Të larguarit nga puna: Mos luani me jetët tona!

434
Sigal

Dhjetëra grevist pritet t’i bashkohen grevës 20 ditore

Të larguarit nga administrata pas ardhjes në pushtet të së majtës, vazhdojnë grevën e urisë prej orës 21:00 të 21 majit. Dje paradite, 4 persona, mes tyre dhe një mjeke i janë bashkuar grupit të parë. Të vendosur në 2 çadra pranë Kryeministrisë, grevistët thanë se, zgjodhën këtë formë ekstreme të protestës, pasi zëri i tyre për drejtësi po binte në vesh të shurdhët. Ndërkohë, dje nisi puna për ngritjen e 4 çadrave të tjera në lulishten përpara Piramidës. Gjatë ditës deputetë të PD kanë vizituar çadrën e grevës. Ata kanë kërkuar të sqarojnë se, kjo grevë nuk është e organizuar nga ata, por ata e mbështesin pasi është një kauzë që e kanë ngritur për shqetësim dhe e mbrojnë si opozitë.

Kërkesat e grevistëve:

-Të kthehen në punë të larguarit pa të drejtë

-Të zbatohet ligji i nëpunësit civil

-Të zbatohen vendimet e gjykatave

-Të garantohet transparencë me numrin e punonjësve të shkarkuar

-Të merren përgjegjësitë për shkeljet ligjore ndaj punonjësve të administratës

Ja kush janë të larguarit nga puna që kanë hyrë në grevë urie:

1-Petrit Fejzullari, 50 vjeç ka punuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore në Drejtorinë Rajonale të Tiranës prej 13 vitesh.

2-Gladiola Bardhoshi, 30 vjeçe, ka punuar si punonjëse sociale.

3-Nertila Qafzezi, 28 vjeçe, ka punuar specialist e Zyrës së Punësimit prej katër vitesh.

4- Vera Picaku 40 vjeçe, ka punuar në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.

5-Artan Murrizi rreth 45 vjeç. Ka punuar Inspektor në Drejtorin e Inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë prej 4 vitesh.

6- Olgerta Shkurti 35 vjeç, ka punuar në Drejtorin Rajonale të Punësimit në Tiranë prej 5 vitesh.

7-Agron Dervishi ka punuar Inspektor në Sigurimet Shoqërore në Gjirokastër prej 7 vitesh.

8-Preng Vukaj, ka punuar punëtor gjelbërimi në Ndërmarrjen numër 2 të trajtimit të studentëve në Qyteti Studenti.

9-Astrit Likaj, ka punuar në Sektorin e Financës në Zyrën e Punësimit në Tiranë prej 5 vitesh.

10- Ludovik Berisha, nga Berati me funsksion operues pranë PMZSH

11-  Mimoza Boçari, mjeke në gjermani

12- Edmond Idrizi Ish-kryeinspektori i Drejtorisë së Administratës Publike

13-Mehmet Cemurati ish-ushtarak

14 – Sokol Ukperaj ish-specialist tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore

Problemet shëndetësore të grevistëve

Një nga 14 grevistët e urisë ka shfaqur probleme shëndetësore. Ludovik Berisha 28 vjeç, ka shfaqur shenja dobësie. Menjëherë është njoftuar ekipi mjekësor që ndodhet në dispozicion të grevistëve për t’i dhënë ndihmën e parë.

Basha-Ramës: Mos luaj me zjarrin

Ndërkohë që para çadrës ish-kryeministri Berisha, por dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha kanë bërë thirrje për rezistencë për këtë kauzë, që sipas Bashës për grevistët është humane, ndërsa për ata kauzë politike.  Madje, ata i kanë bërë thirrje Ramës të mos luajë me zjarrin. “Mos mendo të ngresh dorën mbi këta njerëz. Boll ke luajtur me këta njerëz, zbato ligjin. Mos luaj me zjarr, se do digjesh”,- tha Basha.

Greva do të zgjasë 20 ditë

Ndërkohë, burime për “Telegraf” bëjnë të ditur se, grevistët nuk do të dorëzohen, por parashikohet që greva të vazhdojë për gati 20 ditë, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. 14 grevistëve pritet që t’i bashkohen dhe dhjetëra grevist të tjerë dhe ndoshta dhe familjarë të tyre. Organizatorët e grevës dhe mbështetës, vazhdojnë të sjellin ushqime dhe batanije për grevistët. Tashmë çadrat janë rrethuar me shirita dhe nuk lejohet të hyjnë persona të paautorizuar.

 Protesta/ Rreth 30 mijë protestues marshojnë në rrugët e Tiranës

 Ditën e sotme pritet të zhvillohet një ndër protestat më të mëdha në vend, ku mijëra protestues do të marshojnë në sheshet e Tiranës nën sloganin “Një popull në këmbë kundër drogës; Rama në shtëpi!”  Ashtu sikurse dhe të premten e kaluar, kauza e kësaj proteste është trafiku i drogës dhe përfshirja në të e strukturave të Forcave të Armatosura. Protestuesve të Tiranës priten tu bashkohen edhe mijëra protestues e militantë të Partisë Demokratike nga rrethet, të rinj dhe prindër. Burime për “Telegraf” bëjnë me dije se, në protestën e sotme priten të jenë të pranishëm pjesa dërrmuese e të anëtarësuarve në partinë e djathtë. I ftuar në një media, një nga koordinatorët e protestës së opozitës, Kreshnik Çollaku u shpreh për një pjesëmarrje të gjerë të popullit opozitar protestën e sotme kundër trafikut të drogës, që sipas tij, i ka lidhjet e saj me pushtetin. Çollaku ndër të tjera bëri thirrje që policia të mos bllokojë ardhjen e protestuesve nga rrethet. “Tirana nesër do jetë e mbytur nga demokratët, policia të mos provokojë. Është praktikë e njohur tentativa për të vonuar dhe bllokuar mjete e njerëz. Njerëzit vijnë në mënyrë private ne nuk vëmë në dispozicion transportin”,- sqaroi ai. Çollaku tha se, të gjithë ata që vijnë në protestë, nuk janë të paguar, por të revoltuar për situatën e krijuar nga droga. Ndërkohë, “Telegraf” ka arritur të sigurojë detaje rreth protestës, ku mësohet se, organizatorët e protestës kanë marrë masa për të siguruar kushte për rreth 5 mijë persona që priten ta kalojnë natën e sotme në shesh, tek lulishtja. Për këtë janë porositur rreth 8 mijë sanduiç e pica, ujë e lëngje, si dhe batanije, si dhe mendohet të ndizen zjarre gjatë natës. Gjithashtu, mësohet se, janë porositur bluza bojëqielli me yjet e Europës për të treguar se, asgjë nuk na ndan nga Europa, flamuj, si dhe foni. Ndër të tjera, mësohet se, është diskutuar nga grupe opozitare që gjatë protestës dhe në mbrëmje të ketë dhe këngëtarë të ftuar, për të treguar që edhe një kauzat më të mëdha dhe serioze, demokratët e duan Europën dhe nuk mund të sillen ndryshe, veç me kulturë dhe etikë.

Lulzim Basha në Vlorë: Pro Europës, kundër drogës!

 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në vijim të turit në qytetet e vendit me moton “Një popull në këmbë kundër drogës; Rama në shtëpi”, është ndalur në qytetin e Vlorës nga ku ka ftuar shqiptarët që të premten në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” t’i përcjellin Europës mesazhin se shqiptarët janë pro Europës, kundër drogës. Në një kohë kur vendet e Bashkimit Europian, ditë përditë përballen me tonelata droge të ardhura nga Shqipëria, protesta e të premtes është sinjali më i qartë, tha Basha, duke vijuar se “shqiptarët janë të vendosur ta shkëpusin Shqipërinë nga narkotrafikantët duke larguar mbështetësit e tyre në krye të qeverisë”. “Me lëvizjen tonë të premten, ne do të çojmë një mesazh të fuqishëm edhe për integrimin. Duke i thënë Europës se shqiptarët janë europiane në dinjitet dhe se narkotrafikantët janë një realitet i papranueshëm, dhe që shqiptarët janë të vendosur ta shporrin nga Shqipëria bashkë me përgjegjësin që i solli në krye të vendit”,-  tha Basha. Ai theksoi se, situata ekonomike në Shqipëri është shumë e rëndë, papunësia është ulur këmbëkryq si asnjëherë më parë dhe nuk ka asnjë dritë në fund të tunelit, është e kuptueshme që ndokush edhe mund të mendojë se droga është një alternativë. Droga nuk ka zgjidhur probleme. Droga ka hapur probleme”.