Tavo: “Emigrantët shqiptarë, prioritet i LSI-së”

491
Sigal

Ministri i Shëndetësisë merr pjesë në inaugurimin e një shkolle në gjuhën shqipe në Volos të Greqisë

Ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i Qarkut Gjirokastrës, Vangjel Tavo merr pjesë në inaugurimin e një shkolle në gjuhën shqipe në Volos të Greqisë.  Për zotin Tavo hapja e shkollës në gjuhën shqipe është një ngjarje e rëndësishme për emigrantët shqiptarë në qytetin e Volosit. Ai deklaroi gjithashtu se emigrantët shqiptarë në Greqi janë ura lidhëse midis  Shqipërisë dhe  Greqisë. “Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj, që flasim gjuhën shqipe dhe që ndajmë së bashku një ideal, një dëshirë të përbashkët për të ndryshuar vendin tonë, dhe për ta  bërë atë një vend Europian ashtu siç e meriton. Ju jeni ura lidhëse midis Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe midis Shqipërisë dhe mbarë Europës. Me punën e duarve tuaj i keni dëshmuar botës virtytin e punës, me djersën dhe mundin tuaj keni treguar se jemi një komb me vlera. Fëmijët tuaj shkëlqejnë në shkollat greke dhe europiane duke u bërë kështu krenaria kombëtare si për sot ashtu edhe për të ardhmen”, deklaroi z. Tavo. Ai u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim e ka një nga prioritetet e saja përmirësimin e shërbimeve të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe për statusin e emigrantit në përgjithësi. Sipas tij LSI synon ta çojë vendin përpara dhe ta integrojë atë në Bashkimin Europian, ëndërr, e cila, sipas z. Tavo, shumë shpejt do të bëhet realitet. “Ne si LSI e kemi një nga prioritetet tona përmirësimin e shërbimeve të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe për statusin e emigrantit në përgjithësi. Ne kemi ndërtuar politikat tona dhe po punojmë që shteti shqiptar dhe ai grek t’ju konsiderojnë si banorë të dy vendeve respektive dhe të bashkëpunojnë për t’ju lehtësuar shërbimet dhe plotësuar nevojat tuaja. Unë ndjehem shumë i inspiruar në rrugëtimin tim të gjatë politik, pasi shoh që njerëzit me integritet dhe dëshirë për integrim janë të shumtë. Shoh që radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim po shtohen dita-ditës jo vetëm në të gjitha rrethet dhe qytetet e Shqipërisë por edhe në emigracion. Gjatë qëndrimit të tij në Greqi, z. Tavo zhvilloi një takim me degën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Larisës. Në këtë takim, Tavo theksoi theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë gjithmonë kontributore e stabilitetit të vendit dhe integrimit. Gjatë fjalës së tij në takimin me degën e LSI-së në qytetin e Larisës, Tavo u shpreh se emigracioni duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes politike në Shqipëri.