Testohen sportelet në Rrugën e Kombit, brenda 15 prillit nis pagesa

390
Për çdo udhëtim vajtje-ardhje me autoveturë do të paguhet 10 euro, ndërsa për autobusët e kamionët tarifa do të jetë më e lartë
Brenda pak ditësh Rruga e Kombit do të ketë dy ndalesa shtesë. Ato do të jenë pikat e pagesës për të shfrytëzuar autostradën e ndërtuar me synimin e shtimit të lidhjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Dje nisi testimi për pagesën që do të ketë për të gjithë ata që do të udhëtojnë në Rrugën e Kombit. Katër sportele, dy në hyrje dhe dy në dalje janë gati në Tunelin e Thirrës për autoveturat, për të cilat pagesa do të jetë 5 euro në vajtje dhe 5 euro në dalje. Ndërkohë dy sportele do të jenë për kamionët dhe autobusët, me tarifa më të larta. Testimi për vjeljen e tarifës u zhvillua me automjetet e personelit. Tarifat e miratuara fillojnë nga 2.5 euro për motorët, 5 euro për veturat, 11, 2 euro për autobusët dhe kamionçinat e deri në 22.5 euro për kamionët e rëndë. Koncesionari thotë, se synon të sigurojë mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor, por qytetarët shqiptarë dhe ata të Kosovës thonë se tarifa është shumë e lartë. Vendimi për taksimin e Rrugës së Kombit ka hasur në kundërshti sidomos nga ana e banorëve dhe bizneseve të Kukësit, të cilët e përdorin më shpesh këtë aks. “Është taksë e paligjshme, pasi detyrohen të gjithë shqiptarët, veçanërisht komuniteti kuksian, dy herë për të njëjtin shërbim. Teknikisht është e zgjidhshme: Komuniteti të mos paguajë taksë, derisa të ketë një rrugë alternative”, u shpreh Sokol Kolgjini, kryetar i Shoqatës “Biznesi për Biznesin” Kompania që do të vjelë taksën thotë se do të ketë lehtësira për banorët e zonës dhe mjetet që udhëtojnë më shpesh në këtë rrugë. 

Reagimet
Reagime kanë ardhur edhe nga qeveria e Kosovës. Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka treguar se kur mund të nis kjo procedurë për pjesën e Kosovës. Sipas Lekajt, çmimi i tarifës në Rrugën e Kombit do të caktohet gjithnjë duke u bazuar në kushtet ekonomike të qytetarëve të Kosovës. “Nuk jam në dijeni se do të ketë njëherë, mirëpo në të ardhmen gjithsesi ne do të kryejmë një fizibilitet dhe do të kujdesemi në bazë të kushteve ekonomike dhe xhepit të qytetarëve që mos t’i dëmtojmë shumë, por mund të fillojmë me një çmim simbolik. Unë mendoj që sa i përket Rrugës së Kombit, pra autostradës, ata i kanë politikat e veta dhe çmimi nuk do të jetë aq i lartë, sepse e frekuentojnë shumë qytetarët tanë”, ka thënë Lekaj. Më tej, ai ka theksuar se do të bisedojë me homologun e tij në Shqipëri dhe të shikojë mundësinë se si është vendosur për qytetarët e Kosovës. Numri i personave që kanë hyrë në Shqipëri gjatë janarit dhe shkurtit 2018 është 140.687, pra me një rritje prej 16.7% duke u krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë në Tiranë reagoi edhe kreu i PD, Lulzim Basha. Kreu i opozitës tha se kjo tarifë, së bashku me taksën e qarkullimit, është një grabitje e dyfishtë ndaj shqiptarëve që i jep një goditje të rëndë lidhjes së Shqipërisë dhe Kosovës. Basha premton ta shfuqizojë taksën e qarkullimit në ditën e parë të PD në pushtet, ndërsa do të hetohet kontrata e koncesionit.

Tarifat
Klasa 1 -motor – 2.5 euro
Klasa 2 -veturë – 5 euro
Klasa 3 -autobus & kamioncinë – 11.2 euro
Klasa 4 -kamion i mesëm – 16.2 euro
Klasa 5 -kamion i rëndë – 22.5 euro
Përjashtimet nga tarifa
Në kontratën e koncesionit parashikohet që të përjashtohen nga pagesa e tarifës vetëm katër lloje automjetesh të shërbimeve të ndryshme: Policia Rrugore (jo mjetet e tjera të Policisë së Shtetit), autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë. Këtu nuk parashikohet se si do të kryhet ulja e premtuar për tarifimin e banorëve të zonave që e përdorin më shumë rrugën, por duket se kjo mbetet për t’u vendosur me vendime të tjera qeverie apo udhëzime ministrore. Ndërkohë, koncesionari, që parashikohet të përfitojë minimalisht 8 milionë euro vitin e parë të koncesionit, deri në 14.3 milionë euro në vitin e 30-të, ka marrë përsipër të kryejë edhe disa punime, të lëna përgjysmë në këtë rrugë: ndërtimin e një ure të dytë për makinat dhe një për këmbësorë në Kukës, ndërtimin e gjashtë mbikalimeve dhe një rrethrrotullimi, si dhe ndërhyrje për mirëmbajtje në faqet e maleve, tunel, etj. Por nuk ka asnjë angazhim për të dyfishuar segmentin nga Miloti në Rrëshen, çka do ta kompletonte Rrugën e Kombit me katër korsi në pjesën e saj më të madhe. Ndoshta kjo pritet të bëhet me fonde shtetërore ose me një koncesion tjetër.
Sigal