Thirrja e Lulzim Bashës: Rinia të mos largohet nga Shqipëria, bashkë kundër Ramës në protestë

613
Thirrja e Bashës: Mos e lini Shqipërinë, bashkë kundër Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike flet për aksionin e ardhshëm opozitar dhe opsionet që po diskutohen 
Kam përshtypjen se të nesërmen e seancës së 18 dhjetorit, ambasadori amerikan ka sjellë një mesazh të fortë tek ju, që kjo ndoshta nuk është rruga e duhur. Pra cila do të jetë kjo rruga e re, pasi dhe rruga e dhunës, mendoj se nuk është rruga e duhur për sa i përket dhe imazhit që përcillet tek njerëzit dhe gjendjen e ankthit që reflekton tek ta?
“Gjendja dramatike e vendit është që qeverisja është kapur në flagrancë me krimin dhe megjithatë ka arritur jo të bjerë, por të rritet me vota, sepse ka kapur institucionin e zgjedhjeve dhe tani edhe reformën në drejtësi. Tymueset nuk janë gjë tjetër veçse alarm, alarmi që opozita ka për detyrë t’i japë çdo qytetari shqiptar për ta vetëdijesuar se vendi po kalon nga një situatë anormaliteti në një krizë totale anormaliteti. Është po kështu alarmi për miqtë tanë ndërkombëtarë, për të mos mbyllur sytë, sikurse për fat të keq u mbyllën sytë për drogën dhe sot na thonë” ju keni të drejtë”. Por po të na e kishin thënë këtë dy vite më parë, tre vite më parë, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje. Me gjasa nuk do ta kishte kaq të vështirë për të hapur negociatat me BE”.

A është opsion djegia e mandateve?
“Djegia e mandateve është reagim. Pra është reagim, nuk është zgjidhje. Zgjidhja është të rikthejmë demokracinë, të rikthejmë shtetin ligjor. Së pari është duke detyruar vjedhësin e sendit të vjedhur të kthejë sendin e vjedhur. Me 25 qershor është vjedhur një mandat qeveritar që nuk i takon Edi Ramës. Hapi i parë është kthimi i sendit të vjedhur, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes një qeverie antimafia e cila nuk përbën pengesë, apo kërcënim për reformën në drejtësi, por që zbaton atë reformë në drejtësi, siç ka kaluar me konsensus të plotë, me 140 vota në Parlamentin shqiptar, dhe që është e përkushtuar për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin qeverinë e tyre të lirë dhe bazuar mbi praktika demokratike, jo me tepsi, kazan e timon, por mbi oferta politike. Ne jemi të qartë vizionin tonë. Se sa kohë do të marrë, ne e kemi provuar që duhet të kemi durimin, forcën dhe këmbënguljen. Jam i sigurt se po të bashkohen të gjithë shqiptarët e ndershëm, koha për një ndryshim pozitiv, nuk do të jetë e largët. Një gjë është e sigurt, kjo situatë është e paqëndrueshme”.

Ju keni deklaruar që reforma në drejtësi ka vdekur. Mos vallë duhet të kishit thënë që ne nuk duhet ta lëmë?
“Unë nuk e kam deklaruar. 2 shpresa ka Shqipëria sot për daljen nga kjo krizë. Rikthimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një reformë në drejtësi, e cila të zbatohet ashtu siç është miratuar. Këto janë dy betejat dhe aleatët më të fortë dhe të rëndësishme të opozitës”. 

Jeni gati, nëse Edi Rama thotë, nesër zgjedhje. Jeni gati të futeni në zgjedhje si opozitë?
“Zgjedhje të lira dhe të ndershme, jo zgjedhje me bandat e me Dakot, e me Sejdinët, e me Tahirët e Rroshët. Zgjedhje të lira dhe të ndershme. I gjithë investimi i Ramës është, të shkatërrojë institucionin e zgjedhjeve, që është institucioni i llogarisë, kur shkon e jep llogari para qytetarëve”. 

Si i përgjigjeni akuzave apo kritikave të skepticizmit ndaj jush personalisht, si kryetar i opozitës dhe Partisë Demokratike, se në fakt po aq sa Edi Rama, keni edhe ju frikë nga ngritja e SPAK dhe fillimi i hetimeve të lidhjes së politikës me afera të tjera?
“Kur nuk ia del dot me gënjeshtra dhe mashtrime të tjera, i vetmi truk i Edi Ramës është, të na barazojë. Thotë, jemi ne, por janë edhe ata. Çështjet që përmende, janë të gjitha një furtunë në gotë uji, të ngitura me një qëllim, pikërisht që të zhvendosin diskutimin dhe debatin publik dhe politik nga Sajmir Tahiri, sepse është një dimension që ngërthen gjithë establishmentin politik të PS-së dhe vetë Edi Ramën dhe skandalet e tjera që po plasin dhe do të plasin në mënyrë të pashmangshme. Sepse ju po i plasni, mediat po i plasin”.

Aksioni opozitar në Janar si ajo e 18 dhjetorit do të jetë apo do të ketë një tjetër aksion të themi më thelbësor të opozitës?
“Protesta është protestë dhe në momentin që flasim është një nga rrugët e pakta që i ka mbetur njerëzve për të ndikuar sjelljen e aktorëve politikë. Kur një qeveri, kur një kryeministër nuk do t’ia dijë për ligjin, zgjedhjet, Kushtetutën, opsionet e një shoqërie të qytetëruar mbeten pak. Dhe një nga këto opsione të fuqishme që gjithmonë ka treguar se kur mobilizohet sjell ndryshim, është opsioni i protestave popullore. E kemi provuar edhe më parë se sa herë jemi bashkuar rreth qëllimeve të mira, i kemi arritur edhe kur na dukeshin utopi. E kemi provuar para 27 vitesh, kur rrëzuam diktaturën komuniste, do të vinin zgjedhjet pluraliste. E kemi provuar në vitin 2005-2006, kur nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim-Aasociim-it, e kemi provuar në 2008, kur morëm ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, e kemi provuar, më 2010, kur shqiptarët lëvizin me pasaportë në xhep në vendet e “Shengen”, por kjo lëvizje po kërcënohet sepse shumë prej shqiptarëve po i kthejnë në kufi dhe tani po kujton se çfarë të drejte të madhe kanë arritur. Kjo është thirrja ime në këtë fundvit, ndaj çdo shqiptari dhe shqiptare. Mos t’i mbajë sytë nga aeroporti apo trageti, por nga njëri-tjetri. Të bashkohemi në një aleancë vlerash dhe si çdo shoqëri tjetër evropiane”.

Marrë me shkurtime nga “Top Channel”
Sigal