Terrori shtetëror në Shkozë, nis hetimi administrativ nga Avokati i Popullit

567
Institucioni i Avokatit të Popullit bën me dije se ka nisur qysh ditën e djeshme hetimin administrativ në lidhje me procedimin nga ana e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) për prishjen e disa ndërtimeve private, në zbatim të një projekti infrastrukturor në Shkozë të Tiranës. Përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë ndjekur ditën e djeshme në terren procedurat që po kryhen nga IKMT dhe Policia e Shtetit në zonën e Shkozës. Gjithashtu nga ana e përfaqësuesve të institucionit tonë është marrë kontakt me qytetarët e prekur nga projekti i mësipërm. Sipas tyre IKMT ka njoftuar para disa ditësh për prishjen e banesave të ndërtuara pas vitit 1991, për të cilat ata kishin kryer vetëdeklarim. ALUIZN-i Tiranë sipas tyre, vetëm para pak ditësh i kishte njoftuar se ndërtimi i tyre nuk do të trajtohej me leje legalizimi. Sipas këtyre personave, janë rreth 150 familje që preken nga prishja e ndërtimeve si rrjedhim i zbatimit të këtij projekti.

Në vijim të informacioneve të mësipërme, nga ana e eksperteve tanë janë hartuar shkresat përkatëse për IKMT-në, ALUIZN-in dhe ARRSH, për të na vënë në dispozicion gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me procedurat që po kryhen në kuadër të këtij projekti me impakt kaq domethënës për qytetarët. Një çështje tjetër që po ndiqet paralelisht nga një grup i dytë ekspertësh të Institucionit tonë është edhe çështja e shoqërimeve që Policia e Shtetit u ka bërë qytetarëve që nuk ishin dakord me kryerjen e veprimeve nga ana e IKMT-së.
Sigal