Të hënën fillojnë punësimet e reja

49

Ministrja Harito: “Javën tjetër nisin konkurset për punësimin në administratë”. Reagojnë Shehi e Ndoka: Jemi kundër

Sikur të mos mjaftonin debatet për zëvendësimin e drejtorëve të drejtorive, zëvendësve të tyre, apo specialistëve të policisë, tani gjatë javës që vjen, duket se politika do të ndezë një polemikë të re, që padyshim do të jetë më e madhja gjatë këtyre javëve të rrotacionit qeverisës. Kjo, sepse tanimë spastrimi i institucioneve, ose e thënë më butë, zëvendësimi i administratës do të përfshijë specialistët e niveleve të thjeshta dikasteriale, të cilët në fakt, përbëjnë shumicën. Kështu, duket se maxhoranca ka ndezur sinjalin e urgjencës për të zëvendësuar kontigjentin e të punësuarve në administratë, me përfaqësues, apo simpatizantë të koalicionit të majtë, duke shënuar një shkak tjetër për të ndezur në shkallën më të lartë, sherrin midis dy kampeve kundërshtare,

Deklarata e ministres Harito

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, deklaroi dje se: “Javën e ardhshme hapen konkurset për punësimin në administratë publike”. Pra, e thënë ndryshe, kjo do të thotë që pjesa e mbetur e administratës, e vendosur nga PD-ja, duhet të lirojë karriget. Natyrisht, kjo është e papranueshme nga kampi blu, të cilët prej javësh kanë kërkuar të mos bëhet asnjë lëvizje në administratë, por të hyjë në fuqi menjëherë, ligji i miratuar në Maj “Për Administratën Civile”. Por nga ana e socialistëve, nxitimi qëndron në shfrytëzimin e kohës, që u dha periudha e diskutimit dhe miratimit të Kodit Normativ dhe ata po nxitojnë të ndryshojnë vendet në administratë, para muajit prill, ose para hyrjes në fuqi të ligjit për administratën. Prandaj, kjo furtunë largimesh dhe zëvendësimesh të reja, këtë radhë pritet të ketë më shumë hapësirë duke u zgjeruar deri në vendet më të ulëta të administratës. Dje, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike është shprehur gjithashtu  se, “vendet vakante në administratë do të plotësohen përmes konkurseve, ku do të fitojë ai që e meriton”. Ajo ka theksuar se me anë të konkurseve do t`i jepe fund epokës, ku vendet e punës paguheshin me shuma të majme. “Që javën e ardhshme, do të nisin gradualisht konkurset për këto vende pune. Është e rëndësishme që të kuptohet që institucionet e administratës fiskale janë jetike”, tha ajo. E përkthyer ndryshe, kjo do të thotë se pas këtyre konkurseve, maxhoranca do të mbulojë të gjitha këto vende pune, duke larguar që andej përfaqësuesit e opozitës. Kjo deklaratë e ministres, vjen menjëherë, pas publikimit të Progres Raportit për Shqipërinë, nga ana e ndërkombëtarëve. Pra, duket se maxhoranca priti edhe publikimin e këtij Progres Raporti, pastaj ndërmori operacionin ndaj administratës, në mënyrë që ky proces të mos linte shije të keqe, apo ndikim negativ te ndërkombëtarët. Ndërsa tani, drejtuesit e koalicionit të Majtë, duken të qetë dhe të gatshëm për operacionin “fshesa” në administratë.

Dashamir Shehi: Skema e politikës së vjetër

I pyetur për këto zhvillime të pritshme, deputeti i LZHK-së, Dashamir Shehi tha se: “Ky është një veprim i padrejtë, i cili përbën një provokim të panevojshëm, nga ana e maxhorancës”. Duke analizuar më tej, Shehi tha: “Me këto urgjenca për zëvendësimin e administratës nga një parti, në tjetrën, në fakt nëpunësit tanë nuk po gjejnë dot rehat. Sepse ata ulen dhe ngrihen nga karriget, sipas dirigjimit të liderëve, por ne nuk duhet të harrojmë që në administratë ka plot njerëz të aftë e të nevojshëm për t’u dalë zot punëve”. Sipas tij, edhe nëse duhej hequr individualisht, ndonjë individ i kësaj administrate, kjo duhej bërë nëpërmjet një testimi, apo një radioskopie për aftësitë e tij, ose për paaftësitë e tij. Dhe i njëjti testim duhet bërë, sipas Shehit edhe për ata individë që do të futeshin në punë, në këto dikastere. “Ndërsa tani zyrtarët po hiqen dhe po vihen, pa asnjë lloj testimi”, vuri në dukje ai. Dhe duke folur për ditët e para të qeverisjes së të Majtëve, Shehi, tha se nuk ka ndonjë ndryshim apo diferencë nga vitet e mëparshme. “Unë vetë, nuk shoh ndonjë ndryshim pozitiv, në sjelljen e maxhorancës së re, gjatë këtyre javëve të para. Kështu që qysh në fillim, defektet janë të dukshme”, tha Shehi. Dhe në fund, ai u shpreh se kjo është skema identike e lojës së vjetër të politikës, me të cilën qytetarët shqiptarë janë lodhur.

Nard Ndoka:  Goditje e rëndë ndaj administratës

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka e quajti një goditje të rëndë të maxhorancës ndaj strukturave të konsoliduara të administratës shtetërore. Ai tha: Nuk duhet të harrojmë se kjo administratë është e kualifikuar e trajnuar dhe e specializuar, jo vetëm me fondet e shtetit, por edhe nga ana e ndërkombëtarëve, prandaj ndryshimi i kësaj administrate me  një të lëvizur të lapsit, është një gabim që do të kushtojë shumë, në ecurinë e demokracisë shqiptare.

Av. Altin Goxhaj: “Letrat për pushimet nga puna, janë konsultuar nga PS-ja”

Nga ana e vet avokati dhe kreu i ZMK-së, Altin Goxhaj, sqaroi se: “Të pushuarit nga administrata publike duhet të dokumentojnë të gjithë marrëdhënien e tyre të pushimit dhe të kërkojnë asistencë ligjore pranë PD-së. Shkelja e ligjit është e hapur, sepse arsyet e pushimit nuk lidhen me performancën e tyre në punë, por me vendimet e reja të shefave të rinj, nëse ata ndjekin rrugën ligjore mund të kthehen në punë, ose të përfitojnë pagën. Ata duhet të këshillohen me një jurist për sjelljen që duhet të kenë dhe mbi të gjitha me procedurën që do të ndiqet ndaj tyre, që të mos firmosin asgjë. Ata nuk duhet të pranojnë asnjë presion dhe duhet të dokumentojnë presionin që do t’u bëhet. Do t’i kërcënojnë me ndjekje penale, në rast se nuk pranojnë të firmosin largimin nga puna. Punënxjerrësit,  duhet të përdorin celularë për të dokumentuar fyerjet, abuzimet, presionet, kërcënimet, dhe mashtrimet. Një ndër argumentet më të forta, që kanë të pushuarit, është se ata nuk po pushohen për arsye të performancës së tyre,  por për të lëshuar vendin e punës, ndërkohë që ata kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim se kanë marrë vendime të rëndësishme jete për t’u punësuar, duke refuzuar oferta të ndryshme dhe plane të tjera. Ata mund të përfitojnë një vit, 6 muaj, rroga. Numri  i të pushuarve, që fillojnë që të hënën në të gjithë Shqipërinë mund të shkojë 10 mijë vetë në të gjithë Shqipërinë dhe i vetmi qëllim është punësimi i militantëve, të cilët kanë rritur presionin në të gjithë Shqipërinë ndaj deputetëve dhe Kryeministrit. Nëse nuk janë ndjekur procedurat për punësimin e tyre më parë, nuk është faji i tyre, por i atyre që i kanë punësuar. Unë di plot raste që janë pushuar apo janë duke u pushuar persona me eksperiencë dhe formim profesional shumë të lartë”, tha avokati, Altin Goxhaj.