Tension në Malësinë e Madhe, grusht kreut te PD-së

32
Tensionohet situata në Malësinë e Madhe, ku në KZAZ nr 1 vijon ende numërimi i votave. Nga informacionet e marra, mësohet se rreth orës 23 të mbrëmjes së 23 qershorit është raportuar për një situatë të tensionuar në ambientet e jashtme të KZAZ-së duke detyruar dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të shkojnë për të qetësuar situatën. Nga të dhëna të para mësohet se është goditur me grusht kryetari i PD-së në Malësinë e Madhe, Pjerin Spathari. Mësohet se ka pasur debat mes mbështetësve të partive, flitet dhe për nxjerrjen e armës.

Rreth 20 forca policie janë munduar të qetësojnë situatën, ndërsa menjëherë kanë mbërritur edhe forcat speciale, si edhe drejtues të policisë së Shkodrës. Partia Demokratike akuzon militantët e PS-së se kanë goditur me grushta kryetarin lokal të demokratëve. Pavarësisht shtimit të forcave të policisë situata mbeti e tensionuar dhe KZAZ numër një e kësaj bashkia mori vendimin që kutitë e mbetura të numërohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë bashki janë numëruar 52 nga 79 kuti dhe kandidati i aleancës së majtë, Tonin Marinaj, ka marrë 7104 vota, ndërsa rivali i tij, kandidati i APPD, Anton Kokaj ka marrë 6014 vota. 
Ndërkohë kandidati i PD-së për bashkinë e Malësisë së Madhe, Anton Koka në një prononcim për Ora News akuzoi Paulin Sterkaj si provokator dhe për tensionimin e situatës. “Ishte ora 23: 10 kur ndodhi ngjarja. Deputeti socialist i zonës Paulin Sterkaj bashkë me një grup banditësh provokuan kreun e PD-së Spathari dhe e tensionuan situatën sa Sterkaj nxorri armën në mes të qytetarëve dhe e drejtoi në mes të qytetarëve. Ai po ushtron terror prej dy muajsh. Ne dhe sot që ata janë përpara për një numër votash dhe ne po e njohim, Sterkaj sjell vetëm problem e të këqija. I bëj thirrje poliicsë të merret me krahun tjetër të mos bëjë presion qytetarëve të tjerë..“ Ndërkohë Paulin Sterkaj në një lidhje telefonike tha se tensionet janë ulur.