Të gjithë “armiq” të korrupsionit, të gjithë të korruptuar

453
Të gjithë armiq të korrupsionit, ama të gjithë e “ngjyejnë kafshatën” në llumin e zi të korrupsionit. Zyrtarë, politikanë, drejtues e ministra, gjyqtarë e prokurorë, avokatë e noterë, mësues e pedagogë, të gjithë deklarohen “armiq” të korrupsionit, të gjithë rrahin gjoksin, duke u mburrur se “do ta luftojnë dhe do ta zhdukin korrupsionin”. Lufta ndaj korrupsionit prej 25 vitesh ka “flamurtarët” dhe viktimat e veta. Të parët e kanë penguar seriozisht betejën e pamundur, të dytët, shpesh nuk kanë kurajën ta denoncojnë.
Korrupsioni, shtet brenda shtetit
Sot korrupsioni ka ngritur strukturat e veta paralele me shtetin dhe funksionon brenda shtetit, duke i qëndruar ndryshimeve ligjore dhe politike. Korrupsioni është i pandarë nga jeta e përditshme dhe pjesë e pandarë e çdo zyrtari apo politikani. Në Shqipëri korrupsionit i kanë shpallur luftë të gjithë, por ai ka ditur dhe vazhdon të mbijetojë. Të gjithë çirren dhe vetëshpallen “armiq” të korrupsionit, kryeministra e deputetë, ministra e presidentë, gjyqtarë e prokurorë, policë e drejtorë, biznesmenë e fermerë, por të gjithë janë faktorë stimulues të korrupsionit. Në Shqipëri tani ka viktima dhe xhelatë të korrupsionit. Të parët janë shtresat e ulëta të shoqërisë, të dytët janë shtresat e larta të saj. Të gjithë marrin dhe japin, të gjithë e joshin dhe e forcojnë sistematikisht korrupsionin. Në Shqipëri edhe gjatë 45 viteve të shkuara kishte grimca korrupsioni, që kufizohej tek pulat dhe gjelat që u dërgoheshin zyrtarëve, shefave, kryetarëve dhe brigadierëve. Por pas viteve ’90, korrupsioni nisi të mbushte zyrat e çdo institucioni, duke nisur nga bashkitë, komunat, qarqet dhe prefekturat, kadastrat e hipotekat, doganat dhe policinë, gjykatat dhe organet e tjera të drejtësisë. 
Korrupsioni ble listat e deputetëve dhe emërimet në administratën publike
Shumë shpejt nisi lufta për poste të blera me para, lufta për t’u renditur në lista deputetësh në partitë politike, duke dhënë para si dhe gara e emërimeve dhe shkarkimeve. Korrupsioni u bë domosdoshmëri dhe profesioni i dytë i çdo politikani, zyrtari, gjyqtari, prokurori, avokati, noteri, ministri, e drejtori. Gjithçka nis diskutohet dhe vendoset, pasi bie në ujdi për paratë. Shqiptarët tashmë janë mësuar me faktin se një vend pune qoftë edhe si roje objekti shkon tek rreth 1 milion lekë, një vend pune në zyrë shkon diku tek 8 mijë eurot, një post drejtori shkon deri 150 mijë euro, një vend gjyqtari apo prokurori shkon deri 200 mijë euro, kurse posti ministrit ka pazare të tjera politike. Gjithë jeta e përditshme e shqiptarëve gjendet nën efektet e korrupsionit, aq sa shumica mendojnë se kanë lindur me korrupsionin. Nuk mund të trokasësh dhe të kërkosh të mbarosh një hall, apo zgjidhësh një problem, në rast se nuk jep para, paçka se mund të kesh të drejtë. Ky realitet denigrues ka shkatërruar institucionet dhe zyrtarin, kurse qytetarin shpesh e kthen në sekser. Por ky ves apo fenomen kaq negativ ka denigruar edukimin dhe formimin e brezave të rinj, shkollat, spitalet, drejtësinë dhe gjithçka tjetër. Në të gjitha ditët e vitit flitet për “projekt-ligje, platformë politike”, apo angazhime të zgjedhurish për të shmangur dhe luftuar korrupsioni. 
Asnjë zyrtar i lartë dhe politikan i dënuar për korrupsion
Nuk gjen një kryetar njësie vendore, një ministër, kryeministër, kryetar gjykate, apo prokuror të mos ketë si kryefjalë të fjalimeve të veta “luftën ndaj korrupsionit”. Por fakti është se, pas ceremonive dhe fjalimeve, ata korrupsionin e heshtur dhe të “zhurmshëm” e shohin si burimin e vetëm të pasurive të tyre. Shpesh deklarohen “armiqtë e korrupsionit” ata që denoncohen çdo ditë nga qytetarët. Fakti është se, korrupsioni është i pranishëm edhe në vendet e tjera fqinje me ne edhe ato europiane, por në Shqipëri ka një ndryshim esencial që lidhet me trashëgiminë tonë gjenetike, me egërsinë. 
Dhuna verbale e pushtetarëve për të zhvatur edhe qindarkat e hallexhinjve
Këtu afera korruptive dhe oferta e marrjes së parave për shërbimin në institucionet e shtetit, bëhet nga zyrtarë harbutë, nga sekserë analfabetë dhe me dhunë verbale hapur fare. Pra tek ne nuk ka “etikë”, as zhvatja e parave. Një zyrtar, një drejtues, një kryetar njësie vendore, apo qendrore, një gjyqtar apo polic, një pedagog apo drejtor shkolle, viktimës së tij ja merr paratë pothuajse me dhunë, në zyrën e shtetit, madje, edhe duke e kërcënuar në rast se ai denoncon, apo flet lartë e poshtë. Ky realitet po e gërryen shtetin, dhe që ka gjasa të zgjasë shumë, nuk po e lë të ngrihet mbi binarët e sigurisë për të projektuar të ardhmen dhe kjo do t’u kushtojë shumë edhe brezave që vijnë. 
Somario
Shqiptarët tashmë janë mësuar me faktin se, një vend pune qoftë edhe si roje objekti shkon tek rreth 1 milion lekë, një vend pune në zyrë shkon diku tek 8 mijë eurot, një post drejtori shkon deri 150 mijë euro, një vend gjyqtari apo prokurori shkon deri 200 mijë euro, kurse posti i Ministrit ka pazare të tjera politike. Gjithë jeta e përditshme e shqiptarëve gjendet nën efektet e korrupsionit, aq sa shumica mendojnë se kanë lindur me korrupsionin
Sigal