Thyhet rekordi i vjedhjeve të shtëpive, banorët dalin natën me çifte për të ruajtur privatisht pallatin

567
Sigal

 Periferia e Tiranës dhe banorët e qyteteve të vendit, në panik. Hajdutët sulmojnë gjatë natës shtëpitë e pleqve të vetmuar

Periferia e Tiranës dhe qytetet e tjera janë përfshirë nga paniku i vjedhjes së banesave. Kjo për faktin, se numri i grabitjeve është shtuar ndjeshëm, sidomos, në ato shtëpi ku jetojnë pleq të vetmuar, ose ku fëmijët e tyre kanë shkuar emigrantë. Mungesa e gatishmërisë së policisë për të goditur krimin, ka bërë që në Kombinat, Laprakë, Uzinën Traktori, Kinostudio, Allias, etj., familjarët të organizohen me roje të pallateve, të cilët pajisen me çifte për të mbrojtur territorin  e tyre. Frika është shtuar shumë sidomos, pas plaçkitjeve të bujshme që janë bërë kohët e fundit në disa nga lagjet që përmendëm më lart, ku pleqtë e vetmuar nuk guxojnë të flenë asnjë minutë të qetë. Dje një alarm për bombë tek materniteti, “Koço Glozheni”, ka futur në panik edhe banorët e kryeqytetit, ndërkohë që në Laprakë, ka ndodhur një grabitje, në Kombinat një kërcënim me armë, ndërsa në Sukth, një makinë i ka marrë jetën një gruaje të moshuar. Kjo është vetëm një pjesë e tragjedisë së ditës së djeshme, e cila a mund të përmblidhet brenda një fjalie, por po të vazhdojmë më tej, mund të themi se në Shkodër, gjatë javës së kaluar janë shënuar dy vrasje, në Berat një therje me thikë, në Korçë, burri ka vrarë gruan, në autostradë janë shënuar me dhjetëra aksidente të rënda dhe në kryeqytet me qindra vjedhje, apo grabitje, pa llogaritur këtu alarmin për bombë te gjimnazi “Sami Frashëri”. Në një farë mënyre hajdutët të motivuar edhe nga rënia e vigjilencës së policisë janë hedhur në një ofensivë tradicionale, (siç ndodh gjatë fushatave) për të përfituar nga rrëmuja e zgjedhjeve të përgjithshme. E njëjta gjë po ndodh me mungesën e policisë rrugore e cila është e ngarkuar me shoqërimin dhe kujdesin për t’u hapur rrugën liderëve të politikës duke u kthyer në bodigardë të Ramës apo Berishës. Dhe në këtë mënyrë numri i aksidenteve është trefishuar, ndërsa numri i viktimave gjithashtu numërohet se është tepër i lartë. Madje, aq e vërtetë është kjo, saqë edhe ata policë të pakët që shihen nëpër rrugë, tani u janë vërsulur shoferëve, duke i kërkuar gati në mënyrë të dhunshme para nën dorë. Kjo ndodh nën kërcënimin se ndryshe, do t’i vënë gjoba të rënda për gjoja  shkeljet e rregulloreve. Ngjarjet tragjike të këtij muaji, flasin jo vetëm për shtimin e aksidenteve në rrugë, por edhe për mungesën e plotë të kontrolleve rrugorë, të cilët janë të shqetësuar për fatin e zgjedhjeve të 23 Qershorit. Sepse, duke qenë që këtu të gjithë policët e punësuar merren sipas preferencave partiake, kjo bën që në rast rotacioni, këta policë ta shohin veten jashtë vendit të punës, duke u zëvendësuar me partiakë të tjerë. Për këtë arsye, fushata elektorale, konsiderohet si periudha më e vështirë e një sistemi të pakonsoliduar kapitalist, ku 20 -ditëshi i fundit para zgjedhjeve konsiderohet si “pika e rrezikut”, ose e “vdekjes” së funksionimit të pushtetit. Tani e gjithë administrata, apo policia  është e ngarkuar me problemet e fushatës elektorale dhe njerëzit kanë vendosur të ruajnë vetë shtëpitë e tyre, Këtu nuk është fjala për të hapur panik, por për të ndihmuar sa të mundemi në kujdesin që duhet treguar ndaj ofensivës së hajdutëve kundrejt provës private.

DOLLAPI VJEDH DITËN E PUNËS SË SHQIPTARËVE

Sahit Dollapi ka gjetur një mënyrë tjetër për të vjedhur konsumatorin shqiptar. Në të vërtetë është dita e punës së konsumatorëve, e cila rrezikon një herë në muaj, të mos paguhet nga punëdhënësi. Mjafton të shkosh në pikat e “Kujdesit ndaj Klientit”, atje ku bëhet pagesa e energjisë, për të parë radhën që të kujton kohën e radhave të qumështit. Konsumatorit, për të paguar faturat, i duhet të presë me orë në radhë, kjo për shkak të “sistemit të ngadaltë” siç shprehen punonjësit e CEZ. Madje nuk do të gabonim po të thonim që Dollapi, në një mënyrë apo tjetër, është dhe vrastar i moshës së tretë. Nëse nuk rrezikon ditën e punës, atëherë do të rrezikohet shëndeti i moshës së tretë, i prindërve, të cilët për të ndihmuar fëmijët që të mos shkëputen nga puna, shkojnë vetë për të paguar faturat. Por në këtë kohë të nxehtë, ata përballen me shumë probleme shëndetësore, qofshin këto të moshës apo të lodhjes nga ndejtja për një kohë të gjatë në këmbë pa harruar këtu dhe problemet që u shkaktojnë temperaturat e larta. Konsumatorit i duhet të përballet me një kompani problematike, aspak serioze dhe me një shërbim për të ardhur keq. Një herë s’kanë energji, një herë u vijnë faturat e larta, një herë nuk u vijnë faturat fare, por të rikthesh radhat e dikurshme dhe njëkohësisht të vjedhësh kohën (ditën e punës së konsumatorit) apo të rrezikosh jetën e moshës së tretë, kjo është e tepërt. Kjo ndodh edhe për shkak se qytetarëve nuk u vjen fatura në shtëpi, që është dhe një nga detyrimet për sa i përket CEZ-it dhe kjo ndodh për faj të administruesve të energjisë elektrike. Konsumatorët shprehen për “Telegraf” të irrituar për shërbimin që u ofrohet nga kompania. Ashtu siç bëhet e ditur, shërbimi E-Bill i CEZ-it, nga ku qytetarët mund të shikojnë sa lekë kanë për të paguar, nuk funksionon prej shumë kohësh. Madje qytetarët aludojnë që kjo mund të jetë edhe një strategji e ndjekur nga administratorët e CEZ-it, që qytetarët të mos keni mundësi transparence, informimi për të paguar faturat dhe CEZ-i të përfitojë mbifaturimet dhe me kamatëvonesat, që u rëndon shqiptarëve.  Për këtë shkak, situata ka qenë po e njëjtë në zyrat ku bëhet pagesa e energjisë, “s’ka faturë, të presim të rregullohet sistemi”. “Sistemi i ngadaltë” sjell probleme me radhat, me kohën e konsumatorëve, me paratë, me shëndetin e tyre, për të mos harruar pastaj, se vonesat në pagesa sjellin dhe kamata, gjë që i intereson shumë Dollapit. Konsumatorët as nuk i dëgjon njeri, as dinë se ku të kërkojnë zgjidhje, për ankesat e tyre. Ja disa prej ankesave të konsumatorëve, të cilët u ndodhën në një nga pikat e “Kujdesit ndaj klientit” që ndodhet përballë Postës Shqiptare.