Sigal

50,2 ton mish të importuar nga Brazili me salmonelë. Mungojnë laboratorët e analizave të produkteve ushqimore

Përse nuk publikohen emrat e bizneseve dhe pronarët që helmojnë shqiptarët me ushqime të importuara

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar dy kontejnerë me mish, të importuara nga Brazili. Bëhet fjalë për një sasi prej 50.2 tonë mish, pasi nga analizimi i mostrave u konstatuan me prezencë të salmonelës. Shumë herë është bërë problem edhe mielli i importuar në Shqipëri, por pak janë bërë merak institucionet shtetërore, të cilat, me mosveprime, u shërbejnë interesave të bizneseve, në dëm të shëndetit publik.

Mungesë transparence

Edhe pse nuk është sasi e vogël e mishit të importuar, që ka sëmundjen e rrezikshme të salmonelës, edhe pse nuk është hera ë parë, Institucioni shtetëror përkatës nuk publikon as emrin e kompanisë, që sjell salmonelë, as emrin e pronarëve. Cili ligj e ndalon publikimin e fajtorëve, që helmojnë njerëzit me produkte të importuara dhe të tregtuara, këto ushqime? Ja imagjinoni, të mos ishin bllokuar 50 tonët e mishit me salmonelë, a nuk do t’i kishim konsumuar? Duhet të publikohen emrat e kompanive dhe të pronarëve, që tregtojnë ushqime me rrezikshmëri për shëndetin publik, që qytetarët të bojkotojnë produktet e tyre. A u hoq licenca e kompanisë që importoi këtë sasi të madhe mishi nga Brazili? Nuk kemi përgjigje, sepse nuk është marrë një masë e tillë. Kompania, natyrisht, mund të paguajë edhe gjobën, që është e papërfillshme në krahasim me fitimet, dhe sërish do të importojë mishin që mbart salmonelë, sepse, rendja për fitim maksimal, e bën kompaninë që të “zgjedhë” mishin më të lirë, pa u bërë fare merak, nëse ka sëmundje. Sasia e mishit që ka salmonelë, përse u kthye mbrapsht, dhe nuk u asgjësua nga institucionet tona shtetërore? Kush na garanton, se sasi nga kjo, edhe mund të rikthehet në treg? Pastaj, cila kompani biznesi, do të ketë interes ta ridërgojë mallin mbrapsht, kur as aty nuk pranohet më? Sepse, cili shtet mund të pranojë deportimin e mishit me salmonelë? Apo, thjesht, pas fjalëve, “sasia e mishit me salmonelë, kthehet mbrapsht” fshihet e vërteta, e futjes ilegale, qoftë edhe të një sasie të saj?

 Nuk kemi laboratorë për analiza

Paradoks deri në absurditet është fakti se institucionet ligjore që merren me monitorimin e produkteve ushqimore në treg, nuk kanë laboratorët e duhur, për të kryer analizat e duhura. Kështu, në Shqipëri nuk ka laboratorë, që në produktet ushqimore të përcaktohet sasia e dioksidit, pa thënë, paskëtaj, të analizohen, sa janë të pranishme në produkte bujqësore e blegtorale që tregtohen, sasitë e elementëve kimikë të rrezikshëm të hormoneve, pesticideve që përdoren në kultivimin e tyre etj. Ky fakt, të bind, që edhe kontrollet shtetërore të produkteve bujqësore dhe blegtorale që tregtohen në Shqipëri janë formale, ndërkohë dhe që shëndeti publik i qytetarëve është shumë i rrezikuar.