Të përndjekurit, protesta kundër Ruçit

Votimi i Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit, si dhe Fatmir Xhafajt, në krye të Ministrisë së Brendshme do të pritet me protesta nga të përndjekurit politikë. Ata kanë vendosur që të protestojnë përpara Kuvendit, ndërkohë që aksioni i tyre do të vijojë edhe brenda tij, ku 12 deputetë, që vijnë nga kjo kategori, do të përçojnë zërin e tyre brenda Kuvendit. Nebil Çika, kreu i shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, ka zbardhur edhe skenarin e protestës, së cilës i janë bashkuar 12 deputetë që, sipas tij, përfaqësojnë këtë shtresë shoqërore. “Qëllimi i kësaj proteste është që të bllokojmë emërimin e tij në këtë pozicion. Ne, jashtë Parlamentit, synojmë që të mbështesim njerëzit tanë brenda Kuvendit. Protesta do jetë paqësore. Kemi angazhuar 12 deputetë të cilët do të marrin përsipër edhe aksionin brenda Parlamentit. Atë që ne do shprehim jashtë, ata do e thonë brenda Parlamentit. Janë 12 deputetë që vijnë nga shtresa e të përndjekurve dhe do çojnë zërin tonë në Parlament, atë që ne kërkojmë: mosvotimin e Ruçit dhe Xhafajt në krye të Kuvendit. Çdo shqiptar që beson tek liria dhe demokracia, duhet të bëhet pjesë e kësaj protestë, pasi ne vetëm e kemi thirrur protestën, në krye të së cilës do të jenë antikomunistët dhe të përndjekurit politikë”, tha Çika në një intervistë televizive.