Thaçi i shqetësuar për fushatën “propagandistike” të Serbisë

493
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ftuar Serbinë që të largohet nga deklaratat që ndikojnë në dëm të uljes së tensioneve në Kosovë. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, Thaçi ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin për fushatën propagandistike të Serbisë, që për qëllim ka ndjelljen e frikës dhe urrejtjes ndëretnike në veri të Kosovës.
“Jam i zhgënjyer dhe i shqetësuar me fushatën propagandistike në stilin e vjetër të Serbisë. Kjo propagandë e orkestruar nga Serbia synon frikësimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit dhe pengimin e procesit të integrimit të plotë të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës”-shprehet Thaçi. Sipas presidentit të Kosovës “përgjatë gjithë historisë së deritashme, shteti i Serbisë e ka manipuluar dhe viktimizuar për qëllime të veta politike komunitetin serb që jeton në Kosovë. Pasojat e një qasje të tillë destruktive janë evidente edhe sot”. Duke u nisur nga kjo situatë Thaç fton përsëri Serbinë që të heq dorë nga praktikat e tilla të cilat nuk i shërbejnë në asnjë formë procesit të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka siguruar komunitetin serb që jeton në Kosovë se asnjë e keqe kurrë nuk do t’iu ndodhë atyre nga ana e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë demokratike dhe mbrojnë jetën e të gjithë qytetarëve kudo që janë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Në fund presidenti i Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja që t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë që të përmbahet nga skenari për të nxitur një konflikt të ri në Kosovë dhe rajon.
“Kosova dhe i gjithë rajoni ynë kanë nevojë vetëm për rritje të bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe përshpejtimit të procesit të integrimit në BE dhe NATO, si kusht kryesor për paqen dhe sigurinë afatgjate”-deklaron Thaçi.
Sigal