“Tani na duhet të punojmë së bashku për prioritetet e tjera”

502
Sigal

Intervista/ Flet deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çipi

Zoti Çipi, miratimi me konsensus i reformës së kufizimit të imunitetit, i hap rrugë përfundimisht, luftës kundër korrupsionit?

– Miratimi i reformës të kufizimit të imunitetit është një hap pozitiv i nismës së marrë prej vitesh, për të plotësuar standardet europiane që BE-ja i ka vënë Shqipërisë. Them që është një plus i madh, por nuk është vetëm kjo. Janë edhe rekomandimet e tjera, të cilat qeveria jonë, me përparësi përpiqet që t’i finalizojë me sukses.

– Kritika që adresohet maxhorancës, është se në luftën kundër korrupsionit mungon vullneti politik dhe jo aq legjislacioni. Ju si kundër-reagoni?

– Unë mendoj, se përshtatja dhe zbatimi i ligjeve është në koherencë të plotë me kërkesat e BE-së. Nuk është e mjaftueshme kjo, është e vërtetë, duhet  vullnet politik. Janë njerëzit që i zbatojnë ligjet. Dhe sesi i zbatojnë ligjet, varet edhe suksesi, edhe dështimi i ligjshmërisë.

– Amendamentet e PS-së për ndryshimet kushtetuese, mund të shqyrtohen më vonë, apo  është një kapitull i mbyllur?

– E ndjek me vëmendje, dhe shikoj që punohet intensivisht, punohet në Komisionin e Ligjeve, e ka zgjedhuar së tepërmi marrjen pjesë edhe të grupeve të interesit dhe institucionet publike,  në debatin përkatës. Mendoj që kjo do të jetë në vazhdim, pasi ndryshimet kushtetuese dihet, që duan kohën e tyre, në mënyrë që të mos gabojmë e të kërkojmë t’i rikorrigjojmë.

– Duke u nisur nga zgjedhja e Presidentit, ku për herë të parë u zgjodh me 71 vota, e në vazhdimësi, emërimet e kryetarëve të SHISH e nënkryetarit të KLD-së, vijon Kryeprokurori, maxhoranca akuzohet për përqendrim të pushtetit politik absolut. Për ju, kjo kritikë a vlen?

– Arsyetimi është fare i thjeshtë. Në qoftë se ne zgjedhim Presidentin me shumicën e thjeshtë, nuk ka sesi që institucionet q janë në varësi kushtetuese të Presidentit, të zgjidhen me votë të cilësuar. Sepse do të kemi një ngërç, që do të na ndodhin ato që kanë ndodhur edhe në vendet e tjera. Me mirëkuptim, politika është gjithmonë në bashkëpunim, është dialog, është edhe tolerancë. Mendoj se më një shumicë të thjeshtë, mund të realizohen shumë mirë.

– Kjo që thatë ju, toleranca, dialogu, në politikën tonë mungojnë, sepse maxhoranca nuk ka marrë në konsideratë propozimet e opozitës, por nëpërmjet mekanizmit të 71 votave,  dhe jo dialogut, i ka rrëzuar ato. Është kështu?

– Realisht kështu funksionon, ky është ligji i rendit demokratik. Ata që fitojnë mirëbesimin e votuesve, kanë përgjegjësinë e kryerjes së detyrës dhe me programin  e zbatuar, që  është  miratuar zgjedhësit me votë,  vlerësohen nga votuesit. Nuk mund t’u shmangiesh përgjegjësive,  jam dakord me dialogun e kompromisin, por në ndonjë rast, kur mungon dialogu e marrëveshja, mirëkuptimi, detyrimisht, do të kalohet te shteti ligjor,  në zgjidhjen demokratike të shumicës së thjeshtë.

– Dialog e mirëkuptim, a nuk do të thotë të pranosh edhe propozimet e opozitës?

– Sigurisht, kjo do të thotë që të dyja palët të lëshojnë ndaj njëra-tjetrës. Shembulli më i mirë është momenti i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, maxhoranca e ka patur vullnetin dhe e ka  në shumë raste që e ka dhënë kompromisin e saj.

– Së fundi, rrëzoi edhe amendamentet e PS-së. Pse ndodhi kjo?

– Unë nuk di nëse keni dëgjuar debatin që është bërë në Komisionin e Ligjeve, ku zoti Rusmajli përmendi rastin e Moldavisë. Nuk mund të kemi një imponim të opozitës, të ligjeve që do të trajtojnë një qeverisje. Kjo e drejtë i është dhënë maxhorancës në votim.

– Maxhoranca duket se  i lë  pak hapësirë demokratike opozitës, e kjo a nuk do të thotë përqendrim i pushtetit absolut, në një duar?

– Keni parasysh, që të gjitha ligjet kanë kaluar në parlament dhe janë votuar me konsensusin e plotë të forcës politike të PS-së, atëherë, kur zoti Rama mendonte që do të vinte në pushtet dhe do të kishte ai në dorë gjithë pushtetet.

– Faleminderit!