Thaçi-Veseli-Haradinaj: Nuk dimë gjë për deportimin

602
Operacioni për arrestimin dhe ekstradimin e 6 turqve në Kosovë, të akuzuar për lidhje me klerikun Gylen, ka shkaktuar paqartësi për shkak të informacioneve të pakta. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është informuar nga organet kompetente “pas ngjarjes se gjashtë shtetas janë deportuar në Turqi me arsyetimin se nuk kanë pasur leje qëndrimi. Ne tani duhet të sqarojmë arsyet që kanë çuar deri në deportimin e këtyre shtetasve turq për në Turqi”. Më tej ai thekson se “Kosova do të mbrojë me çdo kusht vlerat e saj kushtetuese, të cilat mbi gjithçka tjetër, i sigurojnë çdo individi që të shprehë pa frikë identitetin, besimin, kulturën, ideologjinë, mendimin dhe fjalën e lirë”. “Askush nuk guxon të persekutohet, censurohet apo edhe deportohet për shkak se ka një besim apo ideologji ndryshe nga dikush tjetër”, tha Thaçi. Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, tha nëpërmjet një komunikate se nuk kishte dijeni për operacionin. “Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion, deri te urgjenca e deportimit. Si kryeministër i Kosovës, duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Haradinaj. Ai tha se ka kërkuar raportim për operacionin nga drejtori i Agjencisë së Zbulimit, drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Drejtësisë. Edhe kreu i Parlamentit, Kadri Veseli, tha se arrestimi nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit, as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë. “Ndërmarrja e veprimeve të tilla pa respektim të procedurave përkatëse dhe në mungesë transparence lë hapësirë të theksuar për mëdyshje për veprimet arbitrare të autoriteteve në fjalë”, tha Veseli, duke nënvizuar se arrestimi i shtetasve të huaj në flagrancë për dyshime të pabazuara, nuk korrespondon me vlerat evropiane që duhet t’i përfaqësojë Kosova.
Sigal