Të pavërteta e qeverisë me çështjen e Çamërisë

463
Sigal

Zbardhet e plotë
dhe e pacensuruar konferenca e shtypit mes ish-kryeministrit Aleksandër Meksi
dhe homologut të tij grek Konstandin Micotaqis, më 3 maj 1992

 Kohët e fundit,
për nevoja qartazi elektorale, ka një shtim të retorikës për çështjen çame.
Politika është në të drejtën e vet të ndjekë këtë axhendë, sa kohë Parlamenti shqiptar
ka miratuar rezolutë për këtë çështje. 
Por duke qenë se për të shpenzohen energji dhe kredenciale të
institucioneve shqiptare, është e udhës që kjo temë të shkëputet nga konteksti
thjesht elektoral, për t’u afirmuar si një çështje që përcjell edhe në planin
shoqëror jehonë pozitive. Z. Idrizi është kryetar partie dhe ai pikë së pari ka
axhenda pushteti, ndonëse i kamuflon ato pas kauzave të tilla. Pas tij po rend
për nevoja ekskluzivisht elektorale edhe ministri i Jashtëm me kryeministrin,
në një kurs që çon në përplasje me palën greke. Shqipëria dhe Greqia kanë
nënshkruar dokumente dypalëshe që skicojnë një rrugë për trajtimin e pronave të
qytetarëve shqiptarë çamë dhe të tjerë dhe nëse marrja e tyre është detyrim i
shtetit shqiptar, administrimi dhe trashëgimi i tyre, kalon patjetër nga
dialogu dhe duhet të shërbejë si urë për të ardhmen, e jo si farë konflikti.
Nga kjo pikëpamje, parashtrimi që bëhet këtu:
http://27.al/kur-athina-firmoste-varrezen-e-partizaneve-came-ne-greqi/, përbën
kontribut, në të kundërt me frymën partizane të dyshes PS-PDIU. Zgjidhja e
çështjes së pronave të çamëve është interes i përbashkët pse heq një barrë nga
marrëdhëniet dypalëshe që janë shumë komplekse, por ajo nuk mund të afrohet me
këtë retorikë. Dhe as me politikën e “kohës zero”, siç bën sot PS-ja, që
pretendon se po e hap ajo për herë të parë çështjen.

 

 Më poshtë po sjellim të plotë konferencën për
shtyp mes ish-kryeminstrit Aleksandër Meksi dhe homologut të tij grek,
Konstandin Micotaqis më 3 maj të vitit 1992.

Më herët shteti
shqiptar kishte folur në Konferencën e Paqes në Paris, por jo në raporte
dypalëshe. Aty Micotaqis, një politikan i së djathtës greke, pranon të drejtën
e pronave, por jo kthimin e çamëve. Ky ishte një fillim që çoi në Traktatin e
vitit 1996, por mund të vihet re, se qeveria dhe pushteti i asaj kohe në
Shqipëri nuk ka munguar në diskutimin e problemeve me palën greke. Ndaj
mburrjet e sotme nuk shërbejnë veçse si kolektor votash dhe emocionesh
negative, sidomos pastaj kur fantazohen konspiracione, siç shkruan z.
Idrizi. 

 

 
poshtë konferenca e shtypit

MICOTAQIS: Në
bisedimet që zhvillova me zotin Meksi prekëm disa tema që ishin të lidhura me
marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Folëm për shembull për funksionimin e
konsullatave dhe ramë dakord të fillojmë nga konsullata e Gjirokastrës, pastaj
me një konsullatë tjetër në Janinë dhe sipas marrëveshjes në të ardhmen do të
vazhdohet të hapen një ose edhe dy të tjera. Ramë dakord që të zhvillojmë
kontaktet ndërmjet dy popujve tanë dhe të shqyrtojmë mundësitë që të japim
hyrje e dalje të tjera, veç atyre që ekzistojnë tani. Na preokupon mjaft
emigracioni shqiptar në Greqi. Kjo është një temë shumë serioze për miqtë tanë
shqiptarë. Sot në Greqi janë rreth 150 mijë shqiptarë që punojnë, gjysma e të cilëve
janë legalisht, ndërsa gjysma janë ilegalisht. Ramë dakord që të arrijmë në një
marrëveshje për të legalizuar të gjithë situatën, pra të japim mundësinë që të
punojnë sa më shumë shqiptarë në Greqi. Konfirmova se ne do të preferojmë
shqiptarët, nga kombësitë e tjera, prandaj është e nevojshme funksioni i
konsullatave për të dhënë viza. Folëm për problemet e Jugosllavisë. Folëm për
problemin e Republikës së Shkupit. Jemi dy vende ballkanike, ramë dakord që të
kemi kontakte të vazhdueshme dhe ta forcojmë bashkëpunimin ballkanik, kur të
mbarojë kriza e sotme e Jugosllavisë. Ramë dakord që të jemi të shpejtë dhe
temat t’i bisedojmë, që të mundim të ecim shpejt. E ftova Kryeministrin Meksi
të vijë në Greqi, jemi gati për të nënshkruar një marrëveshje miqësie dhe
bashkëpunimi, për të zhvilluar akoma më mirë marrëdhëniet tona. Në emër të
Presidentit të Greqisë ftova Presidentin e demokracisë, zotin Sali Berisha të
vizitojë edhe ai Greqinë. Shpresoj se vizita ime do të përbëjë stacion në
rrugën e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe marrëdhëniet greko-shqiptare
qysh sot hyjnë në një rrugë të re. Kjo është deklarata e parë që kisha për të
bërë, mbasi të flasë edhe zoti Meksi, në qoftë se keni pyetje, m’i bëni.

MEKSI: Takimi i
sotëm me zotin Micotaqis, i pari takim zyrtar i qeverisë së re, me një
Kryeministër të një vendi me të cilin ne jemi në marrëdhënie, ishte i nevojshëm
dhe i dobishëm. Qeveria e re shqiptare është e vetëdijshme se dialogu është e
vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet dy vendeve, për afrimin dhe
kontaktet ndërmjet dy popujve tanë, në të gjitha fushat, me dobi për të dy
palët. Ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie sa më të mira, për problemet që kemi
ndërmjet nesh, dhe në këtë aspekt takimi i sotëm ishte i dobishëm dhe një hap i
parë për vendosjen e kontakteve ndërmjet qeverive të të dy vendeve, si dhe në
mes organizmave të tjera qeveritare. Temat u diskutuan nga secila palë dhe
secila palë paraqiti mendimet e saj, për marrëdhëniet politike në dobi të
afrimit të të dyja palëve, si edhe të futjes së Shqipërisë në familjen e madhe
evropiane. U fol për masa konkrete, për shtimin e takimeve dhe për marrëveshje
dypalëshe, të cilat realizohen në fushat prioritare për Shqipërinë e sotme, siç
janë marrëdhëniet dhe marrëveshjet dypalëshe në tregti, për investimet dhe për
hapjen e bankave, për emigracionin e organizuar, për përmirësimin e statusit të
gjendjes së shqiptarëve që ndodhen në Greqi, për problemin e vizave, për hapjen
e konsullatave dhe të pikave të reja të kalimit kufitar dhe siç thamë më parë
për organizimin e shpejtë të kontakteve dypalëshe, për realizimin sa më të
shpejtë dhe më të mirë të këtyre problemeve. Bisedimet ishin të hapura dhe ne
nënvizuam mendimin se krijimi i besimit është mjeti themeltar për thellimin e
marrëdhënieve dhe se dialogu do të jetë mjeti për rrugëzgjidhjen e problemeve
tona. Në këtë kuadër ne i bëmë prezent qeverisë greke për zgjidhjen e drejtë të
problemit të çamëve, gjithnjë sipas normave e dokumenteve ndërkombëtare,
eventualisht për kthimin e tyre në vatrat dhe varret e të parëve dhe për
problemin e pronave të tyre. Ne do të ngulmojmë edhe në të ardhmen, me mendimin
që të ketë mundësi më të mëdha për një mirëkuptim dhe për zgjidhjen me interes
dhe me dobi nga të dy palët. Ne folëm për preokupimin tonë për “zjarrin” që
marrëzia e serbëve, po ndez në shtetet sovrane të Kroacisë e
Bosnje-Hercegovinës. Incidenti i djeshëm është flagrant dhe mjaft shprehës dhe
për rrezikun e përhapjes në minutë të luftës në tokat shqiptare të Kosovës. Ne
shprehëm mendimin tonë për mospranimin e Republikës Federative të Jugosllavisë,
si një vazhduese të Jugosllavisë së deridjeshme, por si një Serbi, që është një
bashkim i komunistëve jashtë vullnetit të popujve të këtyre vendeve. Gjithashtu
ne shprehëm mendimin tonë për të drejtën e shqiptarëve për të pasur shtetin e
tyre të pavarur, Republikën e Kosovës, për realizimin e të drejtës themelore
për vetëvendosje dhe për shtetformim. E siguruam zotin Micotaqis se minoriteti
grek në Shqipëri do të ketë të njëjtat të drejta që kanë shqiptarët, ato që
thuhen në dokumentet ndërkombëtare, të drejtën e ushtrimit të fesë së tyre, të
drejtën e arsimit të të gjitha niveleve, në zonat ku banojnë. Folëm,
gjithashtu, për marrëdhëniet ekonomike, që ne na preokupojnë, për bashkëpunimin
tregtar dhe doganor, për lehtësira në aspektin e vizave për tregtarët
shqiptarë, për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe për emigracionin, probleme për
të cilat gjetëm një mirëkuptim. Gjithashtu, gjetëm mirëkuptim për problemin e
zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe politike edhe në të ardhmen, për
nevojën e mbështetjes së Shqipërisë në planin ndërkombëtar, në Komunitetin
Evropian, në grupin e 24-ve dhe qeveria greke na i siguroi këto. Ne besojmë se
takimi ishte i frytshëm dhe do të pasohet nga takime të tjera të të ngarkuarve
të të dy palëve për të realizuar marrëveshjet, të cilat ne i shprehëm më lart,
në nivele nga më të ndryshmet. Ne falënderojmë zotin Micotaqis dhe personat që
e shoqërojnë, për ardhjen në Shqipëri, për bisedimet konstruktive dhe të
frytshme dhe për ftesën që na u bë për të vizituar Greqinë.

MICOTAQIS:
Pozita greke duhet të jetë krejtësisht e pastër. Për sa i përket temës së
çamëve, e bëra të qartë në të gjitha nivelet e palës shqiptare, deri te
Presidenti. Greqia nuk do të pranojnë kthimin e tyre në Greqi, për arsyet, që
nuk është nevoja t’i paraqes. Thashë që mund të diskutohet tema e pasurive, në
bazë të një reciprociteti, të çamëve që erdhën nga Greqia në Shqipëri dhe të
atyre që kanë ardhur në Greqi, me origjinë greke. Tema e dytë është
Jugosllavia: I thashë palës shqiptare se Greqia ndjek një politikë të
Komunitetit Evropian dhe në qoftë se do të njihet ose jo Jugosllavia, Serbia me
Malin e Zi, si vazhdimësi e Jugosllavisë Federative, kjo do të varet nga njohja
e Evropës. Pra Greqia do të ndjekë çdo detyrë që do të marrë Komuniteti
Evropian. Folëm për Republikën e Shkupit. Dëgjova Presidentin, zotin Sali
Berisha, për fjalën Maqedoni dhe kërkova që të mos njihet nga pala shqiptare
Republika e Shkupit, në qoftë se nuk do të njihet më përpara nga Evropa, ai më
premtoi se do ta bëjë këtë. Pala shqiptare më shpjegoi pozitën e saj në Kosovë,
u shpjegova miqve shqiptarë, se çështja e vetëvendosjes është shumë e avancuar,
se në realitet kjo tregon lëkundje kufijsh, diçka që besoj se në rrethanat e
sotme nuk është e mirë, por dëgjova me shumë kujdes pikëpamjet e tyre. Këtë
desha të sqaroja. Për sa i përket minoritetit grek, jemi plotësisht të kënaqur
nga sa u thanë, edhe për sa i përket kishës ortodokse dhe kishave të tjera,
theksova se minoritetin grek e shikojmë si hallkë që na bashkon dhe jo si një
hallkë që na veçon dhe rekrutimin që bëjmë karshi Shqipërisë, nuk e bëjmë vetëm
karshi Shqipërisë së Jugut, por karshi gjithë Shqipërisë, dhe natyrisht për çdo
gjë rashë dakord edhe me palën shqiptare.

 MIKELI (zëdhënësi i Qeverisë shqiptare):
Atëherë zotërinj gazetarë, të shfrytëzojmë kohën për pyetje, për çështje të
cilat nuk dolën gjatë deklaratave të zotërinjve Micotaqis dhe Meksi.

 

BEDRI ISLAMI
(gazeta “Kosova”): Zoti Micotaqis, në çfarë ligje bazoheni që u hani çamëve të
drejtat për t’u rikthyer në trojet e tyre stërgjyshore?Cilat janë arsyet që e
njohët nga të parët shtetin e ri jugosllav?

MICOTAQIS: Pjesa
e dytë e pyetjes ka një gabim, nuk njohëm një shtet të ri jugosllav, ne presim
të marrë vendim Komuniteti Evropian. Për sa i përket çamëve bazohemi në ligjet
e në kushtetutën greke dhe nuk dua të futem në hollësi të mëtejshme.

NJË GAZETARE
GREKE:  Sa e llogaritni shifrën e të
ashtuquajturve çamë që duan të kthehen në Greqi, pra sa është numri i tyre? Nuk
ka dijeni qeveria shqiptare që këta kanë qenë bashkëpunëtorë të okupatorit
gjerman? Në rastin konkret, duhet t’u bëjmë thirrje ligjeve ndërkombëtare për
këtë problem?

MEKSI: Ne për
numrin e çamëve dimë që kur kanë ardhur në Shqipëri kanë qenë rreth 24-25 mijë
vetë, kjo sipas statistikave të OKB-së për refugjatët në atë kohë. Në atë kohë
unë kam qenë i vogël por këtë gjë e mbaj mend, megjithatë problemi nuk shikohet
te numri i tyre. Ky është një problem që mund të zgjidhet nëpërmjet një dialogu
për të parë mundësitë e realizimit, duke pasur secila palë kërkesat e saj,
mendimin e saj, prandaj si gjithë problemet që janë ndërmjet vendeve fqinje,
është mirë t’i jepet rrugëzgjidhje nëpërmjet bashkëjetesës. Kështu si na
kuptojnë grekët, edhe ne ata i kuptojmë, por unë do të thosha se nuk ka ndonjë
ligj ndërkombëtar që në qoftë se një individ është kriminel lufte, të dënohet
tërë familja e tij. Për këtë do të desha, meqenëse po reagoni, t’ju kujtoj një
diplomë të perandorit të Bizantit, Krisovulën të Andronikut të Dytë, Paleologut,
në vitin 1307, kur i shkruan peshkopit të Kaninës që nuk ka qenë në zakonin e
të parëve tanë, as në tonin, që për fajet që bën një individ, të përgjigjen të
afërmit e tij. Unë mendoj se kjo është një temë që mund të dialogohet, me kohë
mund të gjendet mundësia.

GAZETAR I
GAZETËS “Zëri i Rinisë”: A mendoni zoti Micotaqis se epoka e re e marrëdhënieve
ndërmjet vendeve tona, e cila sapo filloi sot, do të përjashtonte ekskluzivisht
pretendimet e qarqeve vorio-epiriote greke për Shqipërinë e Jugut?

MICOTAQIS:
Greqia nuk ka pretendime territoriale karshi Shqipërisë, kjo është një
deklaratë kategorike.

NJË GAZETAR
GREK: Do të desha të pyes zotin Kryeministër, që shfaq një ndjeshmëri për sa i
përket problemit çam, se a shfaq të njëjtin ndjeshmëri për pasuritë dhe
kryesisht për monumentet kishtare që gjatë kohës së regjimit të vjetër, që
është e ditur, kanë pësuar shumë katastrofa?

MEKSI: Zotëria
më pyeti në një fushë që është profesioni im, ai i studiuesit dhe restaurimit
të veprave mesjetare. Shqiptarët e ndershëm, ku jam munduar të bëj pjesë edhe
unë, janë munduar të shpëtojnë monumentet, në të gjithë territorin e
Shqipërisë, t’i restaurojnë, t’i studiojnë, t’i publikojnë, në një kohë mjaft
të vështirë dhe të gjatë, që mbase vëllezërit tanë edhe mund të mos e kenë
provuar edhe aq shumë. Themi se kemi bërë maksimumin e asaj që mund të bëhej.
Sot ato ndërtime i janë kthyer kultit dhe po përdoren. Me gjithë kushtet e
vështira ekonomike, në të cilat ndodhet Shqipëria, mendohet që të vazhdojnë
punimet dhe restaurimet nën kujdesin e shtetit, dhe ashtu siç janë publikuar
deri më sot, ato do të publikohen edhe në të ardhmen.

MICOTAQIS: Sipër
kësaj teme desha të shtoja se jemi të kënaqur nga qeveria e re demokratike dhe
edhe zoti Berisha ra dakord që të shikojmë çështjen e pronave në bazën e një
reciprociteti, diçka që konsiderohet shumë pozitive.

BASHKIM KUÇUKU
(Gazeta “Çamëria”):  Zoti Micotaqis, mund
të na citoni cili është ai ligj ndërkombëtar që quan kriminel një popull prej
60 mijë veta, fëmijë, pleq, burra, gra, që mbetën nga lufta, pra a mund të
quhen të gjithë këta kriminelë? Ku është ky ligj ndërkombëtar, ku përfshihet?

MICOTAQIS:
Thashë ato që kisha për të thënë për çamët dhe besoj se nuk ka dobi vazhdimi i
kësaj teme, janë nga ato tema që nuk ramë dakord.  Ramë dakord vetëm në pjesën e dytë të kësaj
teme, prandaj nuk dua të diskutohet pjesa e parë. Të dy vendet janë të lumtur,
në qoftë se biem dakord për 90 për qind të temave që diskutohen, nuk ka nevojë
të bien qind për qind.

NJË GAZETAR
GREK:  Desha të pyes zotin Meksi për
çështjen e huas që qëndron pezull akoma, për huanë që ka dhënë Greqia për
Shqipërinë, çfarë parashikon qeveria?

MEKSI: Ne
diskutuam sot për këtë, ministrat e ekonomisë vazhduan më tej dhe ne i quajmë
bisedimet e dobishme dhe do të avancojmë më tej në kontakte të mëtejshme, sepse
Shqipëria është e interesuar jo vetëm për këtë hua, por edhe për investime.

ARBEN MANAJ:
(Radioja e Jashtme): Zoti Micotaqis, ju thatë se çështja e vetëvendosjes së
popullit të Kosovës është e avancuar, cila është alternativa që vepron?

MICOTAQIS:
Mendimi im është se duhet të ekzistojë autonomia, jo një autonomi e avancuar,
jo vetëvendosje,  që do të thotë se
ndahesh nga shteti dhe këtë e thashë me palën shqiptare dhe me udhëheqësit e
partive të ndryshme politike që kisha takim.

NJË GAZETAR
GREK: Do të desha të pyes Kryeministrin e Shqipërisë, se këtu u tha që
Shqipëria ka rivendikim për shpalljen, shkëputjen e Kosovës, për vetëvendosje.
Pra jo vetëm nga qeveria, por kjo u mbështet edhe nga vetë gazetarët, me të cilët
kishim kontakt. Në bazë të kësaj politike e njeh të drejtën e vetëvendosjes
edhe për minoritete të tjerë?

MEKSI: Unë
shpreha që ne e njohim të drejtën e shqiptarëve në Kosovë, që nuk përbëjnë një
pakicë, por gjysmën e shqiptarëve, që historikisht janë në trojet e tyre. Ne i
njohim atyre të drejtën që të vendosin për fatin e tyre, e drejtë që jepet nga
të gjitha dokumentet ndërkombëtare. Ne nuk u diktojmë atyre mënyrën e zgjidhjes
së kësaj çështjeje, kjo është një e drejtë vetëm e tyre. Sigurisht, ne jemi të
shqetësuar, kur aty shkelen të drejtat më elementare të njeriut, kur aty
rrezikohen për një masakër dhe për më tepër e ndjejmë që ai front kalon edhe në
Shqipëri.(Respublika)