Të futurit në PD nga “dritarja”, në sulm për të “grisur” çadrën si lëvizje opozitare

Përparim HALILI

PD gjendet përballë dy zhvillimeve: Pastrimi i kupolës nga vjetërsirat morale dhe përpjekjet sorosiane për ta shkatërruar e uzurpuar 

“Vetingu” në kupolën e PD duhet bërë urgjent, si vetë-pastrim i saj dhe këtu nuk kemi parasysh largimin e të vjetërve si kohë në parti apo si moshë, por pastrimin nga xhambazët, dështakët, parazitët, karrieristët “Hamza Kastritotër” dhe kokëboshët megalomanë, që jo vetëm në 25 vite, por edhe në 5 e 10 vitet e fundit, ia kanë bërë “blozë e shollë” faqen kësaj partie...

Zhvillimet në PD, nuk kanë si tregues vetëm mbështetësit e çadrës në kuptimin e lëvizjes opozitare si lidershp e anëtarësi, por edhe luftën brenda “çadrës”, në kuptimin e stërkëmbëshave dhe “drejtësisë së vonuar” të disa “tipave” “bisht qeni” brenda kupolës së PD, me program “grisjen” e çadrës. Sipas informacioneve, bëhet fjalë për një mision të rekomanduar, të instruktuar e të besuar në disa individë “skutha”, që përveçse kanë shijuar dhe shfrytëzuar ujqërisht poste të larta në kupolën e PD, i kanë humbur dhe i kanë “ndotur” shumë “kredite” qeverisjes së kësaj partie në vitet 2005-2013! Nëse PD, aktualisht gjendet në opozitë disi të vështirë, këtë pozicion e ka shkaktuar morali politik e qeverisës i atyre krerëve të PD, që sot e sulmojnë dhe e mallkojnë opozitarizmin e lidershipit të saj nëpërmjet çadrës. Si pjesë e “pentagramit dhe notave” të sulmit të “Rilindjes”, këta krerë të PD janë pozicionuar hapur së fundmi, duke “recituar” tekstet që dalin nga “FB”-ja brenda mureve kryeministrore dhe udhëzimet pro-“rilindëse”, që vijnë nga “Radio-Kominterni”, pa harruar raportet anti-PD që ata përcjellin matanë kufirit shqiptar. Në rastin konkret të thirrjeve për “Rilindje” të PD, nuk bëhet fjalë për fraksione politike e reformuese, që synojnë të “mjekojnë” organizimin e PD së “plagosur” rëndë nga humbja e 2013-s, kryesisht për shkak të ndotjes së imazhit dhe moralit të kësaj partie prej “sulmuesve” aktualë! Përkundrazi, PD ka përballë dhe brenda saj, një sulm të nisur prej atyre që kanë nxjerrë “koburet” e mbushura në “depot” e kupolës së “Rilindjes”, me “barut” të paguar prej shtabit të Sorosit, me misionin e vetëm, të qëllojnë mbi “majën” çadrës së PD! Mitingu i datës 13 maj, tregoi diçka: Edhe pse ata mallkojnë çadrën dhe mitingjet e PD, vijnë rrotull çadrës dhe mes mitingjeve të saj, për t’u vetë-prezantuar si pjesë aktive dhe dashamirëse e lëvizjes opozitare, si të lidhur me anëtarësinë e saj! Po cili është fakti, që duket? Çfarë ndodh dhe pse po ndodh? Si në çdo shtëpi të madhe edhe në PD, janë 2-3 “kokrra” që kërkojnë të shuajnë zjarrin e protestës, me qëllim që ashtu si “mama dhia”, të futen pa u djegur por jo pa u nxirë nga oxhaku dhe të ulen në qoshen e “shtëpisë”! Cilët janë këta, që jo në emër të fuqizimit të PD, por në emër të një “detyre të posaçme” të marrë tashmë përsipër, i janë vërsulur PD me “mesazhe” nga “FB” dhe me “anonime” të hedhur në kutitë postare e elektronike të ambasadave? Janë individë të futur në PD nga “dritaret” e PD. Dhe tani, pasi kanë shijuar e shfrytëzuar 3, 4 e 5 mandate deputeti dhe shumë vite poste ministrore pa asnjë produkt, dalin e thonë: “PD është parti pa dritare”! Po kush ia mbylli “dritaret”, kësaj partie? Janë pikërisht këta “tipa” me mision “spiker lajmesh” anti-PD, të cilët u futën me klientelizëm nga “dritaret” e saj, pa asnjë kontribut as si anëtarë të partisë! Këta që kolltukët e lartë në PD dhe në qeveritë e saj, i uzurpuan me pazare duke spostuar intelektualët, kontributorët aktivë, potencialë e dinjitozë dhe qëndrestarët, po e sulmojnë tani që u majmëm me pasurim prej “sheikësh” dhe u bënë persona publik deri ndërkombëtarë nga pushtetet e saj! Këta që flasin për “PD pa dritare”, të dekonspiruar si “karta të djegura” brenda partisë, synojnë ta shkallmojnë edhe si godinë partinë që e e themeluan të tjerë,t të postuar prej tyre, duke e nisur nga projekti fillestar për “grisjen e çadrës” jo si beze, por si lëvizje opozitare! Zëra brenda PD, thonë se përveç luftës në “FB”, këta “misionarë” të futur në PD nga “dritaret” dhe që anëtarësia ka vendosur t’i nxjerrë nga dera ku nuk futen prej muajsh, po organizojnë një sulm “urithësh” nga brenda PD-së, nëpërmjet propagandës për “dështim të lidershipit” të PD. Nuk është lëvizje, por një përpjekje si gjithë përpjekjet e gjithë “gjeneralëve” të përkëdhelur, të vetë-mënjanuar, të dëshpëruar e të dështuar, për t’u bërë “komandantë garnizoni”! Ka një fakt, që duhet pranuar e duhet vlerësuar realisht prej lidershipit të PD: Duhet bërë urgjent e me rrënjë, “Vetingu” në kupolën e saj. Më troç, duhet bërë urgjent vetë-pastrimi i saj. Kur themi këtë, nuk kemi parasysh largimin e të vjetërve si kohë në parti apo si moshë, por largimin e vjetërsisë morale, xhambazëve, dështakëve, parazitëve, karrieristëve para-paskenistëve, skuthave dhe kokëboshëve megalomanë, që jo vetëm në 25 vite por edhe në 5 e 10 vitet e fundit, ia kanë bërë “blozë e shollë” faqen PD. Dhe tani, guxojnë e dalin ekraneve pa “iu skuqur faqja”, duke kërkuar pastrimin dhe rindërtimin e PD! Ka një logjikë: “Dinamiti” që e shkatërron një shtëpi, nuk e ndërton dot më. “Bloza” që e nxin, nuk e zbardh dot më. Zëri që e “mallkon”, nuk e uron dot më!

Premtime për... votime, vazhdojnë skenarët për të justifikuar dështimet me premtimet e para 4 viteve

Pronarët joshen me formularë të rinj kompensimesh, por deri më 30 shtator nuk ka asnjë qindarkë 

- Deri në fund të vitit 2018, për shkak të buxhetit bosh, nuk do të kryhen as pagesat për ish-pronarët që kanë fituar gjyqet në Strasburg

Historia e mos-kompensimit të pronave të njohura “me letra”, nuk po zbatohet si vlerë financiare. Në këto 25 vite, kanë dalë mbi 300 ligje, VKM, Urdhra e Udhëzime, janë publikuar 115 herë lista emërore ish-pronarësh që përfitojnë kompensim, por kompensimi financiar i pronave të tyre, nuk është zbatuar në 98% të rasteve, duke u futur në një “odise” ndryshimesh, vendimesh e shfuqizimesh, të cilat kanë joshur e kanë lodhur ish-pronarët, por nuk u kanë dhënë asnjë qindarkë! Një fakt: Në 25 vite, kanë dalë ligje, VKM e Urdhra shtetërorë, që kanë anuluar dhe ndryshuar 119 herë formularët e kompensimit të pronave, por pa bërë kompensimin financiar të tyre! Madje, për të përligjur mashtrimin në vazhdim, kanë futur në veprim edhe “Shortin”, si mekanizëm fals, për të përcaktuar gjoja radhën e pagesave, shorte që u kanë rënë vetëm ish-pronarëve shtetarë, ministra, deputetë, diplomatë, politikanë e familjarë të tyre! Tashmë është hedhur në veprim një marifet vonese i përsëritur shumë herë: Formulari dhe rregullat e reja të kompensimit! Çfarë fshihet pas këtij “formulari të ri”? Burime konfidenciale nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), thonë se është një falsitet i radhës, riplotësimi i formularit për kompensimin financiar të ish-pronarëve për pronat e sekuestruara prej reformës agrare të vitit 1946 e të zëna nga ndërtimet për interes publik deri në vitin 1990, pronat e zaptuara nga ndërtimet informale dhe ato të shpërndara me reformën agrare demokratike, sipas Ligjit 7501. Sipas informacionit, plotësimi i këtij formulari është një lojë për të shtyrë kohën edhe me 2 vite (mos)kompensimin e pronave, mbasi shteti nuk ka asnjë qindarkë në “arkën” për kompensimin e ish-pronarëve, paçka se thuhet se fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për vitin 2017 është 3.2 miliardë lekë të reja, ndërkohë që Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) deklaron se ka gati 2.4 miliardë lekë të reja të garantuara nga fondi i tokës dhe fonde të gjeneruara nga vetë Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) dhe nga institucione të tjera shtetërore, të ngarkuara për mbledhje fondesh dhe arkëtimin e tyre në Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP). Madje, vazhdojnë të publikohen edhe lista përfituesish me vlera e kode personale ish-pronarësh, por që burimet thonë se deri në shtator 2018, nuk do të jepet asnjë qindarkë, mbasi llogaria e kompensimit të ish-pronarëve është bosh! E jo vetëm kaq, por sipas informacionit, deri në fund të vitit 2018, nuk do të zbatohen as pagesat për ish-pronarët që akne fituar gjyqet në Strasburg, mbasi edhe për këta nuk ka asnjë qindarkë, paçka se u publikohen vendimet me vlerat e fituara dhe emrat nëpër “Fletore Zyrtare”!