Teoria e Kaosit dhe Reforma në Drejtësi

470
Sigal

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Teoria e Kaosit shpjegon sistemet dinamike, të cilat janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj kushteve fillestare.

Një shembull i njohur është ai që njihet si “efekti flutur”—ideja se një flutur që lëviz krahët e saj në Pekin mund të shkaktojë një stuhi në Nju Jork.

Sistemet kaotike, ose sistemet që kanë tipare jolineare, janë në thelb jo-deterministe (sistemet deterministe pretendojnë se çdo gjë është e paracaktuar nga ngjarjet që e paraprijnë).

Në sistemet kaotike, pavarësisht kushteve fillestare dhe ekuacioneve që rregullojnë sistemin, shmangie të vogla, jashtëzakonisht të papërfillshme mund të kenë, papritmas, një ndikim jashtëzakonisht të madh.

Sisteme në dukje të qëndrueshme bëhen shpejt të paqëndrueshme—një gjendje e thjeshtë kthehet shpejt në një gjendje jashtëzakonisht të ndërlikuar.

Anasjelltas, në një sistem të tillë, kushtet kaotike, papritur, mund t’i hapin rrugë stabilitetit.

Shembuj të sistemeve të tilla ka me shumicë në natyrë, që nga klima e planetit tonë e rrahjet e zemrës tek një lavjerrës i thjeshtë.

Sisteme të tilla shfaqen gjithashtu në kulturë. Një nga këto sisteme është drejtësia shqiptare.

Ata që hartuan reformën në drejtësi e menduan gjendjen e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri si një sistem të qëndrueshëm, por me tipare të padëshirueshme: sistemi ishte i korruptuar, gjyqtarët nuk ishin të pavarur dhe politikanët ushtronin ndikim mbi ta.

Sistemi ishte joefikas, i keqfinancuar dhe me besueshmëri të ulët publike.

Arkitektët e reformës menduan se ky sistem i qëndrueshëm, por i padëshirueshëm, mund të transformohej, përmes një sërë veprimesh zinxhir (veprimesh lineare), në një sistem të qëndrueshëm me cilësi të dëshirueshme: një gjyqësor i pakorruptuar, i pavarur dhe i besueshëm, i përgatitur dhe financuar mjaftueshëm për të përmbushur detyrën e tij.

Mjeti, për transformimin e sistemit gjyqësor të vitit 2016 në një sistem të ri të përmirësuar, ishte Reforma në Drejtësi.

Ideja mbrapa kësaj reforme ishte që ndryshimi i disa prej parametrave të sistemit shqiptar të drejtësisë—i kuadrit ligjor në të cilin vepron sistemi, i përbërjës së gjyqësorit, i nivelit të pagave dhe mënyrës së qeverisjes së sistemit—do të krijonte një formë të re stabiliteti: sistemin shumë të dëshiruar “të reformuar” të drejtësisë.

Fatkeqësisht për këta ‘arkitektë’—shumica prej të cilëve burokratë pa emër, me një botëkuptim të kufizuar për shkak të fomimit të tyre të cunguar, përkeqësuar më tej nga moskuptimi prej tyre i natyrës së sistemit mbi të cilin ata vepronin—sistemi shqiptar i drejtësisë, sikurse çdo sistem drejtësie apo çdo organizim politik apo shoqëror, në përgjithësi, nuk sillet në mënyrë lineare. Pra, nuk sillet si një sistem ku elementët fillestare çojnë në rezultate që mund të parashikohen me saktësi, në bazë të ekuacioneve të sistemit, por si sistem jolinear, ku gjendja fillestare nuk çon automatikisht në gjendjen e dëshiruar pëfundimtare.

Ndryshime të vogla në “të dhënat hyrëse” (legjislacionin shqiptar) të sistemit mund të çojnë në ndryshime radikale dhe të paparashikueshme të rezultateve përfundimtare.

Dhe në rastin tonë, ndryshimet që ndodhën si pasojë e reformës nuk ishin të vogla; ato ishin goditje të mëdha, u ndryshua një e treta e Kushtetutës dhe thuajse i gjithë legjislacioni i drejtësisë.

Një nga efektet e para të kësaj tronditje të sistemit ishte shembja e vetë Kushtetutës: nuk u përmbushën afatet fillestare të vendosura për ngritjen e institucioneve të vetingut, pas së cilës u shkelën pa asnjë pasojë si kaskadë shume afate të tjera.

Afatet e humbura çuan në mungesën e infrastrukturës kryesore të sistemit, gjë që çoi në zgjidhje të atypëratyshme, sui generis, të tilla si ajo e Prokurorit të Përgjithshëm “të Përkohshëm” dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi “të Përkohshëm”.

Institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë u mbushën me kandidatë të papërshtatshëm—një pjesë nuk përmbushnin as kriteret formale—të cilët më pas miratuan rregulla që shkelën standardet dhe parimet e reformës së drejtësisë: mospërputhjet e mëdha ligjore u shumëfishuan, thuajse në çast, me mospërputhje, paradokse dhe konflikte të tjera ligjore dhe institucionale, ku shkaku dhe pasoja shpesh nuk dalloheshin dot më nga njëri-tjetri.

Ndërkohë, faktori stabilizues, Gjykata Kushtetuese u bë jofunksionale. Destabilizimi i sistemit të drejtësisë u përcoll tek institucionet e tjera politike: parlamenti, presidenca, zgjedhjet, dhe qeveria, të cilat u shndërruan në karikatura që nuk dalloheshin më nga format e tyre të mëpashme, të ligjshme dhe të përcaktuara mirë.

Por Teoria e Kaosit na mëson, gjithashtu, se një situatë komplekse nuk vazhdon domosdoshmërisht të mbetet e tillë: ekuilibra të reja, më të thjeshta mund të lindin nga procese dukshëm kaotike.

Megjithatë, ato nuk mund të jenë ekuilibra të cilat imagjinohen paraprakisht në zyrat anonime të EURALIUS-it dhe OPDAT-it.

Një shtet një-partiak është një ekuilibër i tillë.

Në vend që të ketë ndarje të qartë të pushteteve që veprojnë në mënyrë pavarur dhe balancuese, një shtet funksional të së drejtës, një opozitë dhe shoqëri civile të shëndoshë, sot, stabiliteti i këtij sistemi sigurohet nga një parti e vetme, e cila ka qeverinë, parlamentin, pushtetin vendor dhe sistemin e drejtësisë, të cilat i ka siguruar duke përfituar nga gjendja e pasigurisë krijuar nga reforma në drejtësi.

Them ‘përfituar’, sepse t’i vishen shumë aftësi vepruese qeverisë Rama për mënyrën si është manipuluar reforma do të ishte keqkuptimi i vetë kompleksitetit të gjendjes—qeveria thjesht ishte në pozitën më të favorshme nga të gjithë për të përfituar prej saj.

Tani që sistemi shqiptar i drejtësisë duket se ka konvergjuar drejt “tërheqësit të çuditshëm”, një shteti njëpartiak dhe jo drejt demokracisëë së bazuar mbi shtetin e së drejtës sipas modelit të BE-së, pyetja më e ngutshme, ndoshta, është “çfarë duhet bërë?”

Për fat të keq, Teoria e Kaosit, sërish, na mëson se nuk mund të parashikohet se cila është gjëja e nevojshme, një shtytje e vogël (një ndryshim i vetëm ligjor) apo një goditje e madhe (duke rishkruar Kushtetutën), për ta futur sistemin e drejtësisë në një trajektore që konvergjon drejt një ekuilibri të qëndrueshëm, pikërisht ekuilbrin e parashikuar, që në fillim, si rezultati i dëshirueshëm i reformës në drejtësi.

Ndryshe nga turbulencat ajrore apo ritmet e zemrës, sistemet e drejtësisë nuk bëhen dot lehtë objekt i eksperimenteve që mund të na lejonin të gjurmojmë rezultatet e mundshme—ne dimë, për shembull, se një goditje elektrike, me një ngarkesë të caktur në zemër, rikthen në normalitet një ritëm kaotik defibrilues të saj.

Por çfarë do të ishte një goditje e ngjashme në rastin e legjislacionit?

Dyshoj se në zyrat e Komisionit Europian ka ndonjë model matematikor që mund të na lejojë të identifikojmë ndonjë ekuilibër tjetër veç atyre që tashmë njohim: drejtësi të korruptuar; drejtësi të pakorruptuar; drejtësi të nënshtruar ndaj sundimit një-partiak.

Madje, nuk dimë nëse ekziston vetëm një formë e qëndrueshme e drejtësisë së korruptuar apo e drejtësisë së pakorruptuar—intuita më thotë se duhet të ketë shumë forma të tilla.

Cilat prej këtyre janë të dëshirueshme? A janë disa më të dëshirueshme se të tjerat, dhe a janë ato më pak apo më shumë të dëshirueshme se sa status qu0-ja e tanishme?

Pa dyshim, kjo paqartësi shpjegon paralizën e plotë të EURALIUS-it dhe OPDAT-it dhe mbështetjen e tyre totale ndaj qeverisë shqiptare nga interesi që kanë për të “rregulluar” reformën në drejtësi.

Për fat të keq, sa më shumë Rama konsolidon pushtetin—sa më shumë që sistemi konvergjon në një autokraci të qëndrueshme—aq më e dëmshme bëhet një paralizë e tillë. / Exit.al/