Tapitë e pronarëve, pasaporta për në BE

595
Sigal

KE: Shtyhet miratimi i raportit për statusin e vendit kandidat. Raporti, për progresin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën gjyqësore

Vendimin përfundimtar për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, Komisioni Europian do ta japë më 23 qershor. Ky vendim vjen pas shtyrjes së këtij vendimi në dhjetor, pasi sipas KE-së kishte akoma punë për t’u bërë nga Shqipëria në luftën ndaj korrupsionit, krimit dhe reformës në drejtësi. Vendimi për statusin do të jepet pas miratimit të raportit nga KiE, si dhe pas vendimit të Strasburgut për problemin e pronave në datë 17 qershor. Komisioni Europian njoftoi se raporti për statusin e Shqipërisë nuk do të publikohet më 3 qershor, siç ishte parashikuar, pasi është në procedurën e miratimit dhe pritet të miratohet nga fundi i kësaj jave. Raporti do të shërbejë si bazë për diskutimet e vendeve anëtare në Samitin e Këshillit Europian, ku ata do të vendosin për statusin e vendit kandidat. Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin, Peter Stano njoftoi se nuk bëhet fjalë për një raport progresi, por për një raport që vendet e Bashkimit Europian i kanë kërkuar KiE-së të përgatisë një përmbledhje të përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformës gjyqësore.

 Pronarët: Nëse Rama do të marrë statusin

Një nga kushtet, që duket i pakalueshëm, për marrjen e statusit është dhe zgjidhja e problemit të pronës. Ky problem, me kalimin e kohës i është larguar zgjidhjes, sepse, sipas pronarëve, oligarkia politike pavarësisht nga deklarimet zyrtare ka miratuar dhe po miraton ligje klienteliste, që e trashin zullumin dhe bien ndesh me Nenin 181 të Kushtetutës. Deri sot Kryeministri dhe mazhoranca e majtë ka miratuar ligje dhe ka paraqitur një program që bie ndesh jo vetëm me Nenin 181 të Kushtetutës, por dhe me sa ka udhëzuar Strasburgu. “Nëse Kryeministri  Edi Rama vazhdon të jetë i bindur se Strasburgu do japë miratimin për statusin e vendit kandidat në BE, sepse Shqipëria e meriton statusin, sipas letrës që  këshilltari kulturor i kryeministrit tonë në Vjenë, zoti Fate Velaj, i ka dërguar Qeverive të vendeve të BE, ka shumë mundësi që në Qershor 2014, Shqipëria të prapësohet  për herë të pestë. Kjo, sepse Qeveria Shqiptare nuk ekzekuton as vendimet e GJEDNJ dhe prej 23 vjetësh, akoma nuk ka kthyer pronën tek subjektet e shpronësuara, proces që shtetet e tjera të ish kampit socialist ka vite që e kanë zgjidhur” shprehen pronarët. Në  fuqi janë shumë ligje dhe shumë institucione që të bëjnë pronar, por në tërësinë e tyre ato nuk garantojnë tituj të pronësisë në përputhje me Nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës në fuqi. Por shoqatat “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” i kanë dhënë zgjidhje, pa kosto financiare për buxhetin e shtetit, me projektligjin që ato ia kanë adresuar politikanëve dhe e kanë bërë publike prej kohësh. “Kjo zgjidhje nuk ka faturë financiare pasi bazohet në kthimin fizik dhe korrigjimin e gabimeve, të thonë specilistët. E kundërta do të vijë nëse Qeveria “Rama” do insistojë të legalizojë pushtimet dhe ndërtimet pa leje apo do japë tapi pa korrektuar njësitë e masës së tokës të përdorura para 1944 dhe pa marrë parasysh abuzimet me vendimet e KKKP-ve lokale sipas Ligjit 7501, etj. Mbështetja e këtij projektligji është ndihma me e madhe që Opozita mund të japë për korrigjimin e gabimeve që ka pranuar publikisht ish Kryeministri Sali Berisha. Nëse Kryeministri Rama dëshiron sinqerisht marrjen e statusit kandidat në BE në Qershor 2014, ai duhet të reflektojë për zgjidhjen ligjore të problemit të pronës sipas propozimit të pronarëve dhe jo të devijojë. Zoti Kryeministër “Act noë”, koha nuk pret, 17 Qershori po afron. Në rast prapësimi në Strasburg, pas pranimit publik të fajit me pronarët nga Sali Berisha, asnjë justifikim nga Edi Rama si Kryeministër, nuk ka vlerë”, shprehen pronarët.

 

Bregdeti midis abuzimeve e korrupsionit me pronat dhe zhvillimit

Shoqata “BREGDETI” përfaqëson komunitetin e Bashkisë Himarë dhe Komunës Lukovë, një territor shkëmbor kodrino-malor që shquhet për individualitetin e tij natyror me vlera të mëdha për zhvillimin e turizmit elitar, por që ende shfrytëzohet vetëm gjatë 2-3 muajve të vitit. Ka pak tokë prodhuese, vetëm 3 411 ha (Himara 2 263 ha dhe Lukova 1 148 ha) me ullinj shekullorë dhe me agrume, produkt i një pune intensive antropogjene të shumë brezave. Kështu, në vitin 1989 (sipas vjetarit statistikor) në 4 ish Kooperativat Bujqësore të Himarës (Himarë + Pilur, Qeparo + Kudhës, Vuno + Ilias dhe Dhërmi+ Palasë) kishin 196 130 rrënjë ullinj që prodhuan 21.437 kv ullinj dhe 21,431 kv vaj. Gjithashtu, kishin 197 000 rrënjë agrume, 98 000 rrënjë Pemë Frutore, 194 ha me vreshta etj.. Ndërsa sot agrumet pothuajse numërohen me gishta, ullinjtë janë përgjysmuar, asgjë nuk prodhohet, toka është lënë djerrë (të gjitha perimet e frutat vijnë nga Lushnja, Fieri e Orikumi, ndërsa qumështi e kosi “Erzeni” fillimisht shkon në Himarë dhe pastaj shpërndahet në fshatrat, që më përpara shumë prej tyre eksportonin).

Problemet ekonomike dhe sociale

Aktualisht, ka shumë probleme të mprehta ekonomike e sociale, siç janë: braktisja nga rreth 80% e popullsisë aktive vendase për punë, shkretëzim të tokave nga moskujdesi dhe abandonimi, të cilat prodhonin në sajë të punës e përkujdesit të lartë, por që gjatë këtyre 23 viteve janë lënë në harresë të plotë. Është shkatërruar sistemi ujitës, është tjetërsuar biodiversiteti etj. Të gjitha këto e të tjera janë rrjedhojë e abuzimeve dhe e korrupsionit në ndarjen e tokës dhe “pronarët e rinj” duke mos e patur të sigurt atë tokë dhe të zakonit, që bregasi asnjëherë më parë nuk ka zaptuar tokën e tjetrit, nuk tregojnë asnjë përkujdesje për atë tokë që prodhon “flori”.

Komuniteti dhe shoqata gjatë gjithë kësaj periudhe asnjëherë nuk kanë reshtur së kërkuari kthimin fizik të pronave trashëgimtarëve autoktonë bregdetas. Abuzimet janë të mëdha. Ato janë të denoncuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (gjatë kontrolleve të ushtruara në vitin 2004 në Himarë dhe në vitin 2008 në Lukovë), si dhe nga vetë Bashkia Himarë në vitin 2005 dhe nga Komuna Lukovë. Madje, edhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, dokumentacionin e ka konsideruar të kundërligjshme.

Abuzimet me pronat

Konkluzionet e tyre në mënyrë të përmbledhur janë:

1-Sipas regjistrit të gjendjes civile në Bashkinë Himarë, nga 2849 familje nuk janë trajtuar me dhënien e tokës 902 familje;

2-Në kundërshtim me ligjin, janë trajtuar me tokë 534 familje, pa patur gjendjen civile në Himarë;

3-Kanë marrë më shumë tokë sesa u takonte, sipas ligjit, 745 familje, ndërsa kanë marrë më pak 569 familje;

4-Janë dhënë, në kundërshtim me ligjin, 81 ha kullota e prona publike 106 familjeve si tokë bujqësore, në Himarë dhe në Lukovë janë dhënë 130 ha kullota.

5-Dokumenti i marrjes në pronësi të tokës është i pafirmosur e pavulosur respektivisht për 641 dhe 1230 familje etj., për të cilat lind pyetja: A mund të quhet i zbatueshëm një ligj me këto abuzime?

6- Po ashtu edhe projekti prej 1.6 milion Euro i financuar nga Bashkimi Europian, nën monitorimin e Prezencës së OSBE -Tiranë, për Regjistrimin Fillestar të Pasurive të Paluajtshme, që megjithëse kanë kaluar tri vjet ende nuk ka një përgjigje zyrtare si nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë si drejtuese e projektit, nga Qeveria dhe Pushteti Vendor, se çfarë po bëhet me dokumentacionin që u grumbullua, që bregdetasit erdhën nga ana e anës (Greqi, Itali, Amerikë, Australi ) për të dorëzuar dokumentet e pronësisë.

Abuzimet vazhdojnë

E keqja më e madhe është se abuzimet ende vazhdojnë. Ashtu siç e ka ngritur edhe zoti Anesti Çakalli, në shkrimin e tij të botuar në gazetën “Telegraf” të datës 15/3/2014 me titull “Skandal i Bashkisë së Himarës, pronësi të paligjshme tokash për hotele dhe pallate. Përfitues të kundërligjshëm drejtues vendor, funksionarë të lartë, deputetë dhe biznese nga Tirana”, që në mes të tjerave shkruhet: “Bashkia e Himarës ka shkelur ligjin, ka shpërndarë formularin 6 (me Ligjin 7501) në pronësi pa nxjerrë në publik për 60 ditë të afishuar me hartat dhe kufitarët. Si rrjedhojë asnjë prej tapive të lëshuara nga Këshilli Bashkiak nuk është e ligjshme… ato janë kullota dhe jo tokë bujqësore, pasi tokat bujqësore janë ndarë në komisionet e vitit 1991… Këto abuzime janë pasuar me legalizimin e veprimeve të paligjshme të një grupi njerëzish për interesa klanore në dëm të interesave të komunitetit”.

Siç nënkuptohet është fjala për Vendimin Nr.32 datë 27.11.2013 të Këshillit Bashkiak të Himarës për miratimin e listës së 163 subjekteve si “përdorues fakti”, të cilët për mbi 23 vite, shumica në emigracion, pra, nuk ndodhen në fshatrat përkatëse, duke e braktisur tokën e marrë me Ligjin 7501, por, që në vendimin e Bashkisë theksohet se “e përfitojnë atë duke plotësuar kushtet dhe kriteret ligjore për t’u pajisur me AMTP”. Po cilat janë ato kushte e kritere? Ku është transparenca? Përse bëhen fshehur veprime dhe vendime të tilla? Deri kur do të vazhdohet me të tilla mënyra? Çfarë po bën bashkia? Jemi në pritje të përgjigjeve të këtyre pyetjeve nga Bashkia Himarë.

Njëkohësisht kërkojmë edhe:

a-Komisioni Qeveritar i Tokës të vërë në lëvizje Komisionin Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë të qarkut Vlorë, për të bërë verifikimin e titujve të pronësisë për zonën e Bregdetit, proces të cilin, sipas ligjit, ky Komision duhej ta kishte përfunduar në fund të vitit të kaluar.

b-Pas përfundimit të procesit të verifikimit të dokumentacionit dhe vendimeve përkatëse të komisioneve të tokës për titujt e pronësisë të dhëna në kundërshtim me ligjin, Komisionet Vendore t’ia paraqesin gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës kërkesën për deklarimin e pavlefshmërisë së aktit dhe të kërkojë shfuqizimin e tij.

c-Të publikohen rezultatet e veprimtarisë së këtij Komisioni, në përputhje me vendimin përkatës të Komisionit Qeveritar të Tokës.

Jemi të bindur se këto probleme nuk mund të zgjidhen nga asnjë institucion pa ndërhyrjen e Kryeministrit zotit Edi Rama, prandaj i jemi drejtuar atij. Pronat tona janë të lira, prandaj besojmë se çështja e pronës në bregdetin jugor të Shqipërisë do të zgjidhet drejtë, në bazë të Nenit 41 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe dokumenteve ndërkombëtare, si një e drejtë themelore e njeriut, duke u a kthyer pronat fizikisht pronarëve e trashëgimtarëve të ligjshëm bregdetas.

Kryesia e shoqatës “Bregdeti”

Historiku për statusin e vendit kandidat

Historia për statusin e vendit kandidat ka që prej 3 vitesh (pas zgjedhjeve lokale 2011) që sorollatet dhe mbahet peng nga politika shqiptare. Në fakt, Shqipëria mund ta kishte marrë statusin e vendit kandidat në BE, që në dhjetorin e vitit 2012. Shansin për të marrë statusin Shqipëria e kishte edhe në dhjetorin e vitit 2013, por e humbi. Kjo, për shkak se politika shqiptare, për hir të interesave personale dhe të grupeve që i rrethojnë, janë gati të shkatërrojnë gjithçka që ka lidhje me të ardhmen e vendit. Duke vazhduar me këtë rrugë, ka gjasa, që as këtë qershor Shqipëria të mos e marrë statusin e vendit kandidat në BE.

Tre ligjet e integrimit

Kur PS ishte në opozitë, mbajti peng votat për miratimin e “tre ligjeve të famshme” (projektligji për Nëpunësin Civil, projektligji për Gjykatën e Lartë dhe Reforma Parlamentare), që ishte kushti i BE-së për marrjen e statusit kandidat. Opozita e atëhershme ishte e vendosur të mos i votonte këto ligje, duke e ditur mirë, se nëse nuk miratoheshin ligjet në fjalë, Shqipëria privohej nga statusi i vendit kandidat në BE. Pas dështimit të politikës shqiptare, në shkurt të vitit 2013, në raportin e BE-së për politikën e jashtme, theksohej se “tre ligjet e integrimit” nuk u miratuan për shkak të polarizimit midis kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha dhe kreut të opozitës Edi Rama, dhe për këtë arsye Shqipëria mbeti larg statusit kandidat në BE. Në datën 30 maj të vitit të shkuar parlamenti u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme ku dhe u miratuan tre ligjet e famshme, por me kompromisin që ato të hynin në fuqi në shtator.

Tani radha e PD-së opozitë

Punë ditësh dhe mbërrijmë në momentin kur BE do të vendosë, nëse Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat në BE. Në Shqipëri ka nisur një debat prej disa javësh, që lidhet me trafikun e drogës dhe akuzat për përfshirje të strukturave të shtetit në këtë trafik. Gjithashtu ka plasur vala e protestave, pikërisht tani në prag të 23 qershorit, vendimit për statusin. Opozita e sotme është vendosur në të njëjtën linjë si ajo e djeshmja e Edi Ramës, kur minoi marrjen e statusit kandidat në dhjetorin e vitit 2012. Berisha po i lan “hakun” Ramës. Aksioni politik i opozitës në prag të statusit është intensifikuar dhe se duket se do të avancojë në këtë drejtim.

Takimi i 6-të Shqipëri-BE. Ja shqetësimet kryesore

1- Element kyç për BE ngelet konsensusi kombëtar, i cili duhet të qëndrojë lart, mbi agjendën politike.

2- Çështja e 21 janarit. Procesi gjyqësor duhet të jetë i besueshëm.

3- Sistemi i drejtësisë. Vendi inkurajohet të bëjë sa më shpejtë strategjinë e re për gjyqësorin 2014-2020 me përfshirjen e KLD-së, Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, Prokurorisë e Avokatit të Popullit, duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.

4- Hetime për angazhimin e qeverisë në korrupsion dhe pastrimin e parave.

5- Korrupsioni në drejtësi dhe pronat. Rritja e hetimeve proaktive, përfshirë hetimet financiare, hetimet e korrupsionit në nivel të lartë, të rasteve të konfliktit të interesit e deklaratave të pasurisë, si dhe në sistemin gjyqësor.

6- Rastet e gjyqtarëve nuk janë trajtuar mjaftueshëm.

7- Droga, kultivimi dhe trafiku i kanabisit mbetet një shqetësim serioz.

8- Administrata publike. BE bën thirrje për përpjekje të mëtejshme për forcimin e profesionalizmit, depolitizimit, meritokracisë, transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit në administratën publike. Transparenca dhe konstruktiviteti i angazhimit ndërmjet qeverisë dhe opozitës në procesin e reformës është kyçe për ngritjen e një shërbimi civil të qëndrueshëm.

9- Kërkohet forcim i përfshirjes së minoriteteve, sidomos për komunitetet Rome dhe Egjiptiane, draftimi i një ligji me parashikime financiare për personat me aftësi të kufizuara, qartësimi i rrethanave fiskale për organizatat e shoqërisë civile, si dhe çështja e ish të përndjekurve politik.

10- Media. BE inkurajon Shqipërinë të sigurojë që rregullat mbi reklamat nga institucionet publike garantojnë transparencën e plotë dhe mosdiskriminimin për dhënien e fondeve.