Tensionohet situata, kaos në Komisionin Zgjedhor

452
Sigal

Shkarkimi i Muhos, jep dorëheqjen nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba

Tensionohet situata. Dorëhiqet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nënkryetari Denar Biba, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në këtë komision. Mësohet se, Biba ka dhënë sot dorëheqjen e tij të parevokueshme nga ky post, pas vendimit të djeshëm të Kuvendit për të shkarkuar anëtarin e LSI-së në komision Ilirian Muho. Në deklaratën e dorëheqjes  Denar Biba e cilëson shkarkimin e djeshëm të anëtarit të KQZ-së një akt të rëndë që cenon institucionet e pavarura. “Dje, shumica e rastit e deputetëve të Kuvendit, duke votuar shkarkimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me vetëdije apo nga papërgjegjshmëria, kreu një akt jashtëzakonisht shumë të rëndë në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve, konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës. Përtej argumenteve mbi nevojën për të balancuar politikisht KQZ, ky akt tregoi qartësisht dhe pa asnjë dyshim mungesën e plotë të vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri. Sepse misioni i parë dhe i fundit i tyre nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura”, shprehet Biba. Në deklaratën e tij Biba sqaron se, arsyet e dorëheqjes së tij kanë të bëjnë me faktin se anëtarët e KQZ nuk kanë mbrojtjen e duhur ligjore, por trajtohen thjesht si anëtarë të rëndomtë partie. “Megjithëse të propozuar nga struktura parlamentare e të votuar me shumica që tejkalojnë ngjyrimet partiake në Kuvend, dje, ne u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje, ndonjërin edhe duke e cenuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional. Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se, duhet të jap dorëheqjen nga detyra e zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi duke i servirur atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve”, thotë ai më tej.  “Le të shërbejë ky akt vullneti personal i imi si nxitje për reflektim për secilin nga ju. Përfitoj nga rasti t’iu drejtohem bashkëqytetarëve të mi: mos harroni, forca e pushtetit të popullit është më e madhe se forca e ca njerëzve në pushtet”, mbyll Biba deklaratën e tij.

Denar Biba: Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së, akt kriminal

Dje,  që në mëngjes, Denar Biba shkroi në rrjetin e vet social, Facebook, këto rreshta, duke reaguar ndaj zëvendësimit të kolegut të tij në KQZ nga Kuvendi, Ilirjan Muho:Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së dhe zëvendësimi i tij me një tjetër në kundërshtim absolut me ligjin është një precedent kriminal në lidhje me përpjekjen e shqiptarëve për të ndërtuar shtetin e së drejtës. E kuptoj (jo mirëkuptoj) ngasjen e PD-së për të ruajtur “balancën” në KQZ. Për sa më përket, asgjë nuk ndryshon, sepse nuk pata rast asnjëherë ta përjetoj votën “pro” iniciativave apo propozimeve të mia të anëtarit të shkarkuar, pra ç’bëri X, ç’bëri Y. Çështja është te politikanët tanë. Cili është misioni i tyre madhor, real: balancimi politik i një institucioni, apo ngritja e institucioneve të pavarura?

 

Flasin për “Telegraf”

Damian Gjiknuri, sekretari për çështjet zgjedhore të PS-së

Nuk dinim paraprakisht për dorëheqjen e Denar Bibës nga KQZ-ja. Por, ai, duke patur ndjeshmëri morale dhe qytetare, duke parë sesa luftë e pistë u luajt në Kuvend ndaj vetë KQZ-së, e ndjeu se u përbalt edhe figura dhe morali i çdo anëtari të ndershëm të KQZ-së, ndaj dha dorëheqjen.

Genc Gjonçaj, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ

-Edhe unë u informova para pak minutash. Nuk e prisja. Nuk di të them asgjë, nga ato që ka deklaruar vetë Denari.

– Kur do të fillojë procedura e zëvendësimit të Denarit në KQZ?

Të shikojmë, që nesër (sot) do të fillojmë.

Do të ketë kandidatura vetëm nga opozita, apo edhe nga maxhoranca?

– Tani nuk ka më parime. Çdo gjë pritet.

 

Eridian Salianji, jurist i PS-së në KQZ

Denar Biba dha dorëheqjen nga KQZ-ja, për princip. Ai nuk pranoi që të bëhej pjesë e raporteve 4:3 dhe nuk pranonte që të tjerë, dashakeqësisht ta cilësonin opozitë në KQZ, por ai e cilësonte anëtarësinë në KQZ si jurist dhe detyrën si përgjegjësi juridike ndaj Kushtetutës dhe Ligjit.

– Cila do të jetë procedura e zëvendësimit të tij?

–  Ashtu siç e parashikon Kodi Zgjedhor.

A mundet që maxhoranca të pretendojë që kandidati të jetë kushdo tjetër dhe jo ekskluzivisht nga opozita?

– Doktori mund të gjejë çdo pretekst e të sundojë me dhunën e kartonëve në Kuvend. Kush mund të habitet më, për çka mund të ngjasë, pas asaj që ndodhi në Kuvend, ditën e hënë.