Tërhiqet Gurakuqi: Jo bashkëqeverisje PS-PD

581
Romeo Gurakuqi, deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, ka sqaruar deklaratën e tij lidhur me një qeveri të përbashkët PS-PD, pa Edi Ramën kryeministër. Sipas tij, “PD është në opozitë të qarte dhe të mirëfilltë, në fillesë, me qeverinë e PS. “Alibitë e bashkëqeverisjes se pozitës me opozitën janë qartësisht të përjashtuara shprehimisht që në krye të shkrimit tim. Shkrimi është një vështrim në profilin e analizës së realitetit të prodhuar nga zgjedhjet e blera të 25 qershorit 2017 dhe skenarët e mundshëm, që sipas arsyetimit tim, mund të prodhojë zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve”, shprehet drejtuesi i listës së qarkut të Shkodrës për Partinë Demokratike. Për Gurakuqin, skenarët e bashkëqeverisjes i përkasin kushteve ideale të një vendi të europianizuar me qeverisje të racionalizuar, në të cilin partitë politike punojnë për progresin në paqe të vendit. “Unë e kuptoj se kur një kujdestar dhe garant qeveritar zgjedhjesh, përdor forcën e gangsterëve për të frikësuar komisionerët e opozitës në qytetin tim, të cilët i solla nga auditorët e universiteteve më të mira të Evropës, për t’i shërbyer kulturës demokratike zgjedhore, dhe guxon të dhunojë ata, ai nuk mund të kuptojë dhe as hapë rrugë për arsyetimin normal politik në vend. Vendi sërish është në dorën e fortë të arrogancës, të një lloj diktature referendare, e cila duhet ndalur”, nënvizon Gurakuqi. Sipas tij, skenarët e bashkëpunimit “do ua kursenin shqiptarëve një qeverisje të re katërvjeçare të socialistëve dhe brenda një viti do krijoheshin konditat ligjore dhe faktike për zgjedhje të reja, tashmë të lira. “Kush ka dashtë e e kuptue këtë, e ka kuptuar. Normalisht nuk pres ta kuptojnë ‘zemërthyerit’”, shprehet Gurakuqi, referuar kundërshtarëve brenda Partisë Demokratike.
Sigal