Të shkrihet KQZ-ja, mjafton Kolegji Zgjedhor!

47

Derisa Kuvendi dhe maxhoranca nuk e respektojnë Kodin Zgjedhor dhe zbatojnë vetëm ligjin e “Maliqit”…

KQZ-në, cila funksionon  dhe merr vendime vetëm me 4 anëtarëve,  kanë  katandisur  për të qarë e për të qeshur. Po të lexosh në faqen elektronike të KQZ-së, figurojnë 6 anëtarë të saj. Lefterie Lleshi si Kryetare, Denar Biba si zëvendëskryetar, Albana Shtylla, Jani Jani, Vera Shtjefni, Hysen Osmanaj janë anëtarë. Është hequr emri i Ilirjan Muhos, i shkarkuar nga Kuvendi, por nuk është shtuar emri i Klement Zgurit, i cili është votuar nga Kuvendi, i cili ushtron detyrat e anëtarit të KQZ-së me pjesëmarrjen e me votën e tij në të gjitha aktivitetet e KQZ-së. Mos vallë, edhe vetë kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, e ka kuptuar që është shkelë Kodi Zgjedhor  nga vetë Kuvendi, në shkarkimin e Muhos dhe emërimin e Zguros, ndaj nuk “guxon” ta vendosë si anëtar legjitim të KQZ-së, Zguron në faqen elektronike? Ndërkohë, që Denar Biba, Albana Shtylla dhe Jani Jani kanë dhënë dorëheqjen, nuk ushtrojnë asnjë detyrë në KQZ, por në faqen elektronike të KQZ-së, figurojnë. Kjo është ana komike e KQZ-së. Ndërsa tragjikja e KQZ-së, është sepse …

Kuvendi anashkaloi KQZ-në për ndarjen e mandateve të deputetëve

E reja që do të sillte kjo KQZ, sipas Kodit Zgjedhor, do të ishte që çdo vendimmarrje për çështje të rëndësishme të procesit zgjedhor, do të merreshin vetëm me votim të cilësuar, d.m.th, me të paktën 5 vota. Ndryshe, asnjë vendimmarrje nuk mund të quhet i vleshëm.  Mirëpo, Lefterie Lleshi, si këshilltarja e Kryetares së Kuvendit dhe e emëruar kryetare e KQZ-së, që ta shndërronte KQZ-në në një seksion politik të maxhorancës, në pamundësi që të impononte ndarjen e mandateve në KQZ sipas projektit partiak të PD-së, përdori një truk tjetër politik. Me një shkresë të sekretares së Përgjithshme të KQZ-së, i përcolli  Kuvendit, vendimin për pamundësinë e ndarjes të mandateve nga KQZ-ja me votë të cilësuar, duke shkelur me të dyja këmbët kompetencat e KQZ-së, të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Dhe, Kuvendi, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, voton me shumicë të thjeshtë ndarjen e mandateve, sipas numrit të popullsisë të 2008-s, e kjo, sipas Kuvendit, në pamundësi të arritjes së votës së cilësuar të KQZ-së. Rasti i dytë, ku KQZ-ja veproi si seksion politik i maxhorancës, ishte pamundësia e votimit me votë të cilësuar në përcaktimin e numrit të KZAZ-ve. Edhe pse palët kishin rënë dakord në numrin 76 të KZAZ-ve, Lefterie Lleshi, si kryetare kërkon t’i imponojë KQZ-së një projekt të PD-së, me 89 KZAZ. Në votim, nuk u arrit votimi i cilësuar me 5 “pro”, ndaj këtë kompetencë të KQZ-së, sipas Kodit Zgjedhor, zonja Lleshi ia përcjell Kolegjit Zgjedhor, i cili, po në kundërshtim me kompetencat që i ka dhënë Kodi Zgjedhor, përcakton numrin e KZAZ-ve, pa patur një vendim të KQZ-së. Kodi Zgjedhor, nuk i jep asnjë kompetencë Kolegjit Zgjedhor, që të marrë vendimmarrje që nuk arrihen me 5 vota në KQZ, sepse kërkon që çdo vendimmarrje e rëndësishme të KQZ, të arrihet vetëm me konsensus të plotë, pra, të paktën,  me 5 vota

Kuvendi shkarkon anëtarin e KQZ-së, jashtë çdo kompetence ligjore

Që kjo maxhorancë e trajton KQZ-së si një aneks të kuzhinës së politikës së saj, kjo u bë e qartë edhe në procedurën e shkarkimit të anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho nga Kuvendi. Së pari, Kuvendi nuk kishte asnjë vendim të KQZ-së,  sipas Kodit Zgjedhor, që të niste procedurën e shkarkimit. Kjo procedurë u bë kaq qesharake, sa në pak minuta, motivacioni i shkarkimit nga Kuvendi,  u ndryshua, kaq shpejt e kaq lehtë, sa edhe ngjyrat e kameleonit, në përshtatje me nevojën politike të qëllimit të paracaktuar. Ishte kjo maxhorancë dhe  ky Kuvend, i cili pak muaj më parë, i dha votat Ilirjan Muhos. Ose ky Kuvend nuk ishte serioz në momentin që i dha votëbesimin Ilirjan Muhos, sepse, nuk mund të jetë i besueshëm arsyetimi që Kuvendi nuk i dinte…biografinë profesionale kandidatit për të cilin e miraton. Ose ky Kuvend nuk është rigoroz me ligjin, derisa Kuvendi është i pari që shkel ligjin e të drejtave të kompetencave të institucioneve të tjera, derisa ekzekuton, me dhunën e kartonëve, të drejtën e KQZ-së për shkarkimin e anëtarëve të KQZ-së.

Kolegji Zgjedhor, instrument ekzekutiv i urdhrave partiake

Kolegji Zgjedhor, i cili zgjidhet nga trupa e Gjykatës së Apelit, përbëhet nga gjyqtarë që janë të mirëbesuarit e maxhorancës dhe nuk përbëjnë aspak një pikë referimi të asnjanësisë së tyre politike. Me vendimet e njëanshme e të paragjykuara politike që japin,  sjellin dëm politik me pasoja shumë vjeçare. Kolegji Zgjedhor, duke përcaktuar njëanshmërisht dhe me paragjykim politik çdo vendim që gjykon, mund të ndikojë në rezultatin zgjedhor, duke sjellë një maxhorancë që nuk ka votën, por ka vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Nga ana tjetër, kjo maxhorancë, me ushtrimin e të drejtës së shumicës së kartonëve në Kuvend, emëron, dekreton anëtarë të institucioneve të pavarura, sikurse vetë Presidentin, me mandat 5 vjeçar, dhe ky, nga ana e tij, emëron e dekreton anëtarë, si në Gjykatën e Lartë, që kanë mandat 7 vjeçar, apo anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, që kanë mandat 9- vjeçar. Kur, anëtarët e Gjykatës së Lartë e anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, zgjidhen vetëm me dëshirën dhe votën e maxhorancës dhe nuk janë produkt i një konsensusi politik, kuptohet sa të paragjykueshëm do të jenë edhe vendimet që do të marrin. Pastaj, dëmin e këtyre vendimeve të paragjykuara, mund t’i shtrish edhe në një ndërkohë më të gjatë se mandati i maxhorancës, sepse anëtarët e Gjykatës së Lartë e Kushtetuese  kanë një mandat më të gjatë se vetë mandati i maxhorancës që i propozon.  Kësisoj, dëmi i një vendimi të njëanshëm e të paragjykuar të Kolegjit Zgjedhor, nuk kufizohet vetëm në një mandat 4- vjeçar, por pasojat  tejzgjaten për vite me radhë. Dëmi i një vendimi të Kolegjit Zgjedhor, i cili përdoret dhe vepron si një instrument ekzekutiv i urdhrave partiake, i ngjan proceseve  të shumëzimit nuklear.

Pa KQZ dhe opozitë  nuk mund të ketë zgjedhje

Zgjedhjet nuk mund të jenë një produkt si byreku, i cili mund të gatuhet në KQZ-në e 4 anëtarëve e të piqet në furrat e Kolegjit Zgjedhor dhe, pastaj, të serviren si të besueshme e të ndershme, e ca më tepër, të vlerësohen zgjedhje me standarde, kur vendimet më të rëndësishme të procesit zgjedhor, i merr një KQZ me 4 anëtarë. Ndaj, edhe skenari tjetër politik, se KQZ-ja mund të kompletohet me anëtarë që mund t’i emërojë direkt Kolegji Zgjedhor, i kalon edhe kufijtë, jo vetëm të çdo fantazie ligjore, por edhe të  komedisë e të tragjedisë politike. Do të ishte më reale, më e besueshme, që KQZ-ja të shkrihet fare dhe  rolin e saj të organizimit të zgjedhjeve, të bëhet Kolegji Zgjedhor,  si një arbitër politik i zgjedhjeve,   meqë janë …trup gjyqtarësh e përfaqësues të …Drejtësisë.  Dhe, më e rëndësishmja, në Kolegjin Zgjedhor, nuk do të kërkohet votë e cilësuar, në vendimmarrjet e rëndësishme të procesit zgjedhor, meqë në  vetë Kolegjin Zgjedhor nuk ka…opozitë, por ka vetëm maxhorancë. Veç të tjerash,  zgjedhje pa KQZ-në e 4 anëtarëve, por zgjedhje me Kolegj Zgjedhor, mund  të jetë më i justifikueshëm, edhe sepse,  mund t’u thuhet shqiptarëve, që, duke shkrirë KQZ-në dhe gjithë administratën zgjedhore, do të eliminojmë, veç burokracisë, edhe një shumë të konsiderueshme të hollash, me të cilat deri tani, paguhen rrogat e larta të administratës zgjedhore të KQZ-së. Në kohë krizash, për maxhorancën, çdo shkurtim i buxhetit shtetëror, është i dobishëm, edhe për konsum elektoral, për ta ambalazhuar  si  uljen e  nivelit e borxheve…

 

Flasin për “Telegraf”

 Eridian Salianji, jurist i PS-së në KQZ

KQZ-ja është legjitime, derisa të ketë gjithë anëtarët e saj, sikurse u formua. Kur vendimmarrja nuk është bërë me votim të cilësuar, me 5 vota “pro”, atëherë nuk mund të quhet i ligjshëm. KQZ-ja është hartuar nga ligjbërësit, pikërisht, që çdo vendimmarrje e rëndësishme të ketë patjetër konsensusin politik. Kur nuk arrihet konsensusi me 5 vota, Kodi Zgjedhor  nuk i jep të drejtën Kolegjit Zgjedhor, që të marrë vendimmarrjen në vend të KQZ-së. Pra, po nuk u rikthye legjitimiteti në KQZ, nuk ka legjitimitet në vendimmarrjet që merr KQZ-ja me 4 anëtarë. Që të arrihet rikthimi i legjitimitetit të KQZ-së, duhet që maxhoranca të diskutojë me opozitën mundësitë e kompromisit.

Vasilika Hysa, deputete e PS-së

Por duke i hequr partive përfaqësuesit e tyre në KQZ, që me ligj i takon ta kenë, shkelet haptazi Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, Rregulloren e Kuvendit. Formimi dhe menaxhimi i KQZ-së nuk është procedurë ankandi e shitjes së pronës, ose e një sendi që secili mund ta trashëgojë dhe ta menaxhojë sipas dëshirës. Me veprimet saj, maxhoranca  e nxori  KQZ-në në ankand dhe me një çmim të lartë për të paguar. Zgjidhja e vetme është një KQZ-ja e pavarur nga politika dhe që formohet dhe funksionon sipas Kodit Zgjedhor të miratuar me konsensus, ku çdo vendimmarrje e rëndësishme merret vetëm me 5 vota. Ky Kod nuk i jep asnjë kompetencë  Kolegjit Zgjedhor, që të marrë vendimmarrje, të cilat nuk arrihen të merren në KQZ me 5 vota.