Të rinjtë: Kjo qeveri po tregon se nuk ka asnjë qëllim të luftojë skamjen dhe varfërinë

659
LRI zhvillon një bashkëbisedim me studentët e Shkencave Sociale me temë “Ndihma ekonomike, një e drejtë e munguar”
Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi ditën e djeshme një tryezë bashkëbisedimi me studentët e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës me temë “Ndihma ekonomike, një e drejtë e munguar”. Në këtë tryezë diskutimi rreth skemës se re të ndihmës ekonomike ishin të pranishme deputetet e Lëvizjes Socialiste për Integrim Nora Malaj dhe Floida Kërpaçi. Problematika e madhe e çështjes së lënies së mbi 20 mijë familjeve pa ndihmë ekonomike nga të ashtuquajturat ‘reforma’ të qeverisë po lënë të gjithë këto familja, dhjetëra-mijëra shqiptarë në një skamje totale, pa asnjë mundësi që të mbijetojnë. Studentët e Shkencave Sociale u shprehën se realiteti në Shqipëri çdo ditë e më shumë po na tregon që varfëria ka pllakosur familjet shqiptare. Sipas tyre, vendimet e qeverisë duke i hequr dhe kafshatën e bukës familjeve po tregojnë se kjo qeveri nuk ka asnjë qëllim ta luftojë këtë plagë më të madhe të shoqërisë. Diskutimi i djeshëm u orientua në disa pika kryesore të lidhura me çështjen e ndihmës ekonomike si kriteret e aplikimit, mos trajnimi i punonjësve socialë, mënyra e aplikimit, integrimi i individëve qe janë pjesë e skemës në tregun e punës si dhe çështja e banesave sociale. Në përfundim të kësaj tryeze u arrit në disa konkluzione, që do përkthehen në propozime reale, të cilat më pas do të paraqiten nga deputetet e LSI-së në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, ku do diskutohet edhe projektligji i ri.
Nora Malaj: Problematikat e skemës ekonomike, ndihmë grupeve vulnerabël
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nora Malaj, ka qenë e pranishme ditën e djeshme në bashkëbisedimin e realizuar me studentët e Shkencave Sociale në lidhje me problematikat e ndihmës ekonomike. Malaj i kushtoi një rëndësi të madhe varfërisë, njerëzve në nevojë, kategorive vulnerabël, por gjithashtu edhe problematikave që hasen te të rinjtë sot. ‶Qëllimi i skemës është për ato kategori që janë të diskriminuar, në nevojat bazike që kanë. Dhe nevoja bazike është nevoja e të ushqyerit, nevoja e shtëpisë, e punësimit, e arsimimit. Të realizojë arsimimin e tyre, dhe nëse arsimimi i tyre do kohë, t’u japë shansin një arsimimi profesional dhe paralelisht të realizojnë dhe arsimimin në mënyrë që të jenë në dy sektorë të mundshëm″, thotë deputetja e LSI-së. Sipas saj, Shqipëria po vazhdon në 2018-ën tranzicionin e tejzgjatur dhe problemi më i madh radikal dhe kryesor lidhet me atë që quhet ekonomi e paqëndrueshme.
Fjala e plotë e deputetes Malaj
Është një nga takimet më të mira që po organizojmë sot dhe po e fillojmë javën pikërisht me një nga krye problemet që ka sot në Shqipëri, që lidhet me nevojën e ndihmës ekonomike dhe që lidhet me pikëpyetjen më të madhe: Varfëria është shkak, apo pasojë? Sigurisht paneli i sotëm, grupi i interesit të sotëm, për ne si përfaqësues dhe deputetë të Parlamentit, është grupi më interesant, pasi lidhet me nivelin e studentëve tanë, të cilët këtë kauzë nuk e shohin vetëm në aspektin për të bërë një analizë të thellë dhe shkencore të situatës aktuale dhe për ta parë si dukuri të shoqërisë, por edhe për faktin se si mund të bëhen zgjidhje, duke kuptuar që sot studentët duhet të jenë pjesa reale e zgjidhjes së problemit. Në mënyrë që problemi të mos ngelet pa zgjidhje. Ne kemi dy muaj e ca që po diskutojmë pa fund edhe në grupet parlamentare, në dëgjesa të ndryshme, në debate televizive për këtë problem shumë madhor, që tashmë qeveria e ka marrë si prioritet, por që ka mbrapa shumë problematika, që lidhen së pari me transparencën; së dyti, me mënyrën se si po aplikohet. Së treti, lidhet me mënyrën se si me një të rënë të lapsit po ikin grupet, të cilat janë në nevojë të domosdoshme për të realizuar standardin e jetesës së tyre si një masë shpëtuese për nivelin më të ulët të varfërisë. 
Së katërti, për t’i dhënë shansin kategorive në nevojë, kategorive vulnerabël, njerëzit me aftësi të kufizuar për t’u krijuar mundësinë për të realizuar sfidën e jetës, për t’u mirarsimuar dhe më pas për t’u punësuar. Së pesti, për ta bërë skemën sa më të plotë. Cilat kanë qenë problemet dhe përse ne sot jemi bashkë këtu? Sepse qeveria e filloi në 2014 si një ide, si një projekt pilot dhe pas tre viteve u bë projekti dhe ne nuk dimë asgjë se çfarë solli projekti? A solli ndryshim skeme? A solli mekanizëm pozitiv? A krijoi mundësitë që bashkitë që duhet ta realizojnë këtë si instrumenti bazë dhe mekanizmat që duhet ta realizojnë këtë realisht në 6% e GDP së tyre, të buxhetit të tyre e realizojnë këtë gjë? Qëllimi i skemës është për ato kategori që janë të diskriminuar, në nevojat bazike që kanë. Dhe nevoja bazike është nevoja e të ushqyerit, nevoja e shtëpisë, e punësimit, e arsimimit. Të realizojë arsimimin e tyre, dhe nëse arsimimi i tyre do kohë, tu japë shansin një arsimimi profesional dhe paralelisht të realizojnë dhe arsimimin në mënyrë që të jenë në dy sektorë të mundshëm. Dhe ata që janë të aftë për punë të ikin nga skema e ndihmës ekonomike dhe t’u japë shansin një familje tjetër të hyjë në skenën e ndihmës. Të krijojë mënyrën që mekanizmi që do ta realizojë këtë të jetë shumë profesionist, që do të thotë të kemi një data-base shumë të saktë dhe informacion shumë të saktë, të ketë mundësi që njerëzit të mos i heqim nga skema, ku në mënyrë arbitrare dhe jo të drejtë, meqenëse nuk funksiononte skema, apo me një të rënë të lapsit i heqin nga skema. Ky është një mekanizëm që po prek shumë qasjen sociale. Përse them që është shumë e rëndësishme dhe pse duhet në kohën e duhur, në momentin e duhur? BERZH jo më larg se sa sot, nxjerr një nga informacionet më të rëndësishme ku thotë: Shqipëria është ulur në stokun më të madh të investimeve nga kapitali i huaj për vende pune, apo oferta. Dhe sot investimi që bëhet në Shqipëri është 1000 euro për frymë dhe është vendimë i fundit në raport me vendet e rajonit. 
Tregon që tashmë varfëria ulet këmbëkryq dhe qeveria nuk po bën gjë. Për fatin tonë të keq, po bën një make-up, po rregullon me aksione dhe me nisma të pastudiuara situate, duke lënë familje, të cilat realisht janë shumë nevojë për t’u realizuar dhe me të vërtetë quhen drejt varfërisë dhe drejt urisë. Një problem tjetër që shfaqet sot dhe që ne ende nuk e dimë, dhe qeveria ende nuk ka marrë përsipër të bëjë raportimin dhe të japë se cili është niveli i standardit të minimumit jetik, që duhet të ketë një familje shqiptare? Jemi larg standardit dhe nevojës për të analizuar situatën dhe për të thënë se çfarë duhet të bëjmë të gjithë së bashku për të bërë ndryshimin. Nga ana tjetër, shohim një propagandë të jashtëzakonshme që personazhe apo politikëbërës bëjnë sikur janë pranë familjeve dhe po mundohen që shitjen e varfërisë ta quajnë si kauzë të tyre. Pse është i rëndësishëm ky debat? Pse janë të rëndësishme reformat? Shqipëria po vazhdon në 2018-ën tranzicionin e tejzgjatur dhe problemi më i madh radikal dhe kryesor lidhet me atë që quhet ekonomi e paqëndrueshme. Nuk kemi ende një pakt kombëtar për realizimin e ekonomisë së vendit tonë. Mundohen që njerëzve t’u imponojnë pozicione të tilla, që kur nesër të vijnë zgjedhjet lokale, t`i bëjnë presione për bukën e gojës dhe vendosjen në skemat ekonomike. E drejta e punësimit, e arsimimit dhe e strehimit janë të drejta kushtetuese edhe si të tilla, të gjithë taksapaguesit shqiptar që janë pjesë e buxhetit të shtetit, duhet të jenë pjesë reale e zgjidhjes së problemit. Shteti ka detyrime ligjore që t’u garantojë qytetarëve sigurimin e jetesës dhe një standard jetese më të mirë. 
E parë në këtë prizëm dalin probleme sociale shumë të mëdha. Këto lidhen me problemet e dhunës, por edhe me familje me problematika të ndryshme. Ju e dini kur një familje nuk ka të ardhura është i detyruar të punojë dhe të kryejë punë të rënda. Shqipëria po kalon situata shumë të vështira sot, më gjithë problematikat e mbartura dhe për fatin tonë të keq, sot me gjithë pozicionin që ajo është kthyer, nga një vend që duhet të ishte e përfolur për turizmin e saj, apo për zhvillimin e traditës, është kthyer në qendrën e luftërave dhe pjesën më të rëndë që lidhet me drogën dhe krimin. Për të vazhduar më tej, të gjitha moshat e reja nga 18 vjeç e lart duhet të kenë shansin e barabartë për tu futur në tregun e punës. Situata bëhet akoma edhe më e rëndë sot, aktualisht kur flasim për bizneset, ku janë mbyllur mbi 1000 dhe mos harroni se deri në prill do kemi një situatë aq të trishtë, saqë ne nuk do donim kurrsesi të ishte kështu. Ju e shikoni që realiteti është shumë i dhimbshëm dhe i trishtë, por ka ardhur një moment që ne të ndërgjegjësohemi të gjithë bashkë. Ne në radhë të parë që jemi pjesë e politikës, sepse në fund të ditës të bësh politika të mira sot, të zbatohen siç duhen dhe që janë pjesë e interesave të qytetarëve, nuk lidhet me siglën partiake, por me detyrimet që ne kemi përpara gjithë taksapaguesve. E dyta, lidhet edhe me atë që quhet pakt kombëtar dhe patriotik. Të jesh patriot nuk do të thotë të jesh i tillë vetëm në ditët e shënuara, por do të thotë që secili prej nesh në punën e tij të bëjë më të mirën e mundshme për vendin tonë. E treta, për të ndihmuar cilindo dhe për t`i dhënë shansin e munguar atyre që ndihen të përbuzur. Gjithashtu, për të kuptuar që Shqipëria nuk është e pushtetarëve, por është e shqiptarëve dhe si e tillë duhen mbështetur ata. Së pesti, për nevojat që kemi e sidomos për të rinjtë. Të mos harrojmë që këtë vit pjesa më e madhe që janë larguar janë rreth 70% të rinj nga mosha 17 deri 34 vjeç, që është mosha më aktive në punë dhe të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm dhe duhet të sensibilizojmë shoqërinë çdo orë dhe çdo ditë. Kjo, për të treguar që jeta duhet jetuar me dinjitet.
Ndihm aekonomike, fjala e deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim
FloidaKërpaçi: Shqipëria duhet të kthehet nës htet social, qeveria të garantojë ndihmën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë.
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Floida Kërpaçi, në fjalën e saj gjatë bashkëbisedimit me studentët e Shkencave Sociale për ndihmën ekonomike, ka deklaruar se problemi nis pikërisht te transparenca. Sipas saj, ky është një ndër problemet më madhore të skemës së re të ndihmës ekonomike. Kërpaçi thekson se nuk ka shtet social. Nuk iu jepet shanse të barabarta familjeve në nevojë për të përfituar ndihmën ekonomike, thekson ajo. “Sot për të pasur ndihmën ekonomike, për të përfituar diku ti duhet të jesh ai që merresh me drogë, ai që ke lidhje me shtetin, ai që je një biznesmen i fuqishëm dhe që ke lekë që të përfitosh. Kjo është alternativa, ndërkohë që për të varfrin, për të papunin, për dikë që kalon nga zyra në zyrë, nga dosja në dosje dera është e mbyllur dhe ky është fakt”, deklaroi Kërpaçi.
Fjala e plotë e deputetessë LSI
Përshëndetje të gjithëve, dua t’u falënderoj të gjithëve për këtë qasje që po i bëni sot problemit, i cili nuk është problemi i një familje, por është problemi i shoqërisë. Mënyra se si po e trajtojmë sot dhe alternativa që ju na sillni sot në këtë aktivitet do të thotë shumë për këto familje, për shoqërinë, pikërisht për të gjetur një zgjidhje dhe për të gjetur së bashku se ku qëndron problemi. Ashtu siç ju e prekët, problemi nis nga transparenca. Në momentin që nuk ka transparencë që në momentin se si aplikohet pa diskutim që bën të pamundur që të kesh gjithë informacionin e duhur që është një e drejtë e çdo familje për të aplikuar dhe për të përfituar ndihmën ekonomike. Ky është një nga problemet më madhore të skemës së re të ndihmës ekonomike. Për të vazhduar pastaj me sistemin e pikëzimit, që asnjë nga familjet e dala, por edhe ato që janë pjesë e ndihmës ekonomike nuk kanë informacion. Pra nuk dihet se çfarë të dhënash po hedhin, ku po shkojnë këto të dhëna dhe a do të jenë ata fatlumët që do t’i bjerë për të fituar. Flasim për një shtet që e quan veten të majtë, por politika që ai ndjek nuk është absolutisht e majtë, sepse po dalin nga skema e ndihmës ekonomike 20.000 familje dhe kjo nuk është çështje politike. Nuk është çështje të qenit i majtë apo i djathtë, ka të bëjë me familjen me ndihmën me dorën që ti i shtrin asaj familje për ta ndihmuar. Sot gjithsecili prej nesh që është këtu, ndoshta nuk e ka këtë problem por çfarë do të ndodh nëse në të ardhmen ky problem rikthehet te ne. Nuk mund të heshtim, sepse ajo ndihmë ekonomike për një familje është buka e gojës, ndihma që merr nga shteti. Dhe shteti e ka detyrë të garantojë dhe të bëjë politikën e duhur për të stimuluar dhe për të qenë pranë këtyre familjeve. 
Pyetja që shtrohet sot është a kemi ne një shtet social? Ju sot këtu jeni student të Shkencave Sociale dhe padyshim që vetvetiu përgjigjja është që jo. Sot nuk kemi një shtet social, sepse nuk është një shtet që i jep shanse të barabarta të gjitha familjeve në nevojë për të pasur ndihmën ekonomike. Pra sot për të pasur ndihmën ekonomike, për të përfituar diku, ti duhet të jesh ai që merresh me drogë, ai që ke lidhje me shtetin, ai që je një biznesmen i fuqishëm dhe që ke lekë që të përfitosh. Kjo është alternativa, ndërkohë që për të varfrin, për të papunin, për dikë që kalon nga zyra në zyrë, nga dosja në dosje dera është e mbyllur dhe ky është fakt. Nuk është kjo ajo që duam dhe prandaj alternativa që sollët ju sot tregon një vizion të ri se si të rinjtë dhe profesionistët e rinj e mendojnë për të pasur një shtet social për t’u përfshirë të gjithë grupet në skemën e ndihmës ekonomike, Por është shumë e lehtë për t’u thënë që po ka abuzivitet, po do t’i nxjerrim, por kjo është ndihma që jep shteti? Nuk është kjo. Problemi më madhor është riintegrimi i këtyre grupeve, ku do të punësohen. Sot secili prej jush endet me moton kërkojmë të rinj me eksperiencë pune. Më thoni cili nga ju ka pasur shansin për të punuar dhe për të pasur eksperiencë. Asnjë, sepse shanset janë zero.
Dhe këtu kalojmë te problemi tjetër i të rinjve që emigrojnë dhe largohen nga vendi për këto probleme sociale që ka vendi ynë. Politika është demagogji, por mënyra se si ju e sollët sot ishte ndryshe përtej parimit politik. Ju treguat realitetin. Secili prej nesh ka një të afërm, një familjar, edhe të rinj që familja e tyre ka dalë nga skema e ndihmës ekonomike. Duke i hedhur këto propozime, ne si deputetë të parlamentit, si LSI, si anëtar të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë do të lobojmë fort dhe do të ngremë zërin për të çuar paketën tuaj të propozimeve për ndihmën ekonomike se si e mendoni ju dhe se si shteti duhet t’i qaset këtij problemi. Nuk mundet thjesht të themi që po dolën 20.000 familje nga skema e ndihmës ekonomike dhe problemi është te familja. Ky është problemi i shoqërisë se çfarë do të ndodhi në momentin që këto familje dalin nga skema e ndihmës ekonomike. Do të shkojnë drejt zgjedhjeve negative të sjelljeve në shoqëri.
Duke qenë se ekonomia është shumë e rënduar, papunësia është në nivele alarmante. Këtu rriten edhe sjelljet e tjera, kriminaliteti, droga, vjedhjet, pra fillojnë problemet në shoqëri, të cilat janë pasoja po përsëri për shtetin, por edhe për shoqërinë. Prandaj problemi i skemës së ndihmës ekonomike është një problem për të gjithë shoqërinë. Dhe pa diskutim që gjithsecili prej nesh është i ndjeshëm, por duhet të kuptojmë që politikat që shteti vë në zbatim nuk duhet të jenë të ftohta. Duhet të jenë politika me zemër, që i shërbejnë familjes dhe nuk përjashtojnë asnjë familje, por krijojnë shanse të barabarta për çdo familje, për të kandiduar, për të fituar dhe për t’i dhënë zgjidhje reale problemit, situatës ekonomike që ata kanë me familjen. Kështu qe me propozimet tuaja me përpjekjen tonë, por edhe me ardhjen tuaj në grupin parlamentar, si grupe interesi për të ngritur zërin dhe për të thënë që po të rinjtë kanë ide, ne jemi profesionistët e rinj, ne kemi një ide dhe hajde shohim se si mund ta rregullojmë, duke ndjekur këtë lloj modeli që ndoqëm sot duhet të vazhdojmë ta ngremë me gjithë grupimet e tjera të të rinjve për të diskutuar për problemet thelbësore të shoqërisë dhe se si ne do të ngremë politika konkrete për të përmirësuar situatën reale në Shqipëri. Ne kemi ligje shumë të mira të shkruara, por jemi shumë mbrapa me zbatimin e tyre. Jo që na intereson ne është se si zbatohet, si ndikon te jeta jonë e përditshme. Në fund të ditës familja ime e merr ndihmën ekonomike? Kjo është pyetja që i lind gjithsecilit prej nesh dhe kjo është lufta që duhet të bëjmë. Është një problem që kërkon reagim sot ashtu siç ju reaguat, për nesër. Ju falënderoj dhe njëherë dhe do doja ta vazhdonim këtë sfidë të madhe që kemi për të bërë, për të kërkuar një shtet që jep shanse të barabarta të gjithë qytetarëve. Edhe më fort duke reaguar me çdolloj forme demokratike që ne kemi mundësi.
Sigal