Të gjithë punonjësit e Administratës të shpërndajnë në fb fjalimet live të Ramës. Beqaj, ndëshkim për indiferentët

500
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Mesazhi: Të gjithë punonjësit të shpërndajnë lidhjen live të Ramës. Do supervizojë Beqaj

Kryeministri angazhon me detyrim administratën publike të bëjë komente pozitive për qeverinë në rrjete sociale

Në administratën Publike janë punësuar 318 nëpunës që merren me informimin, që me fjalë të tjera, merren me propagandimin e politikave qeveritare të Rilindjes. Mirëpo, kjo është e pamjaftueshme, prandaj, njerëzit që drejtojnë propagandën e kryeministrit Rama detyrojnë çdo nëpunës të Administratës Publike, që të jetë aktiv (edhe në orarin e punës) me rrjetet sociale dhe DETYRIMISHT, duhet të shpërndajnë të gjitha aktivitetet live të kryeministrit Rama, ato që transmeton ERTV, ato që shkruan kryeministri Rama në rrjetet sociale. Madje, ky “përkushtim” i nëpunësve të shtetit për të propaganduar në rrjetet sociale fjalimet, videot, shkrimet e kryeministrit Rama SUPERVIZOHET nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili është specialist i “spiunazhit” digjital.

Detyrat e punonjësve të shtetit për sot

Sot kryeministri do mbajë fjalën në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, të cilën duket se e ka me shumë merak, pasi gjithë administrata ka marrë dje një mesazh në celular, ku u thuhet të shpërndajnë sa më shumë lidhjen live të Ramës si edhe të bëjnë sa më shumë komente. Punonjësit e administratës, madje paralajmërohen se i gjithë angazhimi i tyre do të bëhet me superviziom nga Ilir Beqaj, i cili në fund do paraqesë edhe një pasqyrë të punës së kryer nga të gjithë. Pra, punonjësit e shtetit urdhërohen, që të mos bëjnë detyrën shtetërore, për të cilën paguhen, por të jenë aktiv në rrjetet sociale për të shpërndarë live fjalimin e kryeministrit Rama, të bëjnë sa më shumë komente superlative, por edhe si ushtri, të sulmojnë këto që guxon dhe kritikon kryeministrin Rama në rrjetet sociale.

Mesazhi urdhërues i Partisë për punonjësit e Administratës

“Të hënën ora 10.00, Kryetari Rama do ketë një fjalë në mbledhjen e Grupit. Duhet të organizohemi me të gjithë digjitalet në çdo cep për një shpërndarje sa më të madhe dhe sa më shumë interaktivitet. Interaktivitet nuk do të thotë vetëm 1, por të gjithë (TË GJITHË) duhet të bëhen pjesë e bashkëbisedimit me komentet përkatëse. Sekretari digjital Beqaj do të komunikojë edhe me rrjetin. Do jetë një ushtrim i rëndësishëm të shohim ku jemi. Në fund do të kemi një pasqyrë, ku jemi sepse do të jetë me supervizim.”, – thuhet në mesazh. Rast flagrant ky, i përdorimit të punonjësve të administratës, në shërbim të propagandës qeveritare.