Sigal

Media britanike “The Economist” publikon një video dhe shkruan se shqiptarët janë të parët në botë për nga numri i popullsisë, që përdorin kokainën. Mjekët e QSUT-së japin alarmin, po shtohen çdo ditë emra të rinj. A u manipulua raporti i drogës për Check Up-in?

“The Economist”: 2, 5 % e shqiptarëve përdorin kokainën, të parët në botë

Jakup B. GJOÇA

Në ekonomi, jemi në fund të klasifikimit në krahasim me vendet e Rajonit dhe Ballkanit, për shkak të varfërisë, papunësisë, mungesës së investimeve të huaja, mungesës së konkurrencës së ndershme për shkak të monopolizimit të tregut të punës, kjo edhe nga dhënia e koncesioneve me procedurë aspak transparente.

Shqipëria tashmë “kampione” edhe në përdorimin e kokainës

Shqipëria është vendi “eksportues” i hashashit drejt Evropës, më vonë, Shqipëria u bë edhe “Kolumbia” e Evropës, për shkak se u bë “depo” e kokainës e ardhur nga Amerika Latine, për në Evropë. Të gjitha kusuret mund t’i kishim, por kishim një të mirë. Që shqiptarët nuk ishin përdorues të lëndëve narkotike, edhe pse mund të ishin kultivues dhe trafikantë. Tani, Shqipëria shpallet “kampione” edhe në përdorimin e kokainës. Të paktën kështu shkruan media britanike “The Economist”. Në një video të publikuar nga “The Economist” shqiptarët zënë vendin e parë për përdorimin e kokainës në raport me popullsinë. Në video tregohet se në Shqipëri 2.5% e popullsisë janë përdorues të kokainës. Në tërë globin numërohen 18 milionë përdorues kokaine. Në SHBA shpenzohen 40 miliardë dollarë në vit për luftën kundër drogës por qasja “tolerancë zero” ka bërë pak për të ulur varësinë ndaj saj, e cila është edhe me e larta në botë.

Shtohen përdoruesit e kokainës dhe personat që paraqiten në QSUT

Numri i përdoruesve të kokainës në vend po vjen në rritje. E konfirmojnë këtë edhe mjekët toksikologë, sipas të cilëve çdo ditë paraqiten 2 raste që kërkojnë ndihmë. “Nëse do i referohemi një dhjetëvjeçari, nga 2008 deri ne 2018 kemi një rritje galopante të përdoruesve të kokainës në Shqipëri, që në shumicën e rasteve janë me mbidozë nga kokaina, por ka edhe raste që trajtohen siç janë përdoruesit e rregullt që kanë një kohë pa marrë kokainë dhe bëjnë atë fazën e mungesës së kokainës në trup”, thotë mjeku toksikolog Alert Drishti. Vetëm gjatë një viti, pranë Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza paraqiten rreth 750 përdorues droge për të marrë ndihmë mjekësore. “Në 2017 kemi pasur rreth 700 raste të trajtuara në Urgjencën e spitalit në QSUT dhe rreth 42 raste të trajtuara në pavionin tonë në toksikologji”. Nuk mungojnë edhe adoleshentët nën 18 vjeç që kanë varësi nga kokaina. “Si grupmoshë, është ajo aktive për punë, rreth 90 për qind e përdoruesve është nga mosha 18-40 vjeç, por ka raste të veçanta edhe të atyre nën 18 vjeç. Si gjini përdorues më të lartë gjen ajo mashkullore. Nuk ka një ndarje kategorike pasi gjen në çdo kategori përdorues kokaine”. Një pjesë e mirë e përdoruesve paraqiten në spital pasi bien në kontakt për herë të parë me kokainën, i cili njihet si grupi i eksperimentuesve. Megjithatë mjekët sqarojnë se shumica e përdoruesve të drogave shkojnë rrallë në urgjencë. Kjo tregon se numri i përdoruesve është mjaft më i lartë se rastet e regjistruara.

A u manipulua raporti i drogës për Check Up-in?

Një vrojtim i vitit 2014, që e nxjerr Shqipërinë vendin me përdorimin më të lartë të kokainës në botë vishet me dyshime të forta. Vrojtimi, i cili përveç drogave mati dhe përdorimin e substancave të tjera të dëmshme për shëndetin si alkooli apo cigarja, ishte një nga arsyet kryesore që u përdor për të justifikuar koncesionin e Check Up-it që qeveria i dha Vilma Nushit. Sipas vrojtimit rezultoi se në Shqipëri 2.5 për qind e popullatës përdor kokainë, duke qenë norma më e lartë në botë. Por përveç kokainës vrojtimi e renditi Shqipërinë si një nga vendet me problematike edhe për përdorimin e substancave të tjera të dëmshme për shëndetin si kanabisi, cigarja dhe alkooli. Përdorimi i lartë i substancave të dëmshme për shëndetin sipas gjetjeve të vrojtimit, u përdor si një nga argumentet kryesorë për të justifikuar dhënien e kontrollit bazë shëndetësor me koncesion. Dyshimet se raporti u manipulua pikërisht për t’i hapur rrugë dhënies së Check Up-it me koncesion përforcohen edhe nga disa fakte të tjera. Vrojtimi për përdorimin e substancave në popullsinë e përgjithshme të Shqipërisë është kryer nga grup prej 4 ekspertësh, Gentiana Qirjako, Roland Bani, Alban Ylli dhe Genc Burazeri. Ky i fundit është kushëriri i afërt i Ilir Beqjas. Në Kohen kur është kryer vrojtimi Ilir Beqja ishte ministri i shëndetësisë që hartoi dhe firmosi koncesionin e Check Up-it, duke ja kaluar këtë biznes rreth 120 milionë euro biznesmenes Vilma Nushi. Shumë ekspertë dhe mjekë në kushte anonime shprehen tepër skeptikë mbi besueshmërinë e rezultateve të vrojtimit. Sipas tyre, gjetja se Shqipëria është vendi me përdorimin më të lartë të kokainës në botë, nuk përkon me realitetin në terren, ku konsumi i kësaj droge edhe pse në rritje mbetet relativisht i ulët. Për shkak të besueshmërisë së ulët, rezultatet e këtij raporti nuk pasqyrohen në asnjë nga institucionet ndërkombëtare të specializuara në statistikat e përdorimit të drogës. Institucioni më kryesor në këtë fushë, qendra Evropiane për Monitorim të Drogave dhe Varësisë së Drogave, i cili financoi vrojtimin në Shqipëri nuk i ka përfshirë të dhënat e tij, por referon se në Shqipëri mungojnë të dhënat për përdorimin e drogës. Burime nga Instituti i Shëndetit Publik shprehin dyshime për besueshmërinë e gjetjeve të vrojtimit. Sipas tyre treguesit e këtij vrojtimi nuk korrenspondojnë me realitetin që vëzhgohet në terren. Debati për vrojtimin e drogave në vitin 2014 u rikthye, pasi tani prestigjiozja britanike “The Economist”, duke referuar të dhënat e këtij vrojtimi e cilësonte Shqipërinë si vendin me përdorimin më të lartë të kokainës në botë. Por më shumë se tregues i të vërtetës dyshimet janë se Shqipëria u shpall vendi që konsumon më shumë kokainë në botë, thjesht për të justifikuar dhënien e koncesionit të Check Up-it tek biznesmenja Vilma Nushi.