TIA: Shkalla e korrupsionit, përkeqësohet gjendja e Shqipërisë

536
Raporti i organizatës “Transparency International”, mbi shkallën e korrupsionit në botë e ka radhitur Shqipërinë në vendin e 91-të, duke shënuar kësisoj përkeqësim të gjendjes në krahasim me një vit më herët kur ajo ishte radhitur në vendin e 83-të. Kosova kësaj radhe radhitet e 85-ta, me gjithsej 39 pikë, duke shënuar përparim krahasuar me një vit më parë kur ajo radhitej e 95-ta me 36 pikë. Kësisoj ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që ka shënuar përparim. Bosnje e Hercegovina një vit më parë ishte në vendin e 83-të, ndërsa sivjet radhitet në vendin e 91-të. Derisa Mali i Zi mbetet në vendin e 64-të njësoj sikurse edhe një vit më parë, Serbia ka rënë nga vendi i 72-të në vendin e 77-të. Më keq në rajon radhitet Maqedonia, e cila nga vendi i 90-të ka rënë në vendin e 107-të. Raporti që përfshinë 180 vende të botës përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar. Zelanda e Re, Danimarka dhe Finlanda janë vendet më të pastra, sa i përket korrupsionit, ndërsa në fund të listës radhiten Somalia, Sudani Jugor dhe Siria. Organizata vlerëson se, në gjashtë vitet e fundit shumë vende kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit. Niveli i korrupsionit mbetet ende shumë i lartë në Shqipëri, pavarësisht debatit dhe përpjekjeve për të përmirësuar sistemit gjyqësor dhe prokurorinë, në mënyrë që të shtohet goditja e rasteve korruptive.
Sigal