Të Majtët braktisin PS, krijohet Grupimi “Fronti i Majtë Shqiptar”

607
Sigal

Më 15 mars 2014, mbledhja Mbledhja Themeluese. 5 partive të para mund t’u bashkohen të pakënaqurit Gjinushi, Milo, Partia e Emigrantëve, etj…

Të zhgënjyer nga qeverisja e së Majtës pas zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar, nga shpërfillja e premtimit për t’i bërë aleatët e zgjedhjeve pjesë të qeverisjes, afrimi në qeverisje i forcave të tjera politike që s’ishin në grupimin e Majtë në zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë sjellë krisjen e dukshme në kampin e majtë qeverisës. Tashmë, krisja nuk është thjeshtë shprehje pakënaqësie ndaj dyshes Nano-Meta, nuk është presion për t’i përfshirë në qeverisje, por një realitet i konfirmuar zyrtarisht. Në ballë të këtij rebelimi në gjirin e së Majtës, janë 5 partitë e ekstremit të majtë, mbrojtës të ideologjisë komuniste dhe Enver Hoxhës. “Kjo përçaje, apo më saktë krijimi i një grupimi tjetër të majtë, të cilin tashmë ne e kemi përgëzuar “Fronti i Majtë Shqiptar”, është një realitet dhe ka ardhur si nevojë e domosdoshme për shkak të situatës së rënduar në vend dhe pamundësisë së krerëve të së Majtës për të realizuar qeverisjen e premtuar. Këtij grupimi, që zyrtarisht merr jetë në datë 15 mars 2014

në Mbledhjen Themeluese të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit të Majtë Shqiptar, ku zgjidhen organet drejtuese, pritet t’i bashkohen dhe disa parti të tjera po të spektrit të majtë”- pohon për “Telegraf”, Marko Dajti, kreu i Partisë së Punës së Riorganizuar.

‘FRONTI I MAJTË SHQIPTAR’

Krijimi i ‘Frontit të Majtë Shqiptar’ u krijua para pak ditësh me nismën, mbledhjen përkatëse dhe firmosjen e aktit përkatës nga 5 krerë të partive të spektrit të majtë në Shqipëri. Sipas konfirmimeve zyrtare për “Telegraf”, pjesëtarët e para të këtij grupimi janë Partitë: Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve, Partia e Punës e Shqipërisë, Partia Komuniste “8 Nëntori”, Partia Toleranca e Re dhe Partia e Punës e Riorganizuar. Ja çfarë thuhet në njoftimin e lëshuar pas mbledhjes së krerëve të këtyre partive më 8 mars 2014: “Sot më 8 Mars 2014 ora 10:00-12:00, siç ishte njoftuar edhe më parë, u zhvillua takimi me përfaqësuesit e partive, Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve, Partia e Punës e Shqipërisë, Partia Komuniste  ‘8 Nëntori’, Partia Toleranca e Re dhe Partia e Punës e Riorganizuar. Pesë përfaqësuesit, me mandatin e partive përkatëse diskutuan me përgjegjësi e frymë mirëkuptimi, për nevojën e bashkëpunimit mes partive të majta dhe vendosën në unanimitet të plotë: 1- Krijimin e unionit politik, “Fronti i Majtë Shqiptar”. 2- Të organizohet më 15 Mars 2014, ora 10:00, Mbledhja Themeluese e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit të Majtë Shqiptar, për të zgjedhur funksionet, organet drejtuese dhe miratimin e dokumenteve përkatëse. 3- Të përgatiten dokumentet bazë dhe të merren masat për organizimin e Mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të FMSH. 4- Të përgatitet Rezoluta e krijimit të Frontit të Majtë Shqiptar me tezat mbi qëndrimet e veprimtarinë e këtij Fronti në kushtet e krijuara politike, dhe të miratohet në Këshillin e Përgjithshëm të datës 15 mars 2014. 5-‘Fronti i Majtë Shqiptar’ do të mbetet i hapur edhe për parti, shoqata e individë të tjerë që pranojnë platformën politike dhe organizative të tij”.

THEMELUESIT

Krerët e partive politike që janë nismëtarë e themelues të “Frontit të Majtë Shqiptar”, pohojnë se, gjithçka erdhi pas një analize të përgjegjshme të situatës shoqërore, ekonomike e politike në vend, neglizhencës deri në arbitraritet të PS-së e aleatëve ndaj partive më të vogla që mbajtën një peshë të konsiderueshme në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke sjellë dhe atë fitore që nuk pritej, si dhe nevojën e domosdoshme për të dalë sa më shpejt nga kolapsi që ndodhet Shqipëria. Një prej themeluesve, Marko Dajti, teksa argumenton nevojën dhe detyrat e këtij grupimi të së majtës, shprehet optimist për të ardhmen dhe rolin që do luaj ky grupim në politikë dhe në jetën e vendit. “Edi Rama, premtoi se, partitë aleate të zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit të kaluar, do të jenë pjesëmarrëse në qeverisjen e vendit pas fitores, por në fakt kjo nuk po ndodh. Qeverisja, pushteti, është ndarë mes dy të mëdhenjve. Kanë kaluar më shumë se 8 muaj nga zgjedhjet, e qeverisja pothuaj është akoma e paralizuar. Kriminaliteti është shqetësues, administrata si e mpirë. Aleatët, që nga Milo, Gjinushi e deri tek ne të tjerët, nuk jemi afruar në qeverisje. Ndërkohë, me poste të rëndësishme shtetërore, shpërblehen parti që nuk kanë qenë në koalicionin e së majtës në këto zgjedhje. Kështu nuk mund të vazhdohet, ndaj krijimi i ‘Frontit të Majtë Shqiptar’ ka si mision të ndryshojë gjendjen në vend, të kthej barazinë sociale. Së shpejti presim në këtë grupim dhe parti të tjera të majta”- pohojnë themeluesit e këtij grupimi.

FUNKSIONIMI DHE ALEATËT

Po si do të funksionojë ky grupim!? Ndonëse forma e saktë e funksionimit dhe detyrat më konkrete pritet të vendosen më datë 15 të këtij muaj në Mbledhjen Themeluese të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit të Majtë Shqiptar, krerët e partive themeluese, japin dhe disa detaje paraprake. Sipas tyre, model i drejtimit të këtij grupimi, do të jetë praktike e ndjekur më 8 nëntor të vitit 1941, kur krerët e partive shqiptare, vendosën themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë në Tiranë. Më 8 nëntor të vitit 1941, pas disa dit mbledhje, në përfundim, në zgjedhjen e organeve drejtuese, përkatësisht në krye të partisë, u ra dakord që të mos jetë asnjë nga krerët e partive pjesëmarrëse, por një tjetër. Kështu që në krye të Partisë Komuniste u zgjodh Enver Hoxha. “Kështu mendojmë që të veprojmë edhe ne. Asnjë nga krerët e partive që përbëjnë këtë grupim, të mos zgjidhet kreu i grupimit, por një person tjetër. Kjo do të bëj që të gjithë të jemi të barabartë dhe të kontribuojmë të gjithë maksimalisht për realizimin e  objektivave dhe përmirësimin e gjendjes në vend”,- shton Marko Dajti. Po partitë e reja të këtij grupimi cilat mund të jenë? Themeluesit e “Frontit të Majtë Shqiptar” thonë se priten dhe disa parti që të afrohen në këtë grupim. “Kemi marr kontakte me disa prej tyre, e pothuaj kemi rënë dakord. Por afrimi do të jetë çështje kohe, e shpresojmë shumë i shpejtë. Shumë parti ndjehen jo vetëm të neglizhuara, por dhe të fyera nga PS e LSI, pasi vazhdojnë të jenë jashtë qeverisjes, ndonëse kanë fituar vota të konsiderueshme në zgjedhjet e fundit parlamentare në favor të së Majtës. Burime jo zyrtare nga ky grupim shtojnë se “anëtarë të rinj të ‘Frontit të Majtë Shqiptar’ mund të jenë Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Partia e Emigrantëve dhe disa të tjera”.

REAGIMI

Ndonëse ka kaluar një afat i shkurtër kohor, themelimi i këtij grupimi ka sjellë pështjellim tek drejtuesit e PS-së. Mësohet se kanë nisur kontaktet dhe ri premtime nga emisarë të qeverisjes për penguar zgjerimin e këtij grupimi me parti të reja. “Praktika e nënvleftësimit dhe përçmimit të partive të vogla, ka lënë një shije të hidhur tek Edi Rama dhe e majta. Vetëm votat e Hysni Milloshit për Berishën e  PD-në në zgjedhjet vendore pasi PS nuk e afroi, i hoqën Ramës kreun e bashkisë e ja dhanë (ndonëse me kontestim) atë Lulzim Bashës. Ndërsa partitë aktuale të ‘Frontit të Majtë Shqiptar’ kanë vota konsiderueshme e me shumë peshë në një ballafaqim elektoral”,- shtojnë burimet e mësipërme.