Tani, edhe me … ligj, statistikat dhe INSTAT-in e kontrollon Kryeministri

12

 Tani, edhe me … ligj, statistikat dhe INSTAT-in e kontrollon Kryeministri. Jo, se deri tani, kishim një INSTAT dhe statistika të pavarura nga qeveria, por, Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të martën, me votat e deputetëve të maxhorancës, ndryshimet në ligjin “Për statistikat zyrtare”. Shqyrtimi i këtyre ndryshimeve kaloi përmes debatit mes palëve, ku çështja e emërimit dhe mandati i titullarit të INSTAT shkaktoi më shumë debate.  Çështja nuk është kaq e thjeshtë, për kompetencat e emërimit të titullarit të INSTAT-it, por për vetë varësinë (ligjore) të INSTAT-it nga Kryeministri. Atëherë, lind pyetja: Në INSTAT, ku titullari emërohet nga Kryeministri, sa i pavarur do të jetë që të publikojë statistika që mund të jenë të padëshirueshme për Kryeministrin?  Ligji i propozuar nga qeveria parashikon që titullari i INSTAT të emërohet nga kryeministri për një periudhë pesëvjeçare, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Ky ndryshim u mbështet vetëm nga deputetët e shumicës, ndërsa opozita e kundërshtoi këtë variant, duke këmbëngulur që INSTAT-i të jetë një institucion që të varet nga Kuvendi dhe jo nga Kryeministri. Ligji aktual “Për statistikat zyrtare”, i miratuar në vitin 2004, tashmë do të pësojë disa shtesa dhe ndryshime. Në një draft me 16 nene propozohen një sërë ndryshimesh, duke filluar që nga emërtesa e kreut të INSTAT, që nuk do të jetë më “Drejtor i Përgjithshëm”, por “Titullar i INSTAT-it”. Ligji i ri parashikon që për të siguruar besueshmërinë e publikut në statistikat zyrtare, INSTAT-i dhe agjencitë statistikore duhet të udhëhiqen nga parimet e Kodit të Praktikës së Statistikave Europiane.  Organizimi dhe zbatimi i programit duhet të udhëhiqet nga disa parime si cilësia statistikore, rëndësia, saktësia, koha, përpikmëria, krahasueshmëria e të dhënave, etj.  Një pikë e rëndësishme e ligjit është struktura organizative e INSTAT-it, e cila miratohet me urdhër të Kryeministrit, pas propozimit të Këshillit të Statistikave.

Titullari i INSTAT-it emërohet nga Kryeministri, pas kryerjes së një procedure publike rekrutimi nga Këshilli i Statistikave. Mënyra e kryerjes së kësaj procedure, afatet e njoftimit dhe kriteret për vlerësimin e kandidatëve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, sanksionohet në projektligjin e paraqitur për miratim në Kuvend nga qeveria.