Tërhiqet Rama: Më keqkuptuan për punësimet

444
Kryeministri thotë se ka marrë 800 kërkesa në 24 orë, por sqaron se adresa e tij nuk është ajo e një zyre punëkërkuesish
Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka sqaruar dje qytetarët, të cilët kanë shkruar në adresën [email protected], se kjo nuk është adresa e një zyre për punëkërkuesit e të gjitha kategorive. Sipas Ramës, kanë ardhur brenda 24 orësh afro 800 shprehje interesi lidhur me ftesën. ”Por, duke parë përmbajtjen e tyre, del nevoja të sqarohet se kjo adresë nuk është adresa e një zyre për punëkërkuesit e të gjitha kategorive. Është një adresë për këdo mendon se ka një eksperiencë të suksesshme, në atdhe apo jashtë vendit dhe dëshiron ta verë në dispozicion të përpjekjes së katër viteve të ardhshme për Shqipërinë që duam. Të gjitha rastet e tjera trajtohen nga institucionet përkatëse, sipas procedurave administrative përkatëse. Edhe një herë faleminderit të gjithëve”, shkruan kryeministri Rama.

Prej fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit, kryeministri Rama është shprehur se do të bëjë një reformim të thellë të administratës, duke hequr dorë nga ndarja mes partive si më parë. Tashmë, duke mos pasur nevojën e votave të aleatëve, Partia Socialiste do të ndërtojë e vetme qeverisjen e ardhshme, ndërsa kryeministri Rama ka premtuar se ajo nuk do të jetë një ndarje privilegjesh. “Kemi kërkuar një mandat kuqezi dhe do të qeverisim kuqezi, jo si përçarës e sundues të shqiptarëve në çdo zonë dhe si shpërndarës favoresh me shkopin e flamurit të partisë tonë. Për të dalë faqebardhë në misionin shumë të vështirë që kemi marrë përsipër, për Shqipërinë që duam, me shtet, me punë, me mirëqenie duhet të shohim tek çdo shqiptar i aftë, pavarësisht bindjeve politike, një bashkëpunëtor të mundshëm për misionin tonë dhe tek çdo i paaftë, apo i korruptuar që ka teserën tonë një pengesë për t’u larguar nga rruga e përmbushjes se këtij misioni”, u shpreh Rama pak ditë më parë në një takim me deputetët. Sipas tij, në fushatën që u mbyll janë bërë publike raste ulëritëse nepotizmi, bashki të pushtuara nga familjarë e kushërinj të kryetareve. “Por kjo, as ka dashur të thotë dhe as do të thotë se LSI-ja është vetë kanceri që e ka pervertuar sistemin e administratës shqiptare, pavarësisht faktit se është partia më e prekur nga ky kancer antishtet. Kjo do të thotë se epopeja e shëmtuar e familjareve dhe kushërinjve e krushqve pushtues në institucionet e shtetit duhet të mbyllet. Për këtë ne do të ndërhyjmë dhe në ligjin e konfliktit të interesave, por, në radhë të parë, duhet ta nisim operacionin e pastrimit moral nga vetja. Çdo kryetar bashkie, apo deputet që e do aq shume gjakun e tij sa është gati të prishe gjakun e organizmit të shtetit dhe të komunitetit ku ka nderin e jashtëzakonshëm të jetë i zgjedhur, duke i dhënë rroga shteti të pamerituara sojit e sorollopit të tij, le ta lërë detyrën që sot”, u shpreh Rama. Sipas tij, kësaj estrade prej province të humbur e të korruptuar të Perandorisë Otomane, ndërkohë që jemi zgjedhur për të bërë shtet serioz e demokratik në kuptimin e vërtetë të fjalës, duhet të fillojmë t’i japim fund me forcën e shembullit tonë. 
Sigal