Të pakënaqurit e Ramës, krijojnë Polin e Tretë

462
Sigal

Gjinushi, Spahia, Koçi, Milo, Beqiri dhe Doda i kanë dërguar ftesë Topit për të maksimalizuar votën e tyre pa Ramën

Ndofta shprehja e Hamletit se “pa mbaruar akoma dollitë e dasmës u shtruan gjellët e funeralit”, nuk është plotësisht e përshtatshme për situatën e sotme në kampin e majtë, ku në fakt PS dhe LSI janë në festë, ndërsa shumica e partive aleate e konsiderojnë ditë zije, momentin e aleancës dhe bashkimit të dy të mëdhenjve. Për këtë arsye dje rreth orën 12:05 minuta krerët kryesorë të partive të majta aleate, Skënder Gjinushi, i PSD, Petro Koçi, i PSV-‘91, Paskal Milo, i PSD, Idajet Beqiri i Partisë Bashkimi Kombëtar dhe Marko Dauti i Partisë Komuniste, kishin lënë një takim tek “Rogneri”, për të biseduar mbi rrugën dhe strategjinë politike që do të ndjekin, pas rikthimit të Metës. Së bashku me ‘ta ishte edhe kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu. Por për shkak të lëvizjeve të shumta në “Rogner”, si edhe për nevojën e ruajtjes së fshehtësisë, apo garantimit të qetësisë për një mbledhje të tillë, aktiviteti i tyre u zhvillua në një nga lokalet që nuk bie fort në sy, pikërisht pranë Universitetit të Tiranës. Hyrja e tyre në këtë lokal është bërë një nga një, pothuajse njëlloj si në filmat e Kinostudios, kur xhiroheshin pjesë nga takimet ilegale.

Qëllimi i takimit

Qëllimi i këtij takimi, ose tema e vetme mbi të cilën u zhvilluan bisedimet ishte krijimi i Polit të Tretë, për të maksimalizuar votat e këtij grupi të mbetur aktualisht, jashtë vëmendjes së dyshes Rama-Meta. Ndërsa argumenti i dytë që u diskutua kishte të bënte me dërgimin e një ftese në adresë të FRD-së dhe konkretisht në adresë të Topit, për t’u ulur së shpejti në një tryezë të përbashkët, e cila mund t’i nxirrte të kënaqur të gjitha palët. Të pranishmit që e morën fjalën ranë dakord në parim me skemën e re që propozohet për partitë aleate, të majta. Kjo do të presupozonte një aleancë reale dhe të natyrshme të grupimit të majtë, ku mungonin vetëm Rama dhe Meta, dhe ku thuajse të gjithë të tjerët janë kundër koalicionit PS-LSI. Të pranishmit jo vetëm që u shprehën optimistë për produktivitetin e Polit të Tretë, por ata në bazë të llogarive mendojnë se në emër të këtij poli të tretë, mund të arrijnë të marrin disa deputetë.  Sipas burimeve të brendshme, aleatët e Majtë dyshojnë në një tradhti të partive të mëdha, ku sipas mendimit të tyre, dyshohet se ekziston një marrëveshje e fshehtë, apo e hapur midis tre partive: PD-PS dhe LSI, për të përjetësuar dhe ndarë midis tyre pushtetin politik. Për këtë arsye rezultati i takimit të parë midis 6 liderëve partiakë konsiderohet e suksesshme. Ndërsa data e një takimi të dytë nuk u caktua, por u la për ditët në vijim, duke pritur edhe përgjigjen e Bamir Topit, nga FRD-ja.

Megjithëse takimi u mbajt disi i fshehtë, përsëri mesazhet telefonike fluturuan menjëherë drejt Ramës dhe Berishës, nëpërmjet të cilëve ata u informuan për atë që po ndodhte. Dhe që në ato momente, në celularët e aleatëve mbërritën disa njoftime nga kupola rozë.

Takimi Rama- Gjinushi

Fill pas takimit, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi u thirr me alarm, në selinë e Partisë Socialiste, ku pati një takim kokë më kokë me Ramën. Gjatë këtij takimi thuhet se, Rama ka ushtruar një presion të fortë ndaj Gjinushit, për të mos e lënë atë të materializonte marrëveshjen e Polit të Tretë, ngaqë dihet mirë se nëse ky pol krijohet, atëherë votat kryesore të tij, do të merren nga e majta. Gjatë këtij takimi Rama ka mbrojtur alternativën e tij për koalicionin me Metën, duke paraqitur si argument se nëse ky koalicion konsolidohet, atëherë ekziston garancia për fitoren e 23 Qershorit. Qëllimi kryesor i Ramës ka qenë që të zbusë tonet e Gjinushit, i cili ka qenë jashtëzakonisht agresiv, duke e quajtur Metën, “tradhtar” dhe Ramën “fajtor”, për humbjen e ardhshme. Midis të tjerave Gjinushi i ka thënë Ramës: “Kjo është e pafalshme sepse në këtë mënyrë neve na ka humbur kauza”. Ndërsa Rama e ka ftuar Gjinushin të qëndrojë më afër PS-së, për të diskutuar klauzolat e nevojshme në ditët e ardhshme. Nga ana tjetër, një pjesë e krerëve të aleatëve të majtë kanë kërkuar të diskutojnë për situatën, me Ndre Legisin, i cili është i përzgjedhuri i Ramës për komunikimin me aleatët. Në këtë takim, apo bisedim, ata kanë pyetur Legisin se mbi ç’motive është ndërtuar alternativa e bashkimit Rama-Meta. Por ky takim me Legisin nuk ka rezultuar me sukses, sepse, Legisi është përgjigjur se ai vetë nuk ka ditur gjë më parë për aleancën Rama-Meta. “Unë e mësova këtë gjë nga televizori”, citohet të jetë shprehur Ndre Legisi. Dhe kjo i ka acaruar edhe më tepër aleatët, ndërkohë që data e takimit tjetër të tyre ende nuk është publikuar.   

Në mesnatë takimi Rama-Dule

Dje në darkë vonë, pak para mesnatës, rreth orës 23.54 minuta kryesocialisti Edi Rama takoi, kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dulen, me të cilin zhvilloi një takim, deri pak minuta pas mesnatës. Gjatë këtij takimi Rama i premtoi 1 deputet, 1 ministër dhe disa drejtorë drejtorie.

  Milo: “PS-ja të në japë shpjegime për koalicionin me LSI-në!”

Paskal Milo, një prej aleatëve të Partisë Socialiste, ka kërkuar nga kjo e fundit dhe lidershipi i saj, që t’u japin shpjegime për ftesën që i kanë bërë LSI-së për koalicion. “Ende nuk jemi deklaruar, po presim sqarime që do të bëhen së shpejti të ditura nga PS. Vetëm pasi të marrim këtë mund të mbajmë qëndrimin tonë. Një koalicion është i pranueshëm kur ka respekt reciprok të pjesëmarrësve në të. Mirëpresim që të respektohen sakrificat që ka bërë PDS dhe gjithë opozita në 8 vjetët që kanë kaluar”, ka thënë Milo gjatë një takimi me strukturat e partisë së tij në Devoll. Milo tha se në koalicionin e opozitës duhet të ketë respekt reciprok të pjesëmarrësve dhe se ai duhet të ndërtohet mbi baza të shëndosha morale dhe politike