Territorialja, Meta:Opozitës i ofruam çdo mundësi, tani afati deri të enjten

46

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta i ka bërë apel edhe një herë opozitës që ditën e enjte të marrë pjesë në diskutimet në Komisionin e posaçëm për reformën Administrativo-Territoriale

Pyetjet e gazetarëve

 Ditët e fundit ka nisur një debat i madh me opozitës dhe mazhorancës, ku janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura për të ashtuquajturin trafik droge përmes atyre që konsiderohen avionë të vegjël. Si do t’i cilësonit këto deklarime të opozitës dhe faktin që ka nisur tashmë në hetim nga Prokuroria e Përgjithshme. A njolloset kështu Forcat e Armatosura dhe përgjithësisht shteti shqiptar?

Mbështes hetimin e nisur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe deklaratat e Prokurorit të Përgjithshëm, që cilido që disponon informacione duhet t’i vërë në dispozicion të hetimit. Ndaj edhe kam apeluar dhe në seancën e fundit plenare, për një çështje të tillë që ka të bëjë jo vetëm me imazhin e Forcave të Armatosura, por edhe me imazhin e një vendi anëtar të NATO-s. Duhet një sjellje më e përmbajtur, më e përgjegjshme më institucionale dhe njëkohësisht dhe më ligjore.

Z. Meta do të hetohet për avionë që trafikojnë drogë apo për avionë kundër mushkonjave nga Parlamenti?

Mendoj se duhet të jemi më serioz, sepse batuta më e fundit që dëgjova sot në mëngjes ishte midis dy personave që flisnin dhe njëri i thoshte tjetrit ku je, ndërsa ai i thoshte jam te zogu i zi. Dhe i pari i thotë merr një avion dhe hajde për dy minuta te Sheratoni. Kështu që mendoj se duhet të jemi më të përgjegjshëm në këtë çështje. Të mbështesim Prokurorinë, të mbështesim çdo iniciativë që e çon hetimin përpara në rrugë institucionale.

Atëherë mazhoranca do të hetojë në Parlament paralelisht me hetimin e Prokurorisë?

Këto janë iniciativa për të cilat vendos Konferenca e Kryetarëve dhe vendos seanca plenare. Nuk vendos Kryetari i Kuvendit.

Megjithatë, cili është qëndrimi juaj me aq informacion sa mund të keni? Forcat e Armatosura janë apo nuk janë të përfshira apo ka dyshime se mund të jenë implikuar në trafik droge?

Mendoj se është momenti për të mbështetur hetimin e Prokurorisë dhe çdo rrugë institucionale të zbardhjes së kësaj çështjeje. Kjo është rruga më e mirë që nderon çdo politikan dhe në mënyrë të veçantë ata të cilët pretendojnë se janë të shqetësuar për këtë trafik në mënyrë të veçantë.

A janë mbyllur të gjitha rrugët e kompromisit lidhur me reformën administrative-territoriale?

Nuk janë mbyllur sepse nesër është Konferenca e Kryetarëve ku do të diskutohet dhe vendoset lidhur me iniciativën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të zhbllokuar funksionimin e këtij komisioni. Natyrisht që kjo është një çështje që në fund fare do të vendoset në seancën plenare të ditës së enjte. Shpresojmë që të ketë reflektim nga ana e opozitës, e cila i ka të gjitha mundësitë për të dhënë konsensusin dhe për ta kërkuar atë nga mazhoranca, por natyrisht që askush nuk duhet të abuzojë me konsensusin dhe të ngatërrojë konsensusin me veton.

Z. Meta, opozita për këtë çështje ka paralajmëruar destabilitet nëse i mazhoranca vendos t’i shkojë e vetme deri në fund këtij komisionit dhe kësaj reforme të nisur. Këto deklarime të opozita a ju bëjnë që të tërhiqeni nga vendimi për ta përmbyllur brenda këtij sesioni reformën administrative-territoriale derisa opozita t’i kthehet konsensusit dhe ju gjithashtu bashkë me të?

Mazhoranca ka treguar një durim të hekurt për të përfshirë opozitën në mënyrë maksimaliste në këtë proces. Pra, përmes ndërtimit të një komisioni për reformën në Parlament me pjesëmarrje të barabartë midis mazhorancës dhe opozitës dhe me dy bashkëkryetarë, një nga mazhoranca dhe një nga opozita. Ndërkohë që kryetari i PD-së ka refuzuar edhe ftesën zyrtare për takim të bërë nga Kryeministri z. Edi Rama dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste me qëllim krijimin e një mirëbesimi për të ecur drejt realizimit të kësaj reforme. Është e drejtë e opozitës që në vend të konsensusit të kërkojë veton, kjo është një e drejtë e saj pavarësisht se të gjithë janë të lirë të çmojnë nëse kjo është një kërkesë demokratike apo është një kërkesë tiranike.

Sipas z. Basha ju po bëni thjesht një hartë elektorale?

Së dyti, përrallat se pas reformës administrative-territoriale fshihen qëllime elektorale nuk mund t’i besojë askush. Sepse ne e kemi bërë të qartë se nuk synojmë të bëjmë asnjë hap aq më tepër pa konsensusin e opozitës lidhur me sistemin zgjedhor apo me kodin zgjedhor pa arritur një konsensus. Pra, kjo ka të bëjë thjesht me reformën administrative-territoriale dhe nuk ka të bëjë thjesht me reduktimin e numrit të bashkive dhe komunave, por ka të bëjë me zgjidhjen një herë e mirë të disa probleme madhore, që nuk mund të zgjidhen me këtë fragmentarizim të jashtëzakonshëm të vendit. Probleme që kanë të bëjnë me menaxhimi dhe administrimi i ujërave e sidomos të ujësjellësve, ku dihet që situata e deritanishme ka degraduar, sepse askush nuk mban përgjegjësi. Që ka të bëjë me administrimin e mbetjeve dhe me shumë procese të tjera të cilat janë jetike për një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve. Sa i takon pastaj bojkotit mendoj se kjo nuk është aspak serioze dhe nuk është kjo rruga dhe alternativa që duhet të paraqesë një opozitë në Shqipëri në vitin 2014.

Natyrisht që nuk është diçka e re aq më tepër kur vjen nga përfaqësues të Partisë Demokratike të cilët janë shndërruar sot edhe në përkrahësit më të flaktë të Kushtetutës, por të mos harrojmë se në fund të fundit edhe në kohën kur qytetarët shqiptarë morën pjesë përmes një referendumi për realizimin dhe miratimin e Kushtetutës, Partia Demokratike e bojkotoi këtë proces, bëri thirrje për të mos marrë pjesë dhe deklaroi se nuk do ta njihte Kushtetutën. Por ja që demokracia funksionon në këtë mënyrë që sot PD-ja është mbrojtësja më e flaktë e Kushtetutës, që e ka bojkotuar dhe që nuk e ka votuar.

Ndaj nuk është koha për të përsëritur një sjellje jo të panjohur për PD-në në të kaluarën, por edhe për politikën tonë në tërësi. Është koha për t’u sjellë me përgjegjshmëri, për të shfrytëzuar hapësirat maksimale që i janë dhënë PD-së dhe opozitës për të kërkuar dhe për të dhënë konsensus për një reformë e cila do të zhvillohet në sytë e të gjithë shqiptarëve. Pra, do të jetë një reformë e hapur dhe unë shpresoj që ata të bashkohen deri në ditën e enjte në realizimin e kësaj reforme, por edhe në rast se kjo gjë nuk ndodh deri ditën e enjte ata janë përsëri të mirëpritur edhe më pas kur të zhbllokohet puna e komisionit, sepse komisioni do të punojë, komisioni do të thërrasë ekspertët vendas, do të thërrasë ekspertët ndërkombëtarë, që janë angazhuar, do të thërrasë të gjithë grupet e interesit, do të bëjë një punë mjaft transparente, e cila do të sjellë edhe finalizimin e draftit më të mirë përmes kritereve publike dhe të hapura.