TAP, pajisjet dhe makineritë mbërrijnë në Durrës; Rama: Projekt strategjik për Shqipërinë

575
Kanë mbërritur në Spitallë të Durrësit makineritë dhe pajisjet e para të TAP. I pranishëm në këtë ceremoni, Kryeministri i vendit Edi Rama theksoi se gazsjellësi TAP sjell përfitme direkte për Shqipërinë.
“Nuk ka dyshim që përmes gazsjellësit TAP Shqipëria vendoset në një prej arterieve më të rëndësishme energjetike sot në Europë. Përfitimet direkte që i vijnë Shqipërisë, që nga investimi i konsiderueshëm, rrugët e reja të dijes dhe deri te punësimi indirekt. Përtej llogarive gjeo-strategjike, dua të theksoj se vetëm në pak muaj, TAP është shndërruar një prej motorëve kryesore të zhvillimit ekonomik dhe social te vendit”.
Sipas Ramës, “brenda vitit pritet të përfundojë ndërtimi dhe arredimi i plotë i mbi 100 km rrugë dhe urave në një investim që e kalon vlerën e 60 milion eurove. Këto rrugë dhe ura kanë ndikuar në rritjen e nivelit të jetës, përmes rritjes se aktivitetit ekonomik. Përveç kësaj, ne si qeveri synojmë hapjen e 15 mijë vendeve të punës në 5 vjet. Nga njëra anë është merita e ministrit të Energjisë, që ditën e parë ngriti një skuadër të posaçme për të trajtuar të gjitha aspektet e problematikës që duhet të zgjidhë shteti në kohë reale”, deklaroi Rama.
I pranishëm në këtë ceremoni, ishte edhe ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri, i cili deklaroi se do të punësohen të paktën 2 mijë persona dhe tubat do të vendosen shumë shpejt në Shqipëri.
“Shqipëria bëhet pjesë e rrjetit ndërkombëtar të gazit. Kjo na jep mundësi të krijojmë një mundësi tjetër, që është nëpërmjet gazit natyror. Me ardhjen e gazit, Shqipëria ka mundësi që të ketë një rrjet energjetik të saj”, tha Gjiknuri.
Për ndërtimin e tubacionit të Gazsjellësit Trans Adriatik në Shqipëri, do përdoren rreth 13.000 tuba. Tubat janë prodhuar nga Kompania gjermane Salzgitter Mannesmann International GmbH dhe kanë udhëtuar për 11 ditë nga porti gjerman i Brake deri në Portin e Durrësit. Tubat e parë kanë arritur në tokën shqiptare më 5 prill, ora 08:15. Anija e parë transportoi 1.390 tuba si dhe 73 bërryla, ndërsa shkarkimi nga secila anije zgjat rreth 6 ditë.
Sheshi kryesor i magazinimit është rreth 90.000 m2. 90% e numrit të përgjithshëm të tubave që do të përdoren në seksionin shqiptar të Tubacionit do të jenë me gjatësi 18 metra, ndërsa 10% e tyre me gjatësi 12 metra. Diametri i brendshëm i secilit tub është 1,22 metra. Pesha e një tubi të vetëm prej 18 metrash është rreth 16.900 kg.
Sigal