“Tani kemi Ministrinë e Pyjeve të Djegura dhe të Administrimit të Ujërave të Ndotura”

489
Sigal

INTERVISTA/Prof.Dr. Dëfrim Shkupi, sekretar për Shkencën e Mjedisin, AK: “Për problemet e mjedisit, shteti është pothuajse inekzistent”

Aktorët e politikës shqiptare kanë talentin e madh, që nëpërmjet prodhimit dhe riciklimit të ngërçeve politike, të pakuptimta, absurde, të tensionojnë pasionet dhe fanatizmin partiak, me një qëllim të caktuar, të paramenduar. Të zhvendosin vëmendjen e opinionit publik nga temat, shqetësimet dhe nga problemet më të mprehta të së përditshmes së njerëzve, por që kanë brenda edhe perspektivën. Vetëm në një klimë të tillë të terrorizmit politik, të realitetit të sotëm shqiptar, mund të ndodhë që politika të ngrihet mbi vullnetin e gjithë shoqërisë, në kërkesat për referendumin për plehrat e importuara. Sepse, vetëm në një opinion të terrorizuar nga politika, siç është aktualisht shoqëria shqiptare,  mund të imponohet kaq lehtë që të importohen plehrat vdekjeprurëse për breza të tërë njerëzish dhe për vetë mjedisin. Prof. Dr. Dëfrim Shkupi në intervistën për “Telegraf”, bën edhe më akute shqetësimin e madh të indiferencës që dëftojmë të gjithë, shoqëri dhe shtet ndaj mjedisit, ku jetojmë e do të jetojnë brezat e ardhshëm. Sot vonohemi që të reagojmë,  nesër do të jetë fatalitet për gjithkënd.

– Zoti Shkupi, cila do të jetë alternativa ndryshe që do t’i ofrojë AK-ja elektoratit shqiptar, për të fituar mirëbesimin e tij?

-Alternativa e AK-së është më e mira se është e mbështetur në dy boshte themelore : në nacionalizmin mbarëkombëtar dhe zhvillimin e qëndrueshëm. AK-ja premton se Shqipëria do të bëhet nëpërmjet ndërtimit të  një shteti të fortë juridik mbi themele të një kompromisi historik dhe kombëtar të gjithë faktorëve politikë, institucional dhe shoqëror, kudo, ku shqiptarët jetojnë në trojet e veta apo në diaspore duke modeluar një strategji mbarëkombëtare të Shqipërisë të këtij shekulli të ri. Alternativa e AK-së është plotësisht e realizueshme, se në udhëheqjen e saj ka njerëz idealistë, që janë ngritur mbi interesat personale për t’i shërbyer Shqipërisë dhe popullit shqiptar në të gjitha trojet. Kryetari i  AK-së,  Kreshnik Spahiu, la postin e tij në KLD dhe ndërmori organizimin e AK-së në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët, duke fituar zemrat e të gjithë patriotëve .

– A mendoni se shteti investon në mirësjelljen dhe mirëmbajtjen e mjedisit?

– Për problemet e mjedisit shteti është pothuajse inekzistent. Janë bërë disa investime  në disa qytete të veçanta, që janë grante të fondacioneve europiane. Sot Ministria e Mjedisit ka marrë nofkën “Ministria e Pyjeve të Djegur dhe të Administrimit të Ujërave të Ndotura”. Është e çuditshme se të dy palët që kanë qenë dhe janë në qeverisje, këtë ministri ia kanë lënë partive të vogla dhe natyrisht, këto e kanë kthyer në fortesa të partive të tyre dhe nuk e lodhin mendjen për problemet e mprehta që ka mjedisi shqiptar. Është për t’u çuditur se ka shumë muaj që është mbaruar venddepozita e mbetjeve urbane në Bushat dhe asnjë kg mbetje nuk ka shkuar atje, ndërsa vazhdon avazi i hedhjes së plehrave në zona krejtësisht të papërshtatshme. Ose është për t’u vënë në dukje se shfrytëzimi i inerteve në shtretërit e lumenjve është i ndaluar me ligj në të gjitha shtetet europiane, në Shqipëri ato vazhdojnë se janë pjesë e fitimit të politikës shqiptare.

– Kemi fituar ne, si shoqëri, si shtet një kulturë të mjaftueshme, për një mirësjellje ndaj mjedisit?

– Në përgjithësi në Shqipëri mungon kultura e mjedisit. Gjithkush mund të hedhë mbeturina, apo të ndotë mjedisin dhe nuk ka asnjë reagim qytetar. Këtu bëjnë përjashtim disa shoqata, në mënyrë të veçantë Zyra e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, që drejtohet nga Kozare Kati.

– Jemi ndërgjegjësuar për pasojat e keqsjelljes sonë?

– Pjesa më e madhe e popullsisë nuk është e ndërgjegjësuar. Mbetet shumë për të bërë. Duhet forcuar legjislacioni dhe duhet zbatuar me rigorozitet. Më bën përshtypje se si nuk doli ndonjë politikan i lartë të marrë një iniciativë mjedisore,  po ka dalë ambasadori amerikan, ai holandez  dhe disa ambasadorë të tjerë të komunitetit europian.

– Kohët e fundit, minierat, toka e pasuritë e saj nëntokësore janë vënë nën tenderin e privatizimit. Ju si e vlerësoni këtë strategji politike të qeverisë?

– AK-ja është shprehur publikisht kundër privatizimit të pasurive nëntokësore dhe mbitokësore të vendit dhe ka denoncuar aferat korruptive të klaneve mafioze të lidhura me qeveritarë të caktuar.

– A mund të jepet e drejta sovrane e dhënies të së drejtës për kërkim, shfrytëzim të burimeve natyrore mbi dhe nëntokësore një kompanie private? D.m.th,  kompanisë “Albpetrol”.

– Ky veprim tregon dhe njëherë se qeveritarë të caktuar bëjnë çdo gjë në interes të klaneve që përfaqësojnë. Besoj se dhënia e kësaj të drejte është bërë me paramendim se është caktuar qysh më parë kush do ta përvetësojë “Albpetrol”-in.

– Asetet e pasurive natyrore kombëtare duh0et të privatizohen, apo të jepen me koncesion?

– AK-ja mendon se është më e drejtë dhënia me koncesion, por duke bërë marrëveshje në përputhje me interesat e Shqipërisë, duke mënjanuar korrupsionin, apo përfitimin e qeveritarëve të veçantë nga marrëveshje të dyshimta, në dëm të interesave të vendit.

– Cili është roli i intelektualëve dhe intelektualizmit në ecurinë e integritetit të Shqipërisë?

– Shumë intelektualë kanë shkruar artikuj, apo kanë bërë thirrje për forcat kryesore politike për gjetjen e konsensusit për kapërcimin e pengesave për integrimin e Shqipërisë në BE, po siç duket, çdo gjë ka rënë në vesh të shurdhër. Parlamenti shqiptar është kthyer në estradë, ku të dy palët kryesore bëjnë lojën e kungulleshkave dhe ndërkombëtarët bëjnë sehir apo tallin prapanicën, duke thënë se i zgjidhni vetë problemet. Këtu duhet që populli shqiptar  të ndërgjegjësohet se me këtë klasë politike, që aspiron vetëm të pasurohet dhe nuk i intereson integrimi në BE, se do të ketë masa kufizuese për veprimtarinë e tyre banditeske, nuk shtyhet më. Populli shqiptar, me votën e tij, duhet të shporrë këtë shpurë banditësh e të zgjedhë njerëzit e duhur për drejtimin e Shqipërisë.

– A është shtruar tashmë si një domosdoshmëri unifikimi në një Akademi të Shkencave mbarë shqiptare për një përfaqësim më dinjitoz si një komb?

– Pyetja juaj është në kohën e duhur. Ne, si AK, kemi planifikuar të organizojmë një tryezë më 27 tetor për shkencën, ku një nga temat që duam të rrahim është dhe unifikimi i Akademisë së Shkencave, për ta bërë mbarëshqiptare. Dihet tashmë se qeveria aktuale me VKM nr.561 date 22.08.2007, shkatërroi të gjitha institutet shkencore, duke përfshirë dhe Akademinë e Shkencave, që është kthyer në një organizëm formal, duke humbur rolin që ka patur. Për më tepër, e drejtuar nga njerëz që nuk e meritojnë as të jenë akademikë. Unë e quaj shumë të nevojshme dhe të kohës, krijimin e një Akademie Mbarëshqiptare, që do të nxirrte jashtë loje dhe A.SH ekzistuese në Tiranë.

– Faleminderit!