Teatrin Kombëtar, artistët apelojnë për protesta të fuqishme për të mbrojtur artin nga oligarkët e koncesioneve të qeverisë

869
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Zoti kryeministër, tërhiq projektligjin e turpshëm!

Artistët protestojnë fuqishëm për të mbrojtur Teatrin Kombëtar nga grabitja e koncesionarëve. Apeli

Debati me kryebashkiakun e Tiranës, i bindi edhe më shumë artistët, që qeveria dhe bashkia e Tiranës nuk ka ndërmend të heqë dorë nga gremisja e Teatrit Kombëtar dhe të ndërtojë aty kullat e koncesionarëve. Prandaj, mbrëmë artistët janë mbledhur sërish tek Teatri Kombëtar dhe kundërshtojnë shembjen e tij. Artistët kanë publikuar edhe një deklaratë, ku midis të tjerave, shkruhet: “Artistët, në shumicë dërrmuese, përjashto drejtorët dhe kandidatët për drejtorë, u shprehën kundër shembjes së dy teatrove kombëtare dhe kërkuan me vendosmëri anulimin e projekt-ligjit dhe fillimin e diskutimit për rikonstruksionin e dy teatrove kombëtare dhe ndërtimin e një teatri të ri diku tjetër. Artistët nuk pranuan të diskutojnë përmbajtjen e projekt-ligjit, pasi e konsiderojnë atë të gabuar, jotransparent dhe të porositur nga interesa korruptive të biznesit privat”. Mbrëmë, në protestë artistët i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet nga ligji për shembjen e teatrit.

Teatri Kombëtar i përket popullit dhe jo artistëve

I pari që mori fjalën në protestë Alert Çeloaliaj tha se teatri Kombëtar është i popullit, dhe ndaj ky i fundit duhet të flasë vetë.“Teatri u rihap në 1983-shin në 100-vjetorin e tij. Ky teatër i përket popullit dhe jo artistëve. Ne duhet të jemi poshtë dhe duhet të dëgjojmë se çfarë do populli për veten. Faleminderit që jeni këtu sot!”, tha Çeloaliaj.

Bujar Asqeriu ironi me Veliajn: Pres të më ftojë për ndonjë ndeshje Botërorin tjetër

Gjatë protestës së djeshme të artistëve kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, mori fjalën edhe aktori Bujar Asqeriu. Me ironi ai tha se fjalën e tij dje e kanë censuruar televizionet, edhe pse kishte qenë i të njëjtin mendim me kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj për tolerancë 0 kundër korrupsionit. “Sa dola unë, u censurua televizioni, askush nuk e dha fjalën time. I rashë mu në zemër korrupsionit, luftova korrupsionin deri në zemër, se kështu jam unë. Këtë që tha kryetari i Bashkisë, tolerancë 0 kundër hajdutëve, kështu thashë dhe unë. Të krijojmë një front total bashkë me qytetarët për ta luftuar korrupsionin, por qytetarët kanë frikë, se po tha ai që për shkollën kam paguar, atë e heqin nga puna, apo nga shkolla. Duhet zhdukur frika, të rritet kurajë qytetare, të denoncojmë hajdutët. Mua m’u pre fjala. Thashë të ruajmë trashëgiminë kulturore, m’u pre fjala. Dua t’i them, Veliajt, që pas katër vitesh të më ftojë të shohim një ndeshje botërori, se këtë kampionat nuk do të më ftojë, se është i zemëruar me mua,” tha Asqeriu.

Roza Anagnosti pritet me duartrokitje: Protestoj për ata që sakrifikuan kaq shumë për këtë Teatër

Aktorja Roza Anagnosti, fjala e së cilës u prit gjithë duartrokitje nga të pranishmit, tha se vinte për të protestuar për ato figura grash që sakrifikuan shumë për Teatrin. “Sot më kanë shtyrë më tepër ato figura grash që kanë themeluar dhe kanë sakrifikuar shumë për këtë Teatër, Yllka Mujo, Margarita Xhepa, Violeta Manushi. Ne jemi vetë instrumenti ynë, nuk kemi instrument tjetër. Dua të bëhet më e mira,” tha ajo. “Ky teatër është i shumë brezave, jo vetëm yjet që përmendi nëna ime Roza, por edhe breza të tjerë që janë rritur në këtë Teatër. Ky do të jetë dhe i studentëve që ne përgatisim sot. Të gjithë jemi për Tetarin dhe vlerat që ai përmban”.

Alfred Trebicka: Nuk duam partinë, por duam Shqipërinë

“Nuk duam partinë, por duam Shqipërinë. Dhe u përgjigjemi me qytetari të gjitha thirrjeve. Ishim koshient se ai takim dje nuk ishte për ne. Ishte për dikë tjetër që të bëhej. Dhe u bë. Shumë mirë që u bë, se u kthjelluam më saktë se ky janë pikësynimet dhe pastrojmë dhe radhët tona. Sepse është abuzuar gjatë gjithë kësaj kohe. Komuniteti i artistëve është i përçarë. Nuk ka përçarje, por veç mendime të ndryshme. Pastaj tek këto mendime bëhet diferenca, se kush është këllirë dhe dinjitoz. Pasi këllira ka nivel intelektual. Bile duhet të kesh nivel të lartë intelektual që të kesh këllirllëk”, tha Trebicka.

Regjisori Altin Basha: Rama është artist vetë, duhet të ishim të favorizuar

I ashpër ka qenë reagimi i regjisorit Altin Basha kundër vendimit të qeverisë për të shembur Teatrin Kombëtar. Gjatë fjalës së tij Basha tha se qytetarët e Tiranës duhet të mbështesin këtë protestë, pasi është pasuria e tyre kombëtare. Mes të tjerash, ai tha se pavarësisht faktit se kryeministri Edi Rama është artist, kjo kategori sipas tij është e lënë pas dore. “Pse këta njerëz dalin në oborrin e teatrit kur Shqipëria udhëhiqet nga një artist. Si është e mundur? Ne duhet të ishim në kushte normale, pasi duhet të ishim komuniteti më i favorizuar. Ne nuk prodhojmë vota. Nuk merremi parasysh nga Ministria e Kulturës. Qeveria shqiptare thotë, se s’ka para, dhe ne e dimë që nuk kemi si Gjermani. Por kur shoh që ka lekë për rikonstruksione godinash…mendoj ndryshe. E dimë që ky është një proces i vështirë, që ta zmbrapsim”, tha ai.