Tarifat gjyqësore, avokatët: Të papërballueshme për qytetarët, i hiqet e drejta për ankim

878
Mbrojtja kundërshton tarifat e reja gjyqësore miratuar nga Kuvendi vetëm me votat e mazhorancës, pas rrëzimit të dekretit të Presidentit Ilir Meta
Komisioni i Ligjeve rrëzoi pak ditë më parë vetëm me votat e mazhorancës, dekretin e Presidentit Ilir Meta për kthimin për rishqyrtim të ligjit për “Tarifat Gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”. Një ligj ky i cili sipas kreut të shtetit kishte një sërë mangësish. Por nuk ishin të këtij mendimi deputetet socialist të cilët e rrëzuan kërkesën e Presidentit Meta. Në të njëjtën ditë, nga institucioni i Presidencës u bënë publike dhe arsyet se pse ky ligj u kthye nga kreu i shtetit. Për avokatët miratimi i ligjit për tarifat gjyqësore është bërë i pastudiuar mirë. Duket se avokatët janë në të njëjtën linjë me atë të Presidentit Ilir Meta. Kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalist, Saimir Visha dhe avokatët Ylli Kameri dhe Kastriot Frashëri shprehen kundër këtij ligji, ndërsa japin dhe argumentet përkatëse. Sipas tyre, një ligj i tillë i pengon të dënuarit dhe shtresën më të varfër të shoqërisë që t’i drejtohen gjykatës për ankimim. Ata thonë gjithashtu se asnjë avokat nuk do të ketë mundësi që me miratimin e këtij ligji të ankohet për vendimet e ndërmjetme, pasi për çdo padi dhe kërkesë, duhet të paguhet dhe për pasojë, e gjithë barra bie mbi të dënuarit dhe qytetarët e thjeshtë. 

Saimir Visha: Tarifat e reja kanë një rritje 80-90%, krahasuar me të parat
Është një shqetësim që ka përfshirë të gjithë avokatët dhe njëkohësisht të gjithë qytetarët pasi kemi një rritje të tarifave përkrah shërbimit që ofron gjykata. Kemi disa të pandehur që janë brenda mureve të paraburgimit ose të burgimit të cilët kanë të drejtën e aksesit për të ndryshuar ankim të cilët nuk janë në gjendje për të përballuar këto tarifa. Ndërkohë edhe ngritja e padive, regjistrimi ankimimi apo rekursi ka një kosto që varion 20-30 euro që deri në këto momente kanë qenë 1/10 e kësaj, pra janë rritur 80-90% që do rëndojë në xhepat e qytetarëve. Gjykata nga njëra anë me ligjin e ri do të ndëshkojë avokatët për zvarritje ose për kërkesa të padrejta siç është një kërkesë për përjashtim gjyqtari, nga ana tjetër kemi një komitet disipline ku nëse kemi shkelje të etikës gjyqtari shumë mirë mund t’i drejtohet komitetit të disiplinës së avokatisë dhe jo më të marri masë drejtpërsëdrejti duke gjobitur këtë me shuma të konsiderueshme nga 50-100 mijë lekë të reja. Kaq nuk janë tarifat. Kjo do të thotë që shumë kërkesa të kësaj natyre ne të mos i bëjmë, pra të vërejmë shkelje të ligjit por mos kemi fuqi për të kërkuar përjashtimin e tyre. Do na tregojë koha si mund ta godasin si individ apo si shoqëri civile, kjo varet sa do ndikojë. Për mendimin tim do të preki të drejtën e aksesit për t’iu drejtuar një gjykate më të lartë ndaj vendimit të gjykatës më të ulët. 
Ylli Kameri: Kthimi i ligjit prek shtresat në nevojë dhe besimin tek drejtësi
Ligji për tarifat gjyqësore, i mohon palëve aksesin e lirë në gjykatë, pra në një anë pengon drejtësinë për shtresat në nevojë. Nga ana tjetër, ky ligj kishte qëllim për të përballuar, koston e “Reformës në Drejtësi”, një proces që do të këtë qëllim rritjen e standardeve të gjykimit, pra edhe rritje të ndjeshme të Buxhetit Gjyqësor. Ky ligj prek, sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm të cilët kanë peshën kryesore të çështjeve të ndërlikuara (pra që zgjasin) në gjykatë. Shtresat në nevojë mund të suprimohen apo të kompensohen me ligjin për ndihmën juridike, prandaj kjo shtresë ka mundësi që të shmanget nga tarifat gjyqësore. Kthimi i ligjit, prek tashmë edhe besimin tek drejtësia, sepse gjyqtarët presin rritje pagash kurse buxheti i shtetit do të gjejë, rrugë(më e thjeshta rrugë është taksimi) për të përballuar kostot e reformës në drejtësi.
Kastriot Frashëri: Ligji jo në përputhje me Kushtetutën, dëmton qytetarët 
Siç dihet të hënën, Kuvendi i Shqipërisë, i pushtuar në atë përditshmërinë e tij të sëmurë rrëzoi pa zhurmë dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10656, datë 22.11.2017 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”. Themi pa bujë sepse gjithë lufta politike ishte përqendruar në betejën e ashpër kundër emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ky ligj ishte një nga ligjet e fundit të paketës së ligjeve të reformës në drejtësi dhe ashtu sikundër ka ndodhur rëndom edhe për ligjet e tjera ka kaluar pa vëmendjen, konsultimin dhe debatin e duhur përpara se të shpallej si i tillë. Edhe pse ligji në frymën e tij duket sikur ka për synim që një kategori e caktuar njerëzish të përfitojnë ndihmë juridike falas mendoj se realizimi i saj në praktikë pothuajse është i pamundur. Ne çmojmë se ligji nr. 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, nuk është në përputhje të plotë me parimet kushtetuese, pasi me paqartësitë e shumta që ekzistojnë në disa dispozita të veçanta të tij, si dhe në instrumentet që kërkohen për të përfituar këtë ndihmë juridike falas, ky ligj mund të bëhet burim i krijimit të problematikave të theksuara, kryesisht në drejtim të kufizimit të mundësive për t’iu drejtuar gjykatës për shkak të pamundësive financiare të të çdo shtetasi për të paguar tarifat e përgjithshme gjyqësore dhe realizimin e mbrojtjes apo të përfaqësimit ligjor falas. E theksova pak më sipër që reforma në sistemin e drejtësisë e ndërmarrë nga projektuesit e saj, domosdo duhet të ketë pasur si qëllim kryesor zgjidhjen e problematikave në pushtetin gjyqësor, përfshirë këtu edhe aftësinë e vetë sistemit për të funksionuar sipas standardeve evropiane. Por kush është kjo kategori që do të përfitojë? Të drejtën për të përfituar asistencë juridike falas a do e kenë të gjithë ata persona që përfitojnë ndihmë ekonomike apo janë në statusin e të papunit, si dhe çdo kategori tjetër njerëzish pavarësisht nëse i plotësojnë kushtet ekonomike? Shërbimi gjyqësor është një detyrim parësor për një shtet demokratik dhe, pavarësisht mundësisë të individit për të përballuar ose jo kostot e tij, ky shërbim duhet t’i ofrohet edhe te pamundurit, sipas Kushtetutës. Në pikën 2, të nenit 5, parashikohet: “Masa e tarifave gjyqësore të përgjithshme, sipas pikës 1 të këtij neni, është jo më e ulët se 1000 (një mijë) Lekë dhe jo më e lartë se 20 000 000 (njëzete milionë) Leke”. Në opinionin tonë si avokatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kam përshtypjen se përcaktimet e këtij ligji në tërësi cenojnë aksesin në drejtësi. Konkretisht dispozitat e këtij ligji dhe, konkretisht, ato të nenit 5, pika 2 dhe 3, bien ndesh me parimet kushtetuese, të vendosura e të mbrojtura nga neni 42 dhe 43 i Kushtetutës. Ndihma juridike e garantuar nga shteti domosdo është thelbësore në garantimin e aksesit në drejtësi, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si edhe për forcimin e shtetit ligjor. Por kjo ndihmë mendoj se nuk duhet të kushtëzohet përmes aplikimit të një sërë procedurash të parashikuara ligjore të cilat janë paragjykuese, fyese dhe që cenojnë rëndë dinjitetin e njeriut. Barriera të tilla pothuajse të pakapërcyeshme nuk garantojnë ndihmën juridike në proceset civile dhe administrative si një instrument i rëndësishëm për mbrojtjen e shtresave në nevojë.
Sigal