Thesari i Shtetit Amerikan/ SHBA, fut në listën e zezë edhe oligarkun rus, i cili ka depërtuar brenda sistemit bankar shqiptar

110

Ka një tendencë në rritje të futjes së parave ruse në ekonominë shqiptare. Përveç sektorit të karburanteve, atij energjetik dhe në pasuritë e patundshme, financat ruse duket se së fundmi nën qeverinë “Rama” kanë mundur që të depërtojnë fuqishëm, edhe në sektorin bankar. Në një raport që ka publikuar ditët e fundit CNN, referuar Thesarit të Shtetit, bëhet fjalë për dekonspirimin e të ashtuquajturës, “Lista Putin”, e cila përmban emrat e oligarkëve dhe politikanëve që janë në shërbim direkt të presidentit rus. Mes tyre, i renditur në venin 77, bie në sy edhe miliarderi Megdet Rahimkulov.

Oligarku i Putinit dhe Shqipëria

Në verën e vitit 2018 “Societe Generale Albania, shitet te hungarezët e OTP”, njofton se është gati ndryshimi i pronësisë për bankën e pestë më të madhe në sistemin bankar shqiptar. Francezët e SG përzgjodhën si blerës me ofertën më të madhe, OTP Bank Group, me zyra qendrore në Hungari. Një nga pronarët kryesorë të këtij grupi është oligarku rus, Megdet Rahimkulov, i cili është konsideruar mes 6 grupeve financiare më të fuqishëm në Rusinë e Vladimir Putin. Rahimkulov me origjinë tatare ka lindur në Rusi dhe konsiderohet njëkohësisht si njeriu më i pasur edhe në Hungari, ku ka selinë qendrore OPT Bank. Ai ka qenë drejtues ekzekutiv i Gazprom i caktuar direkt nga Putin dhe gjithashtu ish-drejtues i Panrusgaz dhe Bankës Përgjithshëm Értékforgalmi, në të cilat mendohet se ka aksione të mëdha, edhe vetë Vladimir Putin.

Lista “Putin”

Më datë 30 Dhjetor të vitit të kaluar CNN publikoi të ashtuquajturën “Lista e Putinit” , e cila përmban emrat e 210 rusëve të shquar me lidhje të ngushta me Kremlinin dhe personalisht presidentin Vladimir Putin. Kjo listë është nxjerrë nga Departamenti i Thesarit i SHBA. SHBA e ka publikuar këtë listë me 96 emra oligarkësh dhe 114 figurave politike ruse, si pjesë e luftës kundër planeve të Putin për të ndërhyrë nëpër demokracitë në botë. Në listën e këtyre oligarkëve të Putinit është edhe miliarderi Megdet Rahimkulov, i cili tashmë bëhet pjesë e sistemit bankaro-financiar në Shqipëri.