin gjithashtu edhe për shtyrje të zgjedhjeve lokale në vjeshtë. Megjithatë duhet të presim se si do të rrjedhin gjërat deri në fund.