Taulant Balla dështon në Gjermani, ja pse deputetët e CDU, Brinkhaus dhe Krichbaun nuk pranuan të darkojnë me të dërguarin e PS-në në Berlin

614
Sigal

Deputetët e CDU Brinkhaus dhe Krichbaum nuk pranuan të darkojnë me Taulant Ballën në Berlin

Ja si u refuzua nga krerët e grupit CDU, i dërguari i Ramës. Deputeti gjerman që solli në Tiranë Duçka i ‘darkës së gabuar’

Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, është i angazhuar prej disa javësh për përgatitjen e një vizite në Berlin, të cilën e zhvilloi pardje. Javën e shkuar ai është parë në një restorant në Bllok me një deputet të CDU, Nikolas Lobel dhe me Dorian Duçkën, ish-zëvendës ministër i Energjisë në Qeverinë Rama 1 (2013-2015). Duçka njihej si ‘njeri i Metës’ dhe më pas ka ndërruar kamp, me sa duket i tërhequr nga favoret e pushtetit të madh. Sipas disa burimeve të informacionit, Duçka është personi që organizoi ‘darkën e gabuar’ të Ramës në restorantin berlinez, e cila u refuzua nga deputetët gjermanë të CDU-së së Merkelit. Restoranti është ekskluziv dhe aty mund të futesh vetëm me kartë anëtarësie, e cila kushton sa rroga e një viti e një prej protestuesve të Astirit. Duçka është angazhuar sërish nga Balla dhe, në përpjekjet e tij lobuese, ka sjellë në Shqipëri deputetin kristian-demokrat Lobel. Me sa duket, lobimi dhe shpenzimet e Duçkës dhe përpjekjet e Ballës kanë shkuar kot pasi, pavarësisht ndërhyrjes së kolegut të tyre, piketat e turit të Ballës nuk pranuan të takoheshin me kreun e grupit kuvendor të PS. Një takim i shkurtër dhe një photo op (foto e shpejtë) me dy politikanët Ralph Brinkhaus, shef i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit për Çështje të BE, nuk u arrit. Qëndrimi i Grupi të CDU është vendimtar në PO-në ose JO-në e Gjermanisë për hapjen e negociatave. Në krye të një delegacioni parlamentar/qeveritar të PS, Balla dështoi në të dy rastet pa marrë shpjegime për arsyet e refuzimit të takimit. Ai kreu të vetmin takim institucional të delegacionit me deputetin Thorsten Frei, raporter për Shqipërinë dhe Heribert Hirte. Thorsten Frei është i njohur për qëndrimet kritike ndaj Edi Ramës për drogën, Tahirin etj.

 

Deputeti i Bundestagut  Thorsten Frei: Negociatat varen nga lufta kundër krimit të organizuar

Deputeti i Bundestagut, Thorsten Frei, raporter për Shqipërinë thekson për “Deutsche Welle-n”, para 3 javësh, se është i bindur që ky nuk mund të jetë hapi i fundit. “Qeveria (shqiptare) duhet t’i zgjerojë shumë më tepër dhe më me vendosmëri përpjekjet e saj në këtë sektor. Është e vërtetë që ndërkohë janë bërë përparime të mëdha me vettingun. Por unë jam ende shumë i shqetësuar për gjendjen e krimit të organizuar. Kjo pikë do të luajë, në fillim të verës së ardhshme, një rol shumë vendimtar, kur në tryezë të kthehet sërish çështja e negociatave të anëtarësimit.”