Të gjithë mungojnë në seancën e Armando Prengës, rrezikohet formimi i kolegjeve

385
Sigal

 

Gazeta telegraf/ 


Seanca e radhës ndaj deputetit Armando Prenga, nën akuzë për
plagosje dhe kanosje, është shtyrë. Armando Prenga mungoi, avokati mungoi, por
e pazakontë ishte mungesa e gjyqtarit Ardian Dvorani.

Që prej 15 shtatorit, kur Gjykata e Lartë rinisi punën pas sezonit
veror, Ardian Dvorani nuk paraqitet në asnjë proces gjyqësor.



Çështja e tij komplikohet si në asnjë rast të ngjashëm më parë, sepse
përplas një vendim të Gjykatës Kushtetuese me Kushtetutën e re. Në fund të
qershorit Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetues një pikë të ligjit që
lejonte qëndrimin në detyrë, pas mbarimit të mandatit të një anëtari të
Gjykatës së lartë derisa ai të zëvendësohej.

Kërkesa ishte e Partisë Demokratike, sipas të cilës, Ardian Dvorani po
qëndronte në detyre edhe dy vjet pas mbarimit të mandatit të tij 9-vjeçar.

Sipas demokratëve, mazhoranca ka rrëzuar të gjithë dekretet e
Presidentit për vendin vakant për të mbajtur në detyrë Ardian Dvoranin. Por
vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk hyri në fuqi deri në 12 gusht, kur ai u
botua në Fletoren Zyrtare.

Kjo do të thotë se vendimi që largonte Dvoranin nga detyra u botua dy
ditë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re, e cila ka lënë hapësira që Ardian
Dvorani të qëndrojë në detyrë derisa të zëvendësohet. Këtij konflikti juridik i
referohet Ardian Dvorani, kur ka marrë vendimin për të mos u paraqitur në asnjë
seancë gjyqësore.

Është e paqartë sesi do të zgjidhet ky konflikt, por pas mungesës së
Dvoranit, Gjykata ka mbetur me 14 anëtarë, duke rrezikuar formimin e kolegjeve,
pa të cilët Gjykata nuk mund të japë një vendim.