“Thika në palcë”, Basha mesazh ambasadorëve nga sheshi i protestës

513
Kreu i PD-së, Lulzim Basha nga foltorja e ngritur para zyrës së kryeministrit Rama ka lëshuar një mesazh edhe për ambasadorët e huaj, duke u shprehur se Shqipëria sot vetëm demokraci europiane nuk mund të quhet.
Sipas tij, shqiptarëve iu ka arritur thika në palcë nga kjo qeveri dhe opozita e tij s’mund ta pranojë më një situatë të tillë.
“Thika iu ka arritur shqiptarëve në palcë, iu them të huajve se kjo nuk është Shqipëria europiane. Kjo është diktaturë europiane. Ne e refuzojmë, nuk e duam e nuk e duam shqipërinë me standardet e Afrikës e Azisë. Unë jam kryetari i një partie që ka lindur me thirrjen ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”,- tha Basha.
Kryedemokrati shtoi se: “Në Shqipëri po zbatohet një projekt antikombëtar, aniteuropian, antidemokratik, për pushtetin absolut të një njeriu të vetëm mbi të gjithë Shqipërinë. Për pushtetin e tij, ky njeri ka bërë ortakëri me krimin, me oligarkinë dhe mercenarët e pangopur.Shqipëria e Edi Ramës i ngjan shteteve të falimentuara të Afrikës dhe Azisë. Vetëm në një vend si Guinea ndodh që familja e të parit të vendit të drejtojë trafikun e drogës dhe larjen e parave. Vetëm në një vend si Nikaragua ndodh që kreu i qeverisë të financojnë fushatën e tij elektorale me milionat e drogës. Vetëm në diktaturat e Afrikës ndodh që ministri i Brendshëm të jetë edhe i pari i trafikut të drogës. Vetëm në Venezuelë ndodh që shefi i mbrojtjes të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i baronëve të drogës. Vetëm në Afganistan ndodh që vëllai i kreut të ekzekutivit të jetë edhe trafikanti më i madh i drogës”,- shprehet Basha.
Sigal