Të hënën, vendimi i Kolegjit Zgjedhor, për përsëritjen e zgjedhjeve në Korçë

395
Sigal

Reagojnë kreu i PD-së së Korçës Gjergj Papa dhe kandidati blu Sortiraq Stratobërdha

Kreu i Partisë Demokratike të Korçës, si edhe kandidati i kësaj partie për Bashkinë e Korçës, Sotiraq Stratobërdha, presin të hënën vendimin e Kolegjit Zgjedhor, për përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qytet. “Kolegji duhet të përsërisë zgjedhjet për shkak të blerjes masive të votave”, është shprehur kryedemokrati i këtij qyteti, Gjergji Papa, ndërkohë që, Stratobërdha vuri në dukje se, “blerja e votës gjatë ditës së zgjedhjeve mori përmasa të frikshme.

Pa u ulur akoma gotat e shampanjës, me të cilat deputetët socialistë uronin kandidatin rozë për fitoren e zgjedhjeve të Kryebashkiakut, papritur veprimi profesional dhe investigativ i gazetarit Filip Çakuli, ua ngriu fituesve buzëqeshjen dhe ua kthehu festën në ankth. Sepse sipas fakteve që Çakuli i paraqiti të filmuara dhe në mënyrë bindëse dukej qartë se, kjo fitore në një pjesë të rezultatit të saj, përbënte një turp. Për shkak se disa vota ishin blerë dhe kjo gjë ishte fiksuar në panoramat filmime. Për këtë arsye dhe duke njohur korrektësinë e zotit Çakuli, askush nuk dyshoi në vërtetësinë e lajmit të dhënë, nga “FIKS FARE”. Madje, opozita e Berishës, e cila deri dje e konsideronte gazetarin dhe investiguesin e talentuar, Filip Çakuli, si një skenarist të grushtit të shtetit, më 21 janar, tani e vlerësoi zbulimin e tij, duke e përdorur atë filmim, për t’u hedhur në ofensivë kundër maxhorancës. Kështu, njeriu që dikur ishte akuzuar personalisht nga  Sali Berisha, si skenaristi i 21 janarit, tani u vlerësua shumë nga demokratët. Dhe drejtuesit e PD-së, me kasetën e Filip Çakulit në dorë, u drejtuan te Kolegji Zgjedhor për të denoncuar aferën korruptive të blerjes së votave dhe përsëritjen e zgjedhjeve për Kryebashkiakun e Korçës. Nga ana tjetër, u desh që Berisha të kalonte në opozitë për të kuptuar se, Filip Çakuli i ka shërbyer gjithmonë me përkushtim profesional, misionit të gazetarit, duke investiguar vazhdimisht aferat korruptive qoftë nga e majta ose edhe nga e djathta. Dje, ne komunikuam me kreun e PD-së në Korçë, Gjergj Papa dhe kandidatin e kësaj partie, Sotiraq Stratobërdha.

 Gjergj Papa: Të përsëriten zgjedhjet!

Akuza që kemi ngritur ne ka të bëjë me blerjen e votës. Këtë fenomen ne e kemi konstatuar të gjithë, gjatë ditës së votimit por nuk e kemi evidentuar dot në mënyrë filmike dhe padyshim, emisioni “Fiks  Fare” dha një ndihmesë të jashtëzakonshme, për zbulimin dhe faktimin e së vërtetës. Dhe mbi këtë bazë ne kërkuam në KQZ ripërsëritjen e zgjedhjeve, por meqenëse KQZ-ja nuk e ka numrin e nevojshëm për marrjen e vendimeve të tilla, e kaloi problemin për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor. Sipas meje, Partia Socialiste në ditën e zgjedhjeve aplikoi një skemë të vërtetë manipulimi me blerjen e votave me anë të kartëmonedhave 20 mijë lekëshe të vjetra.

Kandidati demokrat, Sotiraq Stratobërdha

Unë personalisht, pres nga Kolegji Zgjedhor që ditën e hënë të japë vendimin për përsëritjen e zgjedhjeve. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për 200 vota, por për, disa herë më tepër se kaq. Pas skandalit të publikuar nga emisioni “Fiks Fare”, ne kemi komunikuar me votues të ndryshëm në shumë zona të tjetra, të cilët na kanë informuar se blerja e votave është bërë në të gjithë Korçën, ose të paktën në shumiciën e zonave të Korçës. Mos harroni edhe një gjë: Opozita duhet të kërkojë gjithmonë të drejtën e vet, që shkelet vazhdimisht nga arroganca dhe manipulimi i qeverisë.

Kolegji Zgjedhor të hënën merr vendimin

Kolegji Zgjedhor vendosi të marrë në administrim provat e paraqitura nga PD-ja, si dhe pamjet filmike të emisionit investigativ “Fiks Fare”. Zgjedhjet e Korçës kaluan në Kolegjin Zgjedhor, për shkak të kërkesës së PD-së për t’i shpallur ato të pavlefshme, me pretendimin se ka pasur blerje të votës, pas publikimit të videos në emisionin “Fiks Fare”. Përfaqësuesi i PD-së në Kolegjin Zgjedhor, Ivi Kaso ka kërkuar përsëritje të zgjedhjeve dhe që të merren në provë pamjet filmike. Kaso është shprehur se: “Videoja e publikuar vërteton blerjen e votës, duke cenuar Kushtetutën”. Ndërsa, PS-ja ka kërkuar në mbledhje që të rrëzohet kërkesa për pavlefshmëri të zgjedhjeve. Ndërsa në atë mbledhje, përfaqësuesi i PS-së, Salianji i ka kërkuar Kolegjit që të rrëzojë kërkesën e PD-së, pasi është abuzuar me padinë. Sipas Salianjit, videoja e publikuar nuk ka lidhje me këtë çështje.  Për afro 20 minuta, Kolegji Zgjedhor morri në shqyrtim të gjitha provat, dhe në fund relatori i çështjes, Fuat Vjerdha vendosi të marrë në administrim provat e PD-së. Por seanca u shty për ditën e hënë, më datë 18 nëntor ora 15:00, ku do të merret vendimi për përsëritjen ose jo të zgjedhjeve për Bashkinë e Korçës.