Tavo: Mbështetje financiare dhe rritje të cilësisë!

3271
Sigal

Seminari i organizuar nga Urdhri i Infermierit për shërbimin infermieror

Mbështetje financiare dhe rritje të cilësisë së shërbimit për të çuar shërbimin infermieror drejt nivelit europian, garantoi dje ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, për rreth 16 mijë infermierë në shërbimin shëndetësor. “Të gjithë e panë se Qeveria, duke vlerësuar punën dhe sakrificat e tyre, e ka vendosur në grupet prioritare dhe në ngritjen e radhës së pagave. Ju siguroj se do të vazhdojë të jetë e tillë rëndësia që do t’i jepet kësaj kategorie punonjësish”, tha Tavo gjatë një seminari të organizuar nga Urdhri i Infermierit. “Sjelljet etiko-profesionale, menaxhimi i kujdesit dhe edukimi i vazhdueshëm profesional janë sfida për rritjen e cilësisë së kujdesit”, theksoi Tavo, ndërsa paralajmëroi se nuk do të lejohet asnjë infermier, mami, fizioterapeut të ushtrojë këto profesione jashtë UISH dhe detyrimeve të Kodit Etik-Deontologjik . Tavo vlerësoi punën e bërë nga Urdhri i Infermierit lidhur me zbatimin e Ligjit dhe hartimin e Kodit Etik-Deontologjik të Infermierit, i cili, sipas tij, duhet të zbatohet nga të gjithë. Gjithashtu, ministri i Shëndetësisë e cilësoi punën e bërë për përfundimin i Regjistrit të Urdhrit, një arritje të madhe. “Të gjithë ne, profesionistë ose jo, qytetarë, politikanë e ligjvënës, jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka kujdesi infermieror në shërbimin shëndetësor, i cili përbën mbi 70% të këtij kujdesi dhe ka shtrirjen më të madhe dhe kohëzgjatjen më të madhe në kontakt me pacientin apo familjarët. Ndaj është e nevojshme rritja e cilësisë në nivel europian, duke vlerësuar e mbështetur formimin bazë në nivel universitar dhe pa harruar përvojën, eksperiencën si dhe kontributin që kanë dhënë brezi i infermierëve të vjetër”, tha Tavo, duke ftuar punonjësit e këtij kujdesi shëndetësor të vazhdojnë punën në rrugën e nisur për të rritur cilësinë e këtyre kujdeseve dhe të gjithë së bashku të realizojmë me sukses reformën në shërbimin shëndetësor.