Terrori policor në Bregun e Lumit, gaz helmues edhe mbi fëmijët

443
Sigal

Terror policor dhe shtetëror ndaj banorëve të Bregut të Lumit

Policia e Shtetit, së bashki me Policinë Bashkiake kanë ushtruar dhunë, terror ndaj banorëve të Bregut të Lumit, për t’i detyruar ata që të braktisin shtëpitë, të cilat duhet të shemben, për t’u zgjeruar Bulevardi i Ri i Tiranës. Banorët deri tani kërkojnë të dëmshpërblehen, sikundër është bërë edhe me banorët e tjerë. Mirëpo policia ka ndërhyrë në orët e para në mëngjesit, ka përdorur edhe gaz lotsjellës kundër banorëve dhe fëmijëve, për t’i detyruar ata të braktisin shtëpitë. Dje, ka pasur edhe përleshje të banorëve me forcat e rendit, madje u raportuan se 4 banorë u plagosën dhe u çuan në spital, ndërsa Policia e Shtetit njoftoi për 3 punonjës të saj të plagosur. Bashkia e Tiranës dhe qeveria po përdorin dhunë, gazin lotsjellës kundër banorëve, në vend që të zbatojnë ligjin njësoj, sikundër është vepruar edhe në rastet e mëparshme. Është e pajustifikuar, që policia e Shtetit të dhunojë banesat pa zbardhur dita, është e ndaluar me ligj, që policia të përdorë gazin lotsjellës kundër fëmijëve, të cilët mbrojnë banesat e tyre. Arroganca shtetërore kundër banorëve të Bregut të Lumit dëshmon se qeveria nuk kërkon të gjejë mënyra më bindëse me banorët, nuk kërkon që ligjin ta zbatojë për të gjithë njësoj.

Ish-deputeti i PD-së: Akt barbar i pushtetit kundër banorëve

Ish-deputetët e opozitës u gjendën pranë banorëve të Bregut të Lumit, të cilët u përballën me dhunën e policisë. Përfaqësuesi i PD, Klevis Balliu shkoi në Komisariatin nr.4, ku, sipas informacioneve të banorëve, mbahen të ndaluara 5 vajza adoleshente, disa gra dhe një fëmijë 5 vjeçar, banorë të Bregut të Lumit, të nxjerrë me dhunë nga shtëpitë. Balliu dënoi dhunën e ushtruar nga policia ndaj banorëve dhe refuzimin e policisë për të dhënë informacion për gratë, vajzat dhe fëmijët e ndaluar. Ai ishte edhe në Spitalin e Traumës, ku kanë shkuar të plagosur nga dhuna e policisë gra dhe të moshuar, që kanë mbrojtur shtëpitë e tyre. Balliu thekson se “kjo që po ndodh tani s’bëhet nga njerëz normalë. Sepse këtë nuk mund ta quash njeri, nuk ka ndjenjën më bazë të njeriut, që është ajo e dhembshurisë ndaj vuajtjeve të këtyre qytetarëve që kanë 28 vite që paguajnë taksa në atë zonë. Edhe njëherë dua të denoncoj këtë akt makabër dhe barbar të pushtuesit Edi Rama”.

Brahimllari: Policia po ushtron dhunë mbi banorët, u nxorën jashtë nga banesa me gaz lotsjellës

Këshilltari i Këshillit Bashkiak të Tiranës Endrit Brahimllari denoncoi terrorin, sipas tij, që policia po ushtron mbi banorët e Bregut të Lumit. Endrit Brahimllari: “Është ushtruar terror dhe presion policor.  Kanë hedhur gaz lotsjellës brenda në banesa ku ka pasur fëmijë të vegjël, gra dhe të moshuar që janë në spitalin ushtarak me probleme serioze si pasojë e dhunës së policisë dhe gazit lotsjellës, që policia e Edi Ramës hodhi mbi banorët. Banorët kërkojnë të dëmshpërblehen. Sandër Lleshaj t’i bëjë llogaritë mirë, sepse nuk mundet me skema tipike ushtarake të dhunojë banorët e këtij vendi.  Çfarë bën Prokurorja e Përgjithshme në zyrë? Thjesht, është noterja e Edi Ramës?”