Territori, Bledi Çuçi: Vlora dhe Saranda janë pole zhvillimi, të tjerët pak shanse

46

Reforma territoriale ka dërguar dje në Vlorë, ministrin Bledi Çuçi, për të zhvilluar konsultimin publik të programuar me aktorët e interesuar. Çuçi deklaroi se, Bashkia e Vlorës dhe ajo e Sarandës janë dy polet kryesore të zhvillimit të zonës, por pjesa tjetër e njësive vendore në këtë qark janë në nivele shumë më të ulëta dhe nuk kanë asnjë oportunitet apo  funksionalitet ekonomik a zhvillimor. Ai tha se, pjesa më e madhe e shpenzimeve në të gjitha njësitë vendore shkon për shpenzime operative, mesatarisht 64% gjatë viteve 2008-2012. Kjo situatë në 80% të njësive vendore bën që ato të jenë totalisht të varura nga grantet dhe investimet e qeverisë. Përfaqësues të pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe sektorit privat dhanë mendimet e tyre në këtë konsultim që këtë radhë lidhej me një nga zonat me potencialin më të madh të turizmit në vend. Qëllimi i reformës administrative territoriale është rritja e efikasitetit dhe përmirësimi i cilësisë dhe aksesit të qytetarëve në shërbimet publike vendore, rritjen e burimeve financiare dhe të mjeteve për njësitë e qeverisjes vendore, përmirësimi i mekanizmave të demokracisë përfaqësuese dhe fuqizimin e instrumenteve të demokracisë direkte, rritjen e kapaciteteve të administratës publike vendore, si dhe forcimin e strukturave komunitare në nivel njësie të qeverisjes vendore, lagje, fshati. Procesi është realizuar përmes pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse të aktorëve të interesit, konsultimeve me komunitetin e zonave respektive, mbështetje metodologjike të procesit nga ekspertë vendas dhe të huaj të organizuar në grupe teknike pune, zhvillimi i reformës së ndarjes administrativo territoriale në paralel me thellimin e reformës së decentralizimit etj.. Në fjalën e vet, ministri për Çështjet Vendore,  Bledi Çuçi, theksoi mes të tjerash se, “reforma administrative territoriale, është ndoshta ndër reformat më të rëndësishme dhe që do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë, në sasinë dhe në qasjen në të gjitha shërbimet për qytetarët, për investimet publike në nivel vendor dhe qendror”. Sipas tij, ndarja aktuale administrative territoriale e njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri nuk reflekton aspak ritmet e zhvillimeve ekonomike, sociale, demografike dhe infrastrukturore, pas ndryshimeve demokratike të 1990-s.

Massimo Gaiani: Turizmi, makinë zhvillimi

Sektori i turizmit shikohet nga investitorët italianë si një “makinë zhvillimi”. Kështu tha ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani gjatë një tryeze në ditën e dytë të Javës Italiane. “Bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë është një mundësi e mirë për zhvillimin e turizmit. Është e rëndësishme që qeveria shqiptare të shprehet në mënyrë të qartë që investimet duhet të jenë prioritare, duke theksuar sektorët që janë më të rëndësishëm dhe ku ka vend për investime”,- tha ambasadori. Gaiani foli edhe për një fushatë promovimi dhe reklamimi efikas të Shqipërisë në Europë.